“Forbes”: Shqipëria, magneti i fundit i Kinës
Kështu shkruan prestigjiozja “Forbes” në një shkrim që analizon marrëdhëniet e Shqipërisë me ekonominë e dytë më të madhe në botë, Kinën. “Shqipëria po bëhet magneti i fundit i Kinës” titullohet artikulli i Kenneth Rapoza, i cili shkruan se rritja e investimeve kineze do ta ndihmojë vendin tonë të kalojë nga statusi kandidat në një anëtar me të drejta të plota në BE.
“Por si në çdo rast, kur ekonomia numër 2 në botë troket, kinezët po përpiqen të sjellin qindra persona staf e personel në vendin tonë dhe kjo parë në kontekstin që shumica e kompanive investuese në asete strategjike janë shtetërore, krijon le të themi një habi në sallat e pushtetit në të gjithë Evropën, veçanërisht në Bruksel. Disa prej politikanëve kryesorë në Shqipëri janë të shqetësuar për faktin se investimet kineze në të shumtën e rasteve kanë qëllim ekspansionin e saj në tregun e huaj dhe kjo është veçanërisht shqetësuese në rastin e Shqipërisë me shkallë papunësie 17.1% dhe ku vendet e punës janë të nevojshme”, shkruan “Forbes”.
Tani për tani, Kina është bërë një partner kryesor tregtar për Shqipërinë, një shtet, i vogël malor në Ballkan me dalje në detin Adriatik. Investimet kineze janë relativisht të reja atje, kështu që për kompaninë e naftës si Geo-Jade, kjo është një botë krejt e re.
“Kina është një partner i rëndësishëm ekonomik në Shqipëri, por ne kemi nevojë të sigurojmë që jemi duke arritur një marrëveshje të drejtë që gjeneron rritje ekonomike dhe krijon më shumë vende pune këtu në Shqipëri, për shqiptarët”, thotë Ilir Meta, kryetari i Parlamentit që nga viti 2013, në një prononcim për “Forbes”.
Po përse Kina është e interesuar në një vend të vogël me të ardhura të ulëta mesatare dhe me një popullsi më shumë se 3 milionë, duke përfshirë diasporën e madhe?
Më 6 qershor, qeveria shqiptare u tregua e gatshme të nënshkruajë një marrëveshje me Kinën për të ndërtuar 16 milje rrugë me vlerë 200 milionë euro për lidhje me Maqedoninë fqinje. I ashtuquajturi Projekti i Rrugës së Arbrit është ndërtuar pjesërisht nga shqiptarët, por pjesë të tij është ende një rrugë me kalldrëm me gurë që daton që nga Perandoria Romake, ndërsa shumica e rrugës është e shkatërruar, pengon transportin efikas dhe duhet të shndërrohet në një autostradë moderne. Kinezët do të krijojnë një rrugë të rëndësishme të transportit për tregtinë e Shqipërisë.
“Forbes” jep detaje edhe për të drejtat që kompania kineze Geo-Jade Petroleum ka blerë në dy fusha të naftës shqiptare, veçanërisht atë të Patos-Marinzës që është fusha më e madhe e naftës në Evropë.
Një tjetër menaxhim i ndërmarrë nga Kina në Shqipëri është ai i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. Grupi “Everbright”, i cili bleu të drejtën e menaxhimit të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, synon ta kthejë Shqipërinë në një qendër logjistike për të transportuar mallrat kineze.
Brenda katër muajve të parë të vitit 2016, Kina është bërë partneri i dytë më i madh tregtar për Shqipërinë. Në mars, ajo përbënte 7.7% të eksporteve nga 6.3% vitin e kaluar, duke tejkaluar partnerët e vjetër në kohë Greqinë dhe Turqinë, si dhe fqinjët.
Sipas “Santander Bank”, investimet e huaja direkte në Shqipëri tani llogariten 50% të Produktit të Brendshëm Bruto. “Dashuria e re” e Kinës për Shqipërinë, është një burim vital i kapitalit të huaj, shkruan “Forbes”.