Francezët dështojnë të blejnë Brezovicën
Tani më edhe zyrtarisht është konfirmuar se konzorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, ka dështuar të sigurojë 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në resortin e Brezovicës. Edhe pse qysh një dhjetor kishin kërkuar afat shtesë, sërish nuk i kanë siguruar.
Kështu, si rrjedhojë e pamundësisë së Partnerit Privat për të siguruar mjetet financiare në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së PPP dhe propozimin detyrues nga Partneri Privat, Komiteti Drejtues Ndërministror në përputhje me kontratën ka marrë vendim për të shkëputur Marrëveshjen e PPP-së dhe për ekzekutimin e sigurimit të tenderit të Partnerit Privat (500.000euro).
Ky vendim është marr sot, dhe thuhet se veprimet juridike të ushtruara nga ana e Qeverisë janë plotësisht në përputhje me termat dhe kushtet e Marrëveshjes së PPP-së dhe të gjithë legjislacionin përkatës.
“Edhe pse ky nuk është rezultati i preferuar i përfundimit të procesit të Marrëveshjes së PPP, është e nevojshme për të mbrojtur interesin publik dhe për të minimizuar rreziqet financiare që lidhen me zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës. Edhe pse procesi i tanishëm i prokurimit është duke u përfunduar, Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson angazhimin e saj të palëkundur për zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, në muajt e ardhshëm, përmes një procesi qe do të zhvillohet me procedura tjera. Projekti mbetet një projekt me rëndësi strategjike për Kosovën dhe komunitetin lokal dhe Qeveria është e bindur se një qendër turistike e klasit botëror do të zhvillohet nga investitorë, zhvillues dhe operues të njohur ndërkombëtarë në një të ardhme të afërt”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kishtete muaj që konzorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, shpresonte se do të merrë kredi nga investitorët, bankat dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për zhvillim në Evropë.
Problem tjetër për Brezovicën ka qenë se ajo ndodhet në një komunë me shumicë serbe, në Shtërpcë, dhe planifikuesit i është dashur të marrin edhe mbështetjen e popullsisë lokale serbe.
Qendra e skijimit vazhdon të menaxhohet nga kompania shoqërore “Inex – Ski Center Beograd”, që nuk është kompetencë e drejtpërdrejtë e Komunës së Shtërpcës.
Kjo gjendje pritej të ndryshonte në momentin kur të hynte në fuqi kontrata e konsorciumit. Ndërsa qendra e vjetër e skijimit llogaritet që është pronë komunale e cila komplet pritej të kalonte në kompetenca të investitorit potencial.
Sipas master-planit të parë 350 hektarë tokë komunale kanë qenë në kuadër të projektit të Brezovicës. Me shpronësimin e tokave këto mjete pritet të derdhen në llogarinë e Komunës së Shtërpcës.
Madje, Qeveria e Serbisë, kohë më parë pati miratuar një tekst shpalljeje në të cilin investitorëve potencialë iu tërhiqet vërejtja se Qendra për skijim e Brezovicës është në pronësi të Serbisë dhe se vendimi për eksproprijim i marrë nga Prishtina është i jashtëligjshëm.