Kriza qeveritare në Kroaci
Kur mori drejtimin e qeverisë biznismeni kroat i kthyer nga Kanadaja, Tomisllav Oreshkoviq, s’e dinte aspak se ç’e priste. Ata që e sollën në pushtet, në fund e dënuan. Kroacia kërkon tani një kryeministër të ri.
“Këtu jemi për të mbrojtur ndërtimet kroate dhe në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë”. Me këto fjalë u fut në politikën kroate 50-vjeçari Tihomir Oreshkoviq. Qytetarët pritën me rezerva një kryeministër, i cili nuk e dinte mirë gjuhën e vet, sepse ai në fakt deshi të thoshte “…për të mbrojtur qytetarët…” (sepse kishte ngatërruar fjalët „gradjani“ i „gradjevine“ – “qytetarët” dhe “ndërtimet”). Më 24 dhjetor 2015, Presidentja Kolinda Grabar-Kitaroviq i besoi atij mandatin për të krijuar qeverinë e re. Pas negociatave të mundimshme me HDZ dhe Most, Oreshkoviq krijoi kabinetin qeveritar i cili mori detyrën më 22 janar 2016. Qeveria kishte 20 ministra, ndër ta edhe Tomislav Karamarko (HDZ) i Bozho Petrov (Most).
Optimistët dhe skeptikët
Mangësia më e madhe e Oreshkoviqit u rregullua me të dhënat nga biografia. “Nëse ka mundur të drejtojë financat e sipërmarrjes izraelite ‘Teve’, me siguri që do të drejtojë edhe paratë e shtetit në Kroaci, pohonin optimistët. “Por shteti nuk është sipërmarrje”, thoshin skeptikët. Oreshkoviq prezantohej si “i zoti i shtëpisë”, besimtar dhe atdhetar, i cili shkonte ndonjëherë edhe në Likë apo Gackë e Otoçac për të peshkuar. Ndërkohë janë bërë publike shumë të dhëna nga jeta private. Flitej se në politikë është futur me mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitaroviq. Ndërsa vetë Oreshkoviqi fliste pak. Me gazetarët komunikonte vetëm në kushte të kontrolluara, përmes marrëveshjeve me Shërbimit për Marrëdhënie me Publikun, të udhëhequr nga HDZ.
Qëllimi kryesor i Oreshkoviqit ishte privatizimi i sipërmarrjeve të shtetit për të zvogëluar borxhet. Por pasuria e shtetit është dëmtuar shumë, me plaçkitjet pas luftës. Ai insistonte që të paguhen tatime mbi pasurinë. Nga lista e sipërmarrjeve me interes shtetëror janë hequr koncernet e mëdha si Podravka, ACI, Petrokemija, Croatia Airlines, Luka Rijeka, Croatia banka dhe Croatia Osiguranje. Aksionet e „Rade Končar – Elektroindustrija“ u janë shitur fondeve për pensione.
Qeveria pa rezulate
„Si të nxirret bilanci i punës së qeverisë së Timohir Oreshkoviqit, kur kjo qeveri nuk ka lënë asgjë pas vetes? Pas saj ka mbetur vetëm miratimi i buxhetit, disa shkurtime të rënda për qytetarët, shitja e disa sipërmarrjeve dhe lista e reformave të dëshiruara. Shkurt “asgjë”, thotë gazetari i portalit Net.hr Dalibor Dobriq.
Oreshkoviq është vetëm një figurë naive, me të cilën ka tregtuar pushteti. Fatkeqësia e tij ishte që si zëvendës kishte Karamarkon (e HDZ) të përfshirë në shumë afera, ndër të tjera edhe me bizneset e gruas së tij. HDZ e solli në pushtet, HDZ e nisi procedurën për largimin e tij. Ata të cilët e lavdëronin si patriot të gatshëm për sakrifica, i lexuan në Sabor “aktakuzën” se po bënte përpjekje për futjen e diktaturës kancelariane, ndonëse shumëkush nuk di se çfarë do të thotë ajo.
Oreshkoviqi kritikohet për përpjekje manipulimi me shërbimet sekrete. Oreshkoviqi ka refuzuar të japë dorëheqjen dhe duket se bota e politikës mbetet një fenomen i pakuptuar deri në fund prej tij. Megjithatë ai nuk e përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme (për të cilat besohet se do të mbahen së shpejti) të marrë pjesë si kandidat i pavarur.