Albspirit

Media/News/Publishing

Përse Pëllumbi aktivizohet sot kundër Nanos?

Përse Servet Pëllumbi aktivizohet sot kundër Fatos Nanos?

Mbas ftesës publike të Edi Ramës për pjesmarrjen e Fatos Nanos në festimet e 25 vjetorit të PS, në punimet e të njejtit Kongres, ku po përjashtohej de facto Ben Blushi, kanë rrjedhur ca ujëra…

 

E para Fatos Nano, në një komunikim elektronik me gazetarin Artur Zheji, bëri një sfidë të re publike ndaj, ish të përkëdhelurit të tij të dikurshëm, sot kryeministër dhe kryetar i PS. “Rama ka talent të rrallë vetëshkatrrimin” komentoi Nano, duke u pajtuar plotësisht me shkrimin-portret që gazetari Zheji kishte bërë atë ditë dhe duke shtuar, se ai, Fatos Nano, si një ish mik tjetër i Ramës, nuk e kishte frikë këtë të fundit.

 

Duke “polemizuar” me Zhejin, që nënvizonte se Ramën, “duhet ta kenë më shumë frikë ish miqtë, se sa armiqtë apo kundërshtarët e hapur”. Paskësaj dhe në heshtje të plotë reaguese nga ana e kryeministrit, tejet i “zënë” me Reformën në Drejtësi dhe skandalin e plasur të përgjimeve, mbeti edhe nënteksti refuzues i ish themeluesit të PS, për festimet e atj përvjetori.

 

Data e të cilit po afrohet. Dhe mungesa e Fatos Nanos, në vathën e re socialiste, me sa duket nuk i pëlqen, Ramës. Dhe duket se “krejt rastësisht” del në skenën mediatike këto orë, “Ditari” legjendar i Servet Pëllumbit, me “parashikime analitike” të hershme për kryetarin e burgosur politik, Fatos Nano.

 

Që Serveti, ish Kryetar Kuvendi, realisht konstruktiv dhe i qetë, ka qenë një nga të majtët anti-Nano, kjo është e njohur. Sepse konflikti i tyre ka qenë themelor dhe në frymë, për reformimin e Partisë së Punës, në një Parti Socialiste Europiane, “tradhëtare e marksizmit” simbas doktrinave të parapëlqyera nga Servet Pëllumbi.

 

Por përdorimi i  sotshëm i këtij “ditari politik”, plot ironira dhe përqeshje ndaj Fatos Nanos, nuk mund të jetë i paqëllimshëm. Kryetari Rama, ka dhënë porosi të posaçme diskredituese, për të munguarin e madh, të festës qesharake të 25 vjetorit të themelimit të PS, që sheh Fatos Nanon dhe Ilir Metën, jashtë Partisë që kur e themeluan, kryetari i sotshëm, bënte vizatime në Paris. Por profesor Servetit me sa duket,nuk do ti dalë kurrë e keqja me Fatos Nanon dhe nuk e mban dot përbrenda edhe pse e di, që përdoret nga Rama…

 

Faqe nga ditari i Pëllumbit:

E premte, 15 dhjetor 1995  

1. Sot paradite, unë, Sabiti dhe Kastrioti (i porsakthyer nga Gjermania ku shkoi për gjashtë muaj “specializim” dhe qëndroi dy vjet e gjysmë duke i paguar dhe rrogën e deputetit), bëmë një vizitë në shtëpinë e Haxhi Lleshit, ish-Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Ka thyer këmbën dhe ka kohë në shtrat. Mbahet mirë, gjithsesi me mendje të kthjellët për moshën 82-vjeçare. Problemi që tërhoqi bisedën: Hedhja në erë parmbrëmë në orën 00:2 të natës e lapidarit në kujtim të Konferencës së Pezës -16 shtator 1942. Mendohet se është “vepër e ballistëve”, të cilët me ardhjen e Abaz Ermenjit (që qëndron sfidues në vilën e M. Shehut në Vlorë dhe ruhet nga forcat e rendit), po kërkojnë një lloj revanshi deri dhe me parulla në rrugët nacionale.

 

Hap i rrezikshëm, i gabuar sidomos për vetë mbeturinat e Ballit Kombëtar që e quajnë veten Parti Kushtetuese! Haxhi Lleshi na tha: – Nuk është pa nuhatje politike A. Ermenji, ka për të qenë aleati kryesor i Berishës në zgjedhjet e ardhshme, por prapë do ta pësojë, se atje në Francë do t’i ketë harruar shumë nga hilet e veta, të cilat sot i di më mirë S. Berisha!..

 

2. Sot pasdite vdiq Maria Nano, nëna e Fatosit. Shkuam për ngushëllim nga të parët. U interesuam që t’i jepej lejë Fatosit për varrim. Më parë iu dha lejë Gramozit dhe Ilirit për të shkuar në Bënçë për t’i dhënë lajmin e hidhur Fatosit. Iu dha 17 orë lejë. Në orën 15:30 erdhi edhe Fatosi. Shumë njerëz edhe nga rrethet. Pas varrimit, në shtëpinë e Fatosit, me kërkesën e tij bëmë mbledhjen e Kryesisë. Gjë e veçantë. Veçse nuk më la shije aq të mirë toni me të cilin foli Kryetari. Asnjë fjalë të mirë, vetëm vërejtje. Sikur të jemi argatët e tij dhe ai “pronari” që vjen për të bërë “kritikën e punës”. Sepse mu kujtua letra e Ramizit drejtuar Dritëroit. Më konkretisht po shënoj diçka në formë tezash: Jeni një hap prapa Berishës. S’keni iniciativën…

 

Fola pas tij dhe solla fakte dhe iniciativa të ndërmarra prej nesh që dëshmonin për të kundërtën. Kuptohet pa e atakuar Fatosin drejtpërdrejt, sepse i tillë ishte rasti dhe për më tepër ishim në shtëpinë e tij. Thënë ndryshe, i dhashë një përgjigje asimetrike sepse ai duhet ta dijë që duhet një distancë kohore për të parë më mirë dhe për të kuptuar prirjet dhe hollësitë e realiteteve… Për këtë arsye filozofia e popullit këshillon për të mos prerë gjërat shkurt me sëpatën e dardharit! Me shokët e tjerë, siç më thanë më pas, u mirëkuptuam sepse “shija” që la kjo “mbledhje në orët e zisë” nuk ishte e mirë jo vetëm për mua.

Për më tepër që njerëzit e shumtë u detyruan të dalin jashtë që “Kryetari të bëjë mbledhjen e kryesisë”! Diçka shokuese! Gjithsesi, duke parë gjithë ata njerëz që vinin e takonin, disa dhe me lot në sy, një lloj kapardisje në mbledhjen e improvizuar të kryesisë, mendova: A do të dijë ta kuptojë dhe ta përballojë pozitivisht Fatosi gjithë këtë mbështetje e popullaritet që s’është vetëm diçka personale? Jam disi skeptik!

Please follow and like us: