Rastësi apo e qëllimshme pritja e Kotzias në Sallën e Hartave?
Eden Babani, Bruksel
Qofsha i gabuar, por takimi i Ramës me Ministrin e Jashtëm të Greqisë në Sallën e Hartave të Kryeministrisë, ishte i qëllimshëm, për të acaruar nervat e fqinjit tonë jugor, bash në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe bash në kulmin e krizës politike lidhur me të ashtuquajturën Reformë në Drejtësi.
Janë të njohura tekat e Ramës për t’u shtënë origjinal, me qëllim që të tërheqë vëmendjen e opinionit publik nga problemet e ditës. Ato s’janë veç përpjekje për të fshehur skandalet e qeverisjes së tij trevjeçare, pse jo, edhe për të mbuluar shterpësinë politike dhe vizionin e ngushtë si politikan e burrë shteti. Pa dashur të rendis deri në shterje listën e gjatë të marrëzive (kinse origjinalitete) të zotit Kryeministër, mjaft të përmend “Kërpudhën” në hyrje të Kryeministrisë, koshin e basketbollit në zyrën e vet, të ashtuquajturën “Kullë” në Korçë, – një fyerje për qytetarët e “Parisit të Vogël” të kahershëm, – palmat dekorative që ngushtuan hyrjen e autostradës Tiranë-Durrës në hyrje të Kryeqytetit, projektin e stadiumit me kunj e të tjera, e të tjera. Ama, nuk do ta kisha besuar kurrë se në Kryeministri qenkësh vendosur një hartë e Shqipërisë Etnike, përfshi edhe Çamërinë. Këtë e mësova me rastin e vizitës së Ministrit të Jashtëm të Greqisë, i cili u prit në Sallën e Hartave.
Rastësi apo e qëllimshme? Le të shpjegohem.
Nëse një harte e trojeve tona etnike në mjediset e Kryeministrisë është vendosur për të dhënë mesazhe të mirëfillta atdhedashurie nga ana e kreut të qeverisë aktuale, duhet përshëndetur pa ekuivokë, ndonëse pak me vonese dhe si tepër e rëndë për shpatullat e një kryeministri që vjen nga e majta ish-komuniste, rrjedhimisht internacionaliste. Për fat të mirë, ajo qenka në Sallën e Hartave, ndaj edhe duhet përshëndetur. Por a duhej pritur zoti Kotzias bash atje? S’kishte të tjera mjedise Kryeministria? Pastaj, a e di zoti Kryeministër se fqinji ynë jugor s’e ka hequr ende gjendjen e luftës me Shqipërinë, mu për të mbajtur peng Çështjen Çame, një ndër çështjet tona kombëtare ende të pazgjidhura? S’ka dyshim se po. E po atëherë pse e priti atje ku nuk duhej?
Qofsha i gabuar, – e përsëris, – por për vete, dyshoj se pritja e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në Sallën e Hartave, ka qenë e qëllimshme. Jo për të mbështetur Çështje Çame. Ajo nuk mbështetet me nojma magjistarësh, por me programe, me nisma dhe me veprime të mirëfillta diplomatike. As për t’u shtënë origjinal në sytë e një të huaji që nuk ia njeh brumin politik e diplomatik. Nuk bëhet fjalë në këtë rast për teka që e kanë ndjekur Kryeministrin tonë si hije qysh herët, edhe më përpara sesa t’ia hynte politikës, siç kanë treguar ata që e kanë pas njohur, madje, qysh në fëmijëri. Diku gjetkë fshihet qëllimi i tij.
Tashmë dihet botërisht katrahura e qeverisjes “rilindëse”. Nuk është e panjohur kriza e thellë politike që e ka mbërthyer edhe vetë kreun e qeverisë, për shkak të mosmarrëveshjeve brendapërbrenda shumicës qeverisëse, por edhe brendapërbrenda partisë së vet. Ajo (kriza) ka arritur kulme dhe s’dihet ku do të ndalë, falë zullumeve qeveritare me shpërdorime fondesh shtetërore, falë skandaleve të njëpasnjëshme në radhët e administratës shtetërore në qendër a në rrethe, falë edhe Reformës në Drejtësi, e cila, kërkuar me këmbëngulje nga partnerët ndërkombëtarë, sa vjen e po i ngushton shtigjet e mbijetesës së tij në politikë. Në këto kushte, nuk është vështirë të vërehet se kryerilindësit s’i ka mbetur tjetër veç të çakërdisë opinionin publik herë me një prapësi, herë me një tjetër. Herë me presione, herë me provokacione. Herë vetë, herë me veglat e që e ndjekin verbërisht. Herë duke provokuar opozitën, herë duke provokuar prokurorinë e gjyqësorin. Herë Presidentin e Republikës, herë diplomacinë ndërkombëtare.
Të mos harrojmë se një veto e Greqisë do t’ia mbyllte Shqipërisë rrugën hapjes së negociatave të anëtarësimit të në BE. Mirëpo, a e ka përnjëmend Edi Rama bashkimin e vendit tonë me botën e përparuar perëndimore apo, për shkak të genit të trashëguar, e thërret përherë kushtrimi i të parëve? Asi nën mëngë duhet fshehur me kujdes, kapet drejtësia ashtu siç e do ai apo jo.
Në fund të fundit, veprat flasin më qartë sesa shtirjet. Edhe më qartë flet pritja e Ministrit Kotzias në Sallën e Hartave, një provokacion, i cili nuk është as i pari, as i fundit.