Arrin kredia për gratë në biznes
Rreth 2 milionë euro hua që Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vuri në dispozicion për të mbështetur gratë shqiptare në biznes do të mund të disbursohen me kushte lehtësuese. Përmes këtij programi mund të përfitohet kredi për kapital qarkullues dhe investime, si dhe trajnime e këshillim. Për qeverinë shqiptare, shifrat e grave në biznes janë ende të ulëta, ndërsa nga sektori i prodhimit vijnë shembuj pozitivë sesi ato po zbatojnë projekte për të rritur eksportet
Nga Elona Bedalli
Në Shqipëri, numri i grave sipërmarrëse që kërkojnë financim është më i vogël se ai i burrave, po kështu edhe kur vjen puna te përfitimi i kredive. Kjo lidhet me disa shkaqe, që kryesisht kanë të bëjnë me kufizimin ndaj së drejtës mbi pronën që kanë gratë në vendin tonë. Qeveria shqiptare ka miratuar një strategji sipas së cilës, deri në vitin 2020, shkalla e kreditimit të grave në biznes në Shqipëri duhet të arrijë në 45%, ndërsa numri i ndërmarrjeve aktive të drejtuara prej tyre do të rritet deri në 30%.
Ekspertët thonë se krijimi i kushteve për rritjen e kreditimit inkurajon krijimin e bizneseve të reja dhe stimulon rritjen ekonomike. Sipas tyre, sipërmarrëset shqiptare shpesh nuk kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të hyrë në tregje të reja, sidomos kur bëhet fjalë për kompani me orientim eksportin. Për to, mbetet sfidë edhe respektimi i standardeve europiane. Ata sugjerojnë se është e nevojshme që të lehtësohet edhe rifutja në treg e bizneseve të drejtuara nga gratë që kanë pësuar falimentim të rregullt.
Institucionet ndërkombëtare financiare, siç është Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kanë ndërtuar programe të posaçme për sipërmarrëset gra dhe kësaj nisme po i përgjigjen edhe një pjesë e bankave të nivelit të dytë.
Në dhjetorin e vitit të kaluar, BERZH prezantoi programin e “Grave në biznes” në Shqipëri, përmes të cilit do të ofrohej një hua prej 2 milionë eurosh. Nën këtë platformë, bankat partnere financojnë direkt bizneset e vogla dhe të mesme (NMV) të themeluara apo të drejtuara nga gra nëpërmjet kreditimit. Krahas kësaj, programi ofron këshillim, trajnim dhe mbështetje afatgjatë. Janë rreth 100 gra që do të mund të marrin njohuritë e nevojshme përmes seminareve që do të zhvillohen.
Christoph Denk, drejtor i BERZH-it në Shqipëri, tha se “Programi për gratë në biznes ndihmon në adresimin e sfidave me të cilat përballen gratë sipërmarrëse në drejtimin e një biznesi si aksesi në financime apo ekspertiza teknike. Gratë sipërmarrëse janë një potencial i rëndësishëm për rritjen e aktivitetit të biznesit dhe fuqizimi i grave ndihmon në ngritjen e një shoqërie gjithëpërfshirëse, që është çelësi për një rritje të qëndrueshme ekonomike.”
Sipas tij, banka ka filluar të zbatojë rreth 17 projekte që kanë të bëjnë me gratë, një pjesë e mirë e tyre u përkasin sektorëve, si turizmi, udhëtimi, përpunimi i ushqimeve, shitjeve me pakicë, etj. Rreth 50% e këtyre projekteve janë të përqendruara në Tiranë, pjesa tjetër në rrethe, por edhe në zonat rurale. Aktivitetet që mbështeten në këshillim kanë të bëjnë më së shumti me marketingun, shitjet, shpërndarjen, por edhe në strategjitë e ICT-së. “Ne kemi ofruar mbështetje dhe përfitime për trajnime dhe këshillime. Tani, në bashkëpunim edhe me Intesa Sanpaolo Bank, do të mund të financojmë sipërmarrjet që drejtohen nga gratë”, tha z. Denk.
Banka prezantoi edhe “Lenten e Biznesit”, portali online vetëdiagnostikues për gratë sipërmarrëse, i cili i ndihmon ato të identifikojnë avantazhet e bizneseve të tyre dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm.
Programi mbështetet njëkohësisht nga qeveritë përkatëse të Italisë, Suedisë, Luksemburgut dhe nga Fondi Special i Aksionerëve të BERZH. Që prej fillimit të operacioneve në Shqipëri, BERZH ka investuar gati 1 miliard euro në 70 projekte në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit.
Për z. Silvio Pedrazzi, drejtor ekzekutiv i Intesa Sanapaolo Bank, gratë janë një faktor pozitiv, gjithnjë në rritje për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe që menaxhojnë me sukses role të shumëfishta në shoqëri. “Është provuar që gratë kanë qasje më pozitive se burrat në biznes. Ky është një fakt dhe jo thjesht një konstatim. Edhe në bankën që drejtoj, pjesa më e madhe janë gra, përfshi këtu edhe postet drejtuese. Ne besojmë se hedhja në treg e këtij produkti do të ndihmojë në zhvillimin e rolit të gruas në biznes”, tha z. Pedrazzi.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Mbështetjes së Sipërmarrjes në Ministrinë e Ekonomisë, z. Bashkim Sykja, tha se prania e gruas në biznes po rritet, edhe pse shifrat janë ende të ulëta.
“Duke iu referuar statistikave të INSTAT për ndërmarrjet aktive, gratë përfaqësojnë 28.5% të numrit total. Një shifër e cila rritet nga viti në vit. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit për vitin 2015, gratë në biznes përfaqësojnë rreth 34.1% të totalit të regjistrimeve fillestare. Donatorët e huaj janë fokusuar shpesh te mbështetja me politika nxitëse për gratë sipërmarrëse. Me PNUD është bërë i mundur realizimi i një studimi që na ka njohur me situatën e grave sipërmarrëse, mbi bazën e së cilës kemi hartuar një strategji, e cila mbështetet në katër kolona të rëndësishme për periudhën 2014-2020”, tha z. Sykja.
Sipas tij, është e rëndësishme që të mos qëndrohet vetëm në nivelin e ndërgjegjësimit, por të bëhet më shumë për financimin e kësaj kategorie, si një nga elementet më të rëndësishëm. “Qeveria shqiptare zbaton disa programe modeste, që menaxhohen nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve. Aktualisht zbatohen tre fonde nga të cilat mund të përfitojnë gratë, si ai i Konkurrueshmërisë, Ekonomisë Kreative dhe Start up. Te fondi i Ekonomisë Kreative, ajo që bie në sy është fakti se rreth 70% e aplikantëve e përbëjnë femrat. Ky është një sektor që po merr vëmendje të veçantë, ku mbi 70% e bizneseve drejtohen nga gratë. Në total, gjatë periudhës 2014–2015 nga këto programe financiare kanë përfituar rreth 45 gra. Kjo është një shifër modeste, por trendi është në rritje”, tha z. Sykja.
Sipas tij, është e rëndësishme që gratë të bëhen aktive si kontribuuese në rritjen ekonomike të vendit dhe të punësimit. “Ne kemi shembuj që vijnë nga industria e fasonit, apo aktivitete të tjera prodhuese ku gratë kanë treguar
se janë të guximshme dhe kanë zbatuar projekte të transferimit të teknologjisë, duke ndihmuar në rritjen e eksportit. Ne, si ministri jemi të interesuar që të bashkëpunojmë me donatorët, për të nxitur zbatimin e projekteve që ndikojnë në konkurrueshmërinë e ekonomisë, por edhe në fushën e inovacionit”, tha z. Sykja.
Si mund të përfitohet kreditim
Të gjitha gratë që administrojnë ose zotërojnë një biznes aktiv në Shqipëri mund të kenë akses në këtë program financimi. Megjithatë, ato duhet të plotësojnë disa kushte, mes të cilave ato duhet të kenë një biznes të krijuar sipas kushteve të shtetit shqiptar, të jetë i regjistruar dhe i licencuar, të ketë aktivitet në territorin shqiptar, të mos zotërohet apo kontrollohet nga shteti dhe që në pjesën më të madhe të zotërohet nga një femër. Gjithashtu duhet të duhet të ketë të punësuar një numër maksimal punonjësish që shkon deri në 249 punonjës dhe një xhiro maksimale vjetore deri në 50 milionë euro.
Ekspertët e sistemit bankar thonë se gratë në biznes janë një forcë e pakesploruar për shumë arsye dhe ato mund të bëhen fare mirë faktorë në rritjen ekonomike të vendit. Ata u referohen studimeve që tregojnë se gratë kanë më shumë aftësi për të identifikuar mangësitë që ka në treg dhe për ta shfrytëzuar këtë mundësi më shumë sesa meshkujt.
Sipas drejtuesve të Bankës Intesa Sanpaolo, rreth 36% e klientëve në total janë femra, ato i përdorin më shumë produktet bankare sesa meshkujt, duke qenë rreth 8% më shumë aktiv. Këto, por edhe të tjera janë tregues që sistemi bankar duhet të ketë një orientim më të madh kundrejt femrave në biznes.
Programi i mbështetjes së grave në biznes parashikon kredi për kapital qarkullues. Kjo është një kredi afatshkurtër, e cila shumën maksimale e ka në rreth 50,000 euro (barasvlera në lekë), ku pjesëmarrja e bankës është deri në 100% dhe ka një afat deri në 36 muaj.
Për shuma deri në 15,000 euro, kredia mund të ofrohet pa kolateral, ndërsa dokumentet variojnë sipas segmentit ku biznesi kategorizohet. Aprovimi i kredisë bëhet brenda pesë ditësh.
Ekspertët bankarë thonë se gratë shqiptare e kanë të vështirë aksesin ndaj financimeve, për shkak të mentalitetit, i cili i shikon me mosbesim.
Këshillimi, i nevojshëm për të menaxhuar financat
BERZH mbështet zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri me një hua prej 2 milionë eurosh për Bankën Intesa Sanpaolo Albania. Kjo hua jepet në kuadrin e programit prej 20 milionë eurosh të BERZH për “Gratë në biznes” në Ballkanin Perëndimor, për kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë në Shqipëri.
Financimi do të plotësohet nga asistenca teknike për institucionet financiare partnere dhe shërbime këshillimore të dedikuara për NVM që drejtohen nga gra.
Përmes programit të këshillimit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ndihmon gratë që të përmirësojnë aftësitë e tyre. E shprehur në shifra, mund të thuhet se falë këtyre proceseve, rreth 83% e bizneseve që drejtohen nga gratë rrisin qarkullimin e tyre me një mesatare prej 28% dhe përmirësojnë produktin me rreth 16%; 57% e bizneseve të krijuara prej tyre hapin vende pune shpesh më shumë për gratë, duke rritur numrin e punonjësve me rreth 14%; 14% e bizneseve po të drejtuara nga gratë sigurojnë financim nga jashtë për të mbështetur rritjen e tyre.
Bizneset, qofshin ato të vogla apo të mesme, që u përkasin fushave, mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e këtij programi. Natyrisht ka disa kritere që duhen respektuar. Banka punon me kompani që operojnë në treg për të paktën dy vjet, që janë në pronësi shqiptare në aksione mazhoritare (+51%). Por, ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se ekipi i BERZH punon bashkë me kompaninë, identifikon nevojat dhe prioritetet e saj dhe më pas arrihet një marrëveshje për objektivat që do të përmbushen përmes programit të konsulencës. Çdo projekt këshillimi përshtatet me fushën dhe me tipin e kompanisë dhe mesatarja e kohëzgjatjes është 3-4 muaj. Në këtë mënyrë, arrihet që të bëhen ndërhyrje të shpejta dhe me rezultate konkrete dhe në kohën më të shkurtër të mundshme. Programi ofron edhe për kompani më të mëdha (mbi 50 punëtorë) mbështetje me këshilltarë të huaj. Edhe në këtë rast, stafi kontakton një numër të madh kompanish që i konsideron të përshtatshme për mbështetje, i identifikon, punon me to për të përcaktuar objektivat strategjikë, plane për investime dhe mbi bazën e sektorit ofrohet mbështetja nëpërmjet ekspertizës së huaj. Në këtë rast, programi i këshillimit mund të zgjasë më tepër në kohë, rreth një vit apo një vit e gjysmë. Gjatë kësaj kohe, këshilltari i huaj gjendet pranë kompanisë në periudha të ndryshme, sipas programit të përcaktuar qartë dhe objektivave.
Përveç mbështetjes për përmirësimin e aktivitetit të kompanisë, ne ndihmojmë që ajo të bëhet sa më e kreditueshme nga sistemi bankar, qoftë me financim direkt, qoftë me linjat që ka BERZH me bankat lokale apo me institucionet e mikrokredisë në mënyrë që ato të rriten edhe përmes financimit.
Këshillimi i biznesit në Shqipëri
- Aktivë që nga viti 1996 me më shumë se 400 projekte
- Rrjeti i konsulentëve: 160 konsulentë vendas si dhe 1500 këshilltarë ndërkombëtarë
- Në tre vitet e fundit, kompanitë përfituese arritën të krijojnë 450 vende të reja pune
- Fokusim në dhënien e praktikave më të mira ndërkombëtare për të arritur rezultate të prekshme
- 29% e klientëve kanë përfituar financim të jashtëm
- 5.2 milionë euro, kontribut nga donatorët
- 2.1 milionë euro, kontributi i klientëve
- 75%, rritja mesatare e xhiros
- 21%, rritja mesatare e produktivitetit
- 14%, rritja mesatare e punësimit