Bashkimet familjare në Itali, ndryshojnë procedurat
- Eksperti i Sigurimeve Shoqërore, Naim Balluku sqaron rregullat që duhet të ndiqen për të përfituar bashkimin familjar në shtetin fqinj. Kategoritë që aplikojnë dhe të ardhurat që nevojiten sipas numrit të familjarëve
Naim Balluku
Nisur nga numri i madh i emigrantëve shqiptarë në Itali, gjinitë dhe moshat e tyre, lind si nevojë e përhershme, bashkimi familjar me të afërmit që jetojnë në Shqipëri, me bashkëshortët, fëmijët dhe prindërit. Kjo është një praktikë e ndjekur në vite, e cila dëshmohet nga fakti se 53 për qind i emigrantëve shqiptarë kanë emigruar për arsye familjare. Sipas INSTAT-it marrja e shtetësisë italiane ka sjellë zvogëlimin e popullsisë së huaj rezidente në Itali. Po të marrim parasysh rastin e shqiptarëve, më 31 dhjetor 2015, numri i qytetarëve shqiptarë rezidentë në Itali ka rënë në 467 687 ose 4,6 për qind më pak se një vit më parë, dhe arsyeja kryesore e kësaj rënieje është fakti që një numër i konsiderueshëm emigrantësh, po marrin shtetësinë italiane. Sigurisht, këtu ka ndikuar edhe rënia e ardhjeve të reja nga Shqipëria si rezultat i krizës ekonomike në këtë vend. Nga viti 1990, rënia e numrit të shqiptarëve rezidentë në Itali (në masë shumë më të vogël se kjo e fundit), u vërejt për të parën herë vitin e shkuar, kur u kalua nga 502 546 më 31 dhjetor 2013, në 498 419 më 31 dhjetor 2014. Vetëm në vitin 2015 kanë marrë shtetësinë italiane rreth 36 mijë emigrantë shqiptarë, ndërsa në 2014 ky numër ishte 21 mijë emigrantë.
Procedurat
Bazuar në legjislacionin italian, qytetari i huaj i cili ka një leje qëndrimi afatgjatë ose një leje qëndrimi për të paktën një vit në BE, për punë si i punësuar, ose i vetëpunësuar, studim, azil politik, për arsye fetare, për arsye familjare ose mbrojtje plotësuese, mund të aplikojë për bashkim me anëtarët e familjes që jetojnë jashtë vendit (bashkëshorti, fëmijët e mitur, të rritur me invaliditet të plotë, dhe prindërit në ngarkim që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës, ose të cilat kanë një moshë mbi se 65 vjeç e fëmijët nuk mund të sigurojnë me mirëmbajtjen e tyre). Kërkesa paraqitet online nëpërmjet portalit të Ministrisë së Brendshme. Është e domosdoshme që i interesuari të regjistrohet në rubrikën e rezervuar ku duhet të përpilojë e të nisë online formularin “Kërkesë autorizimi për Bashkim Familjar” (Richiesta di Nulla Osta per Ricongiungimento Familiare), për të krijuar mundësinë për lëshimin e vizave hyrëse për këtë qëllim, për anëtarët e familjes nga ana e Konsullatës Italiane kompetente. Në formular shënohen para së gjithash të dhënat personale dhe ato të familjarëve që kërkohet të çohen në Itali. Më pas duhet specifikuar puna dhe të ardhurat e kërkuesit, po të jetë nevoja, me ato të familjarëve të tjerë për të dëshmuar që ai është në gjendje të mbajë ekonomikisht ata që dëshiron të sjellë në Itali. Ky është vetëm hapi i parë. Më pas, i interesuari do të thirret në sportelin Unik për Imigracionin të provincës së rezidencës për të paraqitur dokumentacionin origjinal (për shembull mbi punën e të ardhurat). Pasi lëshohet kërkesa e autorizimit për bashkimin, familjari mund të fillojë procedura në konsullatën përkatëse për të marrë vizën e hyrjes për të shkuar në Itali. Për të përfituar bashkimin familjar, është e nevojshme për të demonstruar vlefshmërinë e strehimit dhe të ardhura vjetore, që variojnë sipas numrin e anëtarëve të familjes. Në fillim të janarit, si çdo vit, është miratuar rivlerësimi i pagesës sociale për 2016-n, duke e çuar atë në 5.824,91 euro në vit që është minimum jetik për vitin 2016. Për hartimin dhe dorëzimin e kërkesës elektronike për bashkim familjar, është krijuar mundësia për të kërkuar asistencë dhe ndihmë pranë zyrave të Patronatit Inas (ndihma dhe asistenca ofrohet pa asnjë pagesë ), i cili ka zyra në çdo zonë të Italisë, si dhe në Shqipëri, ku në çdo kohë do të jetë i gatshëm për të asistuar dhe ndihmuar për procedurat që ndiqen. Me leje qëndrimi për motive familjare është i lejuar punësimi, sipas të gjitha formave, si i punësuar apo i vetëpunësuar. Duhet pasur parasysh se fëmijët e vegjël deri në 14 vjeç të emigrantëve, që banojnë ligjërisht dhe që jetojnë me prindërit e tyre, duhet të jenë të regjistruar në lejen e qëndrimit. Pas 14 vitesh, fëmijës do t’i lëshohet një leje qëndrimi për motive familjare (ose leje qëndrimi BE). Për çdo kategori, për të cilat kërkohet bashkim familjar, janë miratuar dhe ndiqen procedura të përcaktuara, për aplikim.
Kategoritë që aplikojnë
Sipas legjislacionit të ri italian, mund të aplikojnë për bashkim familjar 5 kategori. Së pari, mund të aplikojë bashkëshorti, jo i ndarë ligjërisht dhe që nuk është nën moshën 18-vjeçare. Së dyti mund të aplikojnë fëmijët e mitur, të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar, në kushtet që prindi tjetër, ka dhënë pëlqimin e tij. Një tjetër kategori janë edhe fëmijët në moshë madhore në ngarkim, në qoftë se për arsye objektive nuk mund të sigurojnë nevojat e tyre thelbësore të jetës për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, (përfshihet invaliditeti i plotë). Po ashtu, e drejta e për të aplikuar shkon edhe për prindërit në ngarkim, në qoftë se ata nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës apo prejardhjes, si dhe për prindërit mbi 65 vjeç, nëse fëmijët e tjerë nuk janë në gjendje për të mbështetur ata, për arsye shëndetësore serioze të dokumentuara. Përgatiti: N.Gj
Të ardhurat
Ja disa shembuj kufijsh minimalë vjetorë të ardhurash për bashkimet familjare të këtij viti:
Bashkim me 1 familjar: 8.737,36 euro
Bashkim me 2 familjarë: 11.649,82 euro
Bashkim me 3 familjarë: 14.562,27 euro
Bashkim me 4 familjarë: 17.474,73 euro
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç: 11.649,82 euro
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.562,27 euro
Bashkim me 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.474,73 euro
Dokumentet që kërkohen sipas kategorive
1. Për aplikim për bashkim familjar me një bashkëshort të një qytetari shqiptar me rezidencë të ligjshme në Itali duhet certifikatë martese, e lëshuar jo më parë se 3 muaj dhe fotokopje e lejes së qëndrimit të shtetasit shqiptar rezident ne Itali.
2. Për bashkim familjar të prindit me fëmijë minorenë, duhet që prindërit qytetarë shqiptarë ligjërisht rezidentë në Itali të paraqesin dokumentet si më poshtë; a) certifikatën e lindjes së fëmijë me fotot, b) certifikatë familjare, c) fotokopje e lejes së qëndrimit të prindërve (në qoftë se vetëm njëri prind është rezident në Itali, prindi tjetër rezident në Shqipëri duhet të paraqesë pëlqimin me shkrim dhe e nënshkruar nga një noter shqiptar, e përkthyer në gjuhën italiane, me përkthim të mbikëqyrur nga ana e noterit ; firma e noterit duhet të legalizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare. Në rastin e prindërve të divorcuar, përveç aktit të pëlqimit, duhet të paraqitet dhe një certifikatë e shkurorëzimit. Nëse një prind është i vdekur, kërkohet certifikata e vdekjes së prindit.
3. Për kërkesat për bashkim familjar me fëmijë të rritur në ngarkim, të cilët janë në kushtet e paaftësisë totale shëndetësore kërkohet certifikatë mjekësore lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës, certifikata e lindjes së fëmijës me foto dhe certifikata e gjendjes familjare.
4. Për aplikimet për bashkim familjar të kërkuar nga fëmijët rezidentë në Itali me prindërit e tyre dorëzohet për aplikimin;a) certifikata e lindjes së fëmijës, b) certifikata e “trungut” të familjes, nga e cila evidentohen të gjithë fëmijët e prindërve që aplikojnë për bashkim familjar që jetojnë; c) fotokopja e lejes së qëndrimit të të gjithë fëmijëve që jetojnë jashtë vendit (në rastin e një fëmijë ose më shumë fëmijë, që janë rezidentë në një shtet tjetër, dokumenti në fjalë duhet të jetë i përkthyer dhe legalizuar nga një përfaqësi konsullore në këtë vend), d) certifikatë eventuale e pronësisë së shtëpisë; e) certifikatë eventuale e pronësisë së pasurive të patundshme dhe çdo kontratë banimi për të njëjtën shtëpi; f) certifikatë e pronësisë së parcelave të tokës agrare dhe deklarimin se sa vlen në terma monetare kjo tokë në një vit; g) certifikatë pensioni, h) çdo certifikatë e punësimit dhe licenca të mundshme për veprimtari private.
5. Për aplikimet për bashkim familjar për prindër mbi gjashtëdhjetë e pesë vjeç, nëse fëmijët e tjerë nuk janë në gjendje për t’i mbështetur ata për motive të rënda shëndetësore të dokumentuara nevojiten këto dokumente; a) certifikata e lindjes së fëmijës që kërkon ribashkimin; b) certifikata e “trungut” të familjes, nga e cila evidentohen të gjithë fëmijët e prindërve që aplikojnë për bashkim familjar që jetojnë; c) fotokopja e lejes së qëndrimit të të gjithë fëmijëve që jetojnë jashtë vendit dhe certifikata mjekësore, e lëshuar nga mjeku i besuar i Ambasadës, duke deklaruar se fëmijët që jetojnë në Shqipëri si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore të dokumentuar pamundëson jetesën e tyre. Vlen për t’u theksuar se, aktualisht kërkohen edhe dokumentacionet nga bankat, që vërtetojnë transfertat në cash, në favor të prindit me të cilin kërkohet bashkimi familjar.
Afatet, 3 muaj kohë për konfirmimin
Me ndryshimet e fundit në legjislacion duhet shënuar se cila konsullatë italiane në vendin e origjinës duhet të lëshojë vizën e hyrjes familjarit dhe të lihen kontaktet të vlefshme për të marrë lajme lidhur me bashkimin familjar. Sporteli Unik që merr kërkesën, fillimisht merr vlerësimin e kuesturës që kontrollon mos ekzistojnë motive penguese për ardhjen e familjarit në territorin italian dhe pasi merr vlerësim pozitiv, thërret personin që ka paraqitur kërkesën për dorëzimin e dokumenteve mbi strehimin e të ardhurat dhe për lëshimin e autorizimit. Pasi merret autorizimi nga Sporteli Unik, familjari në vendlindje shkon në konsullatën italiane për të kërkuar vizën e hyrjes dhe aty paraqet dokumentet mbi lidhjen e gjakut ose atë martesore me personin që jeton në Itali. Nga paraqitja e kërkesës deri në lëshimin e autorizimit apo hedhjen poshtë të kërkesës, sipas ligjit kalojnë deri në 180 ditë. Konsullata italiane në vendlindje ka vetëm 30 ditë kohë për të lëshuar apo mohuar vizën e hyrjes. Nëse Sporteli Unik apo Konsullata kërkojnë aktualizimin e praktikës, afati rifillon nga e para, nga dita e dorëzimit të dokumentacionit përkatës. Nëse Sporteli Unik nuk përgjigjet brenda afatit 180 ditësh, aplikuesi ka të drejtë të paraqesë ankesë me të cilën t’i kërkojë zyrës të marrë një vendim; të lëshojë autorizimin apo ta hedhë poshtë atë. Aktualisht, aplikuesi për bashkim familjar mundet vetëm të nxisë zyrën të marrë vendim e në rastet më urgjente, aplikuesi mund të bëjë ankesë për mospërmbushje të detyrës.