Albspirit

Media/News/Publishing

Bullgaria dënohet me gjysmë miliardi gjobë arbitrazhi për centralin bërthamor

Një gjykatë arbitrazhi urdhëroi Bulgarinë të kompensojë kompaninë e teknologjisë atomike ruse me mbi gjysmë miliardi euro dëme për projektin e zvarritur për një central të ri bërthamor në Bullgari.

Autor: Victor Kotsev BIRN Sofie

NUCLEAR POWER, WIKIPEDIAGjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit urdhëroi Bullgarinë të paguajë më shumë se gjysmë miliardi euro kompensim për kompaninë ruse të teknologjisë bërthamore Atomstroyexport, deklaroi të enjten ministrja e energjisë së Bullgarisë Temenuzhka Petkova për gazetarët.

Mbetet e paqartë se sa është shuma e saktë e gjobës, pasi Petkova tha se ajo qe 550 milionë euro ndërsa media ruse raportoi se bëhet fjalë për 620 milionë euro – afërsisht sa gjysma e shumës prej 1.2 miliardësh të kërkuar nga pala ruse.

Arbitrazhi akordoi dëmshpërblimin për koston e pajisjeve për ndërtimin e një centrali bërthamor për prodhimin e energjisë elektrike në qytezën Belene në Bullgari, një projekt që ka mbetur i ndërtuar përgjysmë që nga koha e rënies së komunizmit në vitin 1990.

Një qeveri e mëparshme u përpoq të rinisë projektin në vitin 2006 por kostot e larta financiare dhe vështirësia në sigurimin e kredive pas krizës financiare botërore, krahas parashikimeve për konsum më të ulët në rajonin e Ballkanit, bënë që projekti të lihet mënjanë sërish në vitin 2012.

Projekti në formatin e vet më të fundit përfshin ndërtimin e reaktorëve me fuqi të instaluar prej 1 mijë megavatësh dhe që duhet të ndërtohen me standardet më të larta të sigurisë por që bazohen në dizenjot origjinale të epokës sovjetike. Këto do të duhet të zëvendësojnë gjashtë reaktorë që vjetëruar të ndërtuar në centralin Kozlodui aty pranë, – katër nga të cilat janë fikur në mes të viteve 2000 si pasojë e shqetësimeve për sigurinë.

Centrali bërthamor është një nga tre projektet e mëdha ruso-bullgare në fushën e energjisë, të cilat janë anuluar gjatë viteve të fundit. Dy projektet e tjera janë gazsjellësi Rryma e Jugut dhe naftësjellësi Burgas – Aleksandropoulos.

Projekti i centralit në Belene mbetet një çështje shumë emocionale për bullgarët, të cilët e shohin teknologjinë bërthamore njëkohësisht si burim krenarie kombëtare dhe pavarësie energjetike.

Në një referendum të zhvilliar në vitin 2013, 60 për qind e votuesve mbështetën ndërtimin e centralit por rezultatet u konsideruan të pavlefshme për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime.

Gjoba e vënë nga gjykata me bazë në Paris përbën rreth 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Bullgarisë, një shumë e rëndë kjo për një nga vendet më të varfra anëtare të BE-së.

Megjithëse ekspertët thonë se në fund, taksapaguesit janë ata që do ta shlyejnë faturën – për shkak se Kompania Energjetike Kombëtare, NEC, e cila qe pala në gjyq, prej vitesh është në vështirësi të mëdha financiare dhe në pamundësi për ta paguar gjobën – kryeministri Borisov u shpreh i lehtësuar për “objektivitetin” e vendimit të arbitrazhit dhe sugjeroi se diskutime të mëtejshme me palën ruse do të kryhen.

“Vendimi do të thotë se CEX dhe Atomstroyexport do të duhet të ulen sëbashku dhe të vendosin – nëse do të vijojnë ndërtimin [e reaktorit për të cilin Bullgaria duhet të paguajë] apo do ta shesin këtë te një palë e tretë,” tha Borisov.

Në të shkuarën ai pati sugjeruar se në centralin ekzistues të Kozlodui mund të ndërtohet një reaktor i ri me pajisjet e centralit të papërfunduar të Belenes.

“Ne do të duhet të konsultojmë Komisionin Europian si dhe partitë e tjera politike të cilat kanë lidhje më të mira me Rusinë se sa ne, dhe që mund të ndihmojnë për të gjetur një zgjidhje,” tha Borisov.

Please follow and like us: