Albspirit

Media/News/Publishing

Dita që bashkoi Demokratët dhe riktheu përçarjen mes Republikanëve

Ruben Avxhiu

Vetëm pak ditë më parë, demokratët i ishin hedhur në fyt njëri-tjetrit, për debatin e pazhvilluar në California, ndërsa Donald Trump rreshtonte njëri-pas-tjetrit, emra të njohur Republikanësh që e pranonin më në fund si kandidat për president.
Dita e djeshme duket sikur papritur e ka përmbysur situatën.
Gjithshka filloi në Shtëpinë e Bardhë, kur Presidenti Barack Obama, pasi u takua kokë më kokë me Bernie Sanders, deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Hillary Clinton.
Ndonëse mendohej se Presidenti preferonte gjithësesi më shumë ish-Sekretaren e tij të Shtetit dhe se kishte dhënë shenja të tërthorta për këtë, publikisht ai kishte refuzuar të prononcohej hapur duke vlerësuar rëndësinë e neutralitetit të një presidenti në fuqi.
Dje, ai theu heshtjen duke e përshkruar Hillary Clinton, “si njeriun më të kualifikuar që kam parë ndonjëherë për detyrën e presidentes”.
Pas tij, ishte zëvendës-presidenti Joe Biden, i cili deri para pak muajsh mendohej si një kandidat i mundshëm presidencial dhe që në deklarata të tërthorta dukej se kishte mbështetur Senatorin Sanders.
Në mbrëmje, Senatorja Elisabeth Warren, një ikonë e krahut radikal të Partisë Demokrate, që mendohej si partnerja më natyrale e Bernie Sanders, deklaroi mbështetjen e saj për Hillary Clinton, duke zhgënjyer thellësisht përkrahësit e Senatorit. Sot, në mëngjez, ajo ishte për vizitë te Hillary Clinton dhe hipotezat se për çfarë është diskutuar nuk kanë të sosur.

US Democratic presidential nominee Senator Barack Obama (D-IL) and Senator Hillary Clinton (D-NY) wave at a campaign rally in Orlando, Florida, October 20, 2008.  REUTERS/Jim Young

Përballë, kësaj lëvizje masive drejt bashkimit të Demokratëve, Republikanët duket sikur por zhbëjnë arritjet e mëhershme. Senatori Marco Rubio që dukej se kishte bërë paqe me Donald Trump deklaroi se ai përsëri nuk ka besim që t’ia lërë butonat e armëve bërthamore një njeriu si ai. Rubio gjithashtu ka sqaruar se vërtet pranoi që të shkojë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane, por fjalimi i tij do të jetë në mbështetje të partisë dhe jo të kandidatit.
Një numër ligjvënës dhe zyrtarësh të lartë Republikanë ende mbajnë mëri që kandidati iu referua si “meksikan” gjykatësit që po merret me dosjen e Univrersitetit Trump.
Të tjerë kanë protestuar dje, kur Trump iu referua edhe njëherë Senatores Warren si Pokahontas. Senatorja ka deklaruar se ka një stërgjyshërit e saj ka qenë indian i Amerikës. Trump e akuzon se kjo është një shpikje e saj për të përfituar në jetë nga avantazhet për pakicat dhe e thërret me tallje me emrin e një personazhi letrar.
Senatori Tom Cole, një Republikan nga Oklahoma që është edhe vetë indian i Amerikës si dhe Senatori John McCain e ka kritikuar këtë lloj komunikimi si racist dhe fyes.
Kryetari i Shumicës Republikane në Senat, Mitch McConnell shkoi aq larg sa tha që mbështetja e tij për Donald Trump si kandidat për deputet mund të anullohet.
Kryetari i Shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, dy ditë mbas mbështetjes së vonuar për kandidaturën e Donald Trump, e quajti tipik racist, komentin e kandidatit për gjykatësin e lartpërmendur.
Kurse, Senatorja Republikane Susanne Collins, nga Maine, ka thënë se nuk e përjashton që të votojë për Hillary Clinton.
Donald Trump mund të fitojë edhe pa ndihmën e këtyre figurave republikane në Kongres, por do të jetë shumë e vështirë për të që të qeverisë pa ndihmën e tyre. Çdo ligj, çdo reformë dhe çdo buxhet do të kërkojë një bashkëpunim me Kongresin. Nëse nuk do të ketë paqe me partinë e tij, Trump do të ishte një nga presidentët më të izoluar në histori.
Mbi të gjitha, ai ka nevojë të sheshojë mosmarrëveshjet me ta të paktën deri në kurorëzimin zyrtar në Kuvendin Kombëtar. Thashetheme për një revoltë përjashtuese mes Republikanëve kanë filluar të vërtiten përsëri. Në fund të fundit, për momentin, ata nuk po i kërkojnë asgjë më shumë kandidatit kapriçioz se sa që të mbajë gojën lidhur me epitetet që hedh lart e poshtë për kundërshtarët politikë.

Republican U.S. presidential candidate Donald Trump jokes about how difficult he says it is for him to listen to Democratic candidate Hillary Clinton's voice, as he holds a rally with supporters in Fresno, California, U.S. May 27, 2016.  REUTERS/Jonathan Ernst

Please follow and like us: