Egjipt: Dënime për ish-presidentin Morsi dhe gazetarët
Një gjykatë në Egjipt sot e ka dënuar ish-presidentin, Muhammad Morsi, me 25 vjet burg lidhur me akuza për spiunim, ndërsa 6 vetë të tjerë, përfshirë dy gazetarë të kompanisë, Al-Jazeera, janë dënuar me vdekje. Gjykata e ka liruar zotin Morsi lidhur me shumicën e akuzave se i ka dhënë Katarit dokumente sekrete, por e ka dënuar për udhëheqje të organizatës së jashtëligjshme, tha avokati i tij, Abdel Moneim Abdel Maksud. Morsi, po ashtu, është dënuar për vjedhje të “dokumenteve sekrete lidhur me sigurinë shtetërore” dhe i është dhënë dënim shtesë prej 15 vjetësh burg. I konsideruar si presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike, Muhammad Morsi ishte përmbysur gjatë grushtshtetit ushtarak në vitin 2013, një vit pasi u zgjodh president. Katari ishte mbështetësi kryesor i lëvizjes së tij, Vëllazëria Myslimane, derisa ai ishte president. Kjo parti u shpall ilegale, pas përmbysjes së Morsit. Të punësuarit e Al-Jazeerës janë identifikuar si gazetarët, Alaa Omar Muhammad dhe Ibrahim Muhammad Hilal. Ata janë dënuar në mungesë, së bashku me gazetaren, Asmaa al-Khatib, që kishte punuar për rrjetin medial, Rassd, që ishte e ndërlidhur me Vëllazërinë Myslimane të ish-presidentit, Muhammad Morsi. Këto vendime pritet të apelohen, ndërsa vendimet për dënim me vdekje duhet të miratohen nga kryemyftiu i Egjiptit.