Mediat e Bolinos: Roli i Kokëdhimës në PS, i dyshimtë
Mediat e Bolinos: Roli i Kokëdhimës në PS, i dyshimtë. Deputetja Mira Shehu mund të votojë kundër reformës në drejtësi
Carlo Bolino dhe Koço Kokëdhima nuk janë më ortakë prej disa kohësh. Ata kishin ngritur bashkë televizionin A1 Report, por për motive që nuk janë bërë publike janë ndarë. Që prej ndarjes mediat e Bolinos, Report Tv dhe Shqiptarja.com nuk lënë rast pa ngritur kritika ndaj ish -deputetit të PS apo pa hedhur dyshime mbi qëndrimet e tij. Kronika më e fundit te Report Tv flet për festimin e 25 -vjetorit të themelimit të PS -së së Vlorës. Në të tregohet se si Kokëdhima nuk u lejua të fliste në radhën e deputetëve, duke qenë se ai e ka humbur mandatin. Thuhet gjithashtu se “ish -deputeti e sulmoi egër Partinë Socialiste, drejtuesit e saj në Tiranë, për apatinë e tyre në mbrojtjen e çështjes së mandatit të tij”. Mediat e Bolinos përmendin edhe faktin që Kokëdhima deklaroi dy ditë më parë që reforma në drejtësi duhet të marrë konsensusin e PD, duke nënvizuar se segmente të PS kanë ngritur dyshime për rolin e tij dhe se ai mund të ndikojë që një deputete të votojë kundër reformës. “Janë jo të paktë zërat brenda selisë rozë që vënë në pikëpyetje votën e deputetes Mira Shehu, e cila, që prej heqjes së mandatit të Kokëdhimës nuk ka marrë pjesë në asnjë seancë të Kuvendit”, shkruan Shqiptarja.com. Dhe ky fakt, për gazetën e Bolinos, është një shantazh që i drejtohet Edi Ramës. “Duket se shantazhi i Kokëdhimës drejtohet ndaj Edi Ramës, të cilit, jo çdo votë në PS, por çdo votë në Kuvend, i duhet për të kaluar reformën në drejtësi”, thuhet në shkrim. Në të njëjtën frymë është edhe kronika e Report Tv, të cilën mund ta ndiqni në videon e mëposhtme. /Lapsi.al