Putin, dakord me propozimin amerikan për opozitën në Siri
Presidenti rus Vladimir Putin thotë se është dakord me një propozim amerikan për të përfshirë përfaqësues të opozitës në qeverinë e Sirisë, por nuk mbështeti idenë se presidenti sirian Bashar al-Assad duhet të largohet pa humbur kohë nga pushteti.
Gjatë një interviste me gazetarin e CNN-it Fareed Zakaria në Forumin Ekonomik të Shën Peterburgut, zoti Putin tha se e vetmja mënyrë për të vendosur demokracinë në Siri është përmes një kushtetute të re dhe zgjedhje për të gjitha nivelet e qeverisë, bazuar mbi këtë kushtetutë.
Putin ju shmang pyetjes së gazetarit lidhur me thënien e Assadit për të rimarrë kontrollin e çdo centimetri të territorit sirian, por shtoi se negociatat duhet të zhvillohen me përfshirjen e të gjitha palëve, edhe të amerikanëve, të cilëve ai ju referua si “partnerët tanë”.
Administrata e Presidentit Barack Obama ka thënë se Assad duhet të largohet pa humbur kohë, por zoti Putin tha se ky është “një synim i paarritshëm”, duke shtuar se nuk është mënyra që duhet ndjekur për të ndryshuar situatën në Siri.
Zoti Putin po ashtu komentoi lidhur me zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ai do të bashkëpunonte me cilindo kandidat që zgjedhin votuesit amerikanë, por ritheksoi deklaratën e tij të mëparshme se kandidati republikan Donald Trump është një person shumë i zgjuar. Ai tha se e vlerësonte premtimin e zotit Trump për rikthimin e marrëdhënieve plotësisht miqësore me Rusinë dhe se ai do ta mirëpriste këtë ndryshim.
Zoti Putin ju shmang një komenti të dretjtpëdrejtë lidhur me kandidaten demokrate Hillary Clinton, duke thënë se nuk kishte patur shumë raste të punonte drejtpëdrejt me të.