Albspirit

Media/News/Publishing

Referendumi britanik, Cameron: S’ka kthim pas, të tregojmë çfarë vendi duam të jemi

Referendumi britanik, Cameron: S’ka kthim pas, të tregojmë çfarë vendi duam të jemi

Britania e Madhe përballet me një “zgjedhje ekzistenciale” në referendumin e 23 qershorit, prej të cilit nuk do të ketë kthim mbrapa bën të ditur kryeministri David Cameron. Kreu i ekzekutivit britanik tha se do të ishte një gabim i madh zgjedhja e alternativës së largimit nga BE-ja në votimin e së enjtes, pasi vendi do të zhytej në një dekadë paqartësish dhe pasigurie me efekte të mëdha negative.

Ndryshe nga kryeministri, Michael Gove deklaroi për “Sunday Telegraph” se Britania do të bëhej një “pishtar me progresivitet” me largimin e Bashkimit Europian. Aktivistët që bëjnë thirrje për daljen nga BE-ja u kanë bërë thirrje njerëzve të “votojnë për demokracinë”.

Por “demokracia” në këndvështrimin e Cameron do të përmbushet me votimin e alternativës për qëndrim, pasi kjo përfaqëson edhe atë për të cilën luftoi deputetja laburiste, Jo Cox, e cila u vra të enjten gjatë një mitingu elektoral në West Yorkshire.

Në po të njëjtin tabloid, “Sunday Telegraph”, Cameron, i cili bën thirrje për qëndrimin në BE, tha se zonja Cox “mishëronte më të mirën e Britanisë, një vend të denjë dhe të mëshirshëm”.

Referendumi “i pakthyeshëm” përbën një “moment kthese” për Britaninë e Madhe, si dhe do t’i japë një përgjigje pyetjes se “çfarë lloj vendi duam ne që të jemi”, tha kryeministri.

“A do të zgjedhim ne vizionin e Nigel Farage, vizion që e çon Britaninë mbrapa, më shumë përçan sesa bashkon, si dhe vë në pikëpyetje motivet e cilitdo që ka pikëpamje të ndryshme? Apo do të zgjedhim më mirë të jemi një vend tolerant dhe i lirë, një vend që nuk ua vë fajin të tjerëve për problemet e saj, një vend që nuk ligështohet për të kaluarën por vendos të shohë përpara me shpresë, optimizëm dhe besim? Besoj se përgjigjja e referendumit do të përcaktojë se çfarë lloj vendi do të jemi ne për një kohë të gjatë përpara”, shkruan Cameron.

Sa i përket ekonomisë, kryeministri i vendit ishullor tha se “ajo tashmë është në ekuilibër”, ndërsa tregtia dhe investimet do të pësojnë goditje në rast se votohet për largimin nga BE-ja. Vendi madje mund të futet në një “recesion të mundshëm”, që do ta bënte Britaninë “përherë të varfër”.

“Do të futeshim në një periudhë pasigurie dhe paqartësish, ndoshta për një dekadë, derisa gjërat të mund të zgjidheshin për mirë. Çmime më të larta, paga më të ulëta, më pak vende punësimi, më pak mundësi për të rinjtë. E si mund të votojmë me vetëdije për këtë alternativë? Unë do iu thoja të gjithëve: mos rrezikoni ta provoni!”, shkruan më tej Cameron.

Largimi i vendit nga BE-ja do të përbënte edhe atë që kryeministri e quan si “njëherë e përgjithmonë zhvlerësim i staturës së Britanisë në botë, gjë që e cilëson si poshtërim të mjerë dhe të vetimponuar”.

Ndërkohë, duke shkruar në tabloidin tjetër “Sunday Express”, Cameron shtoi se i mirëkupton shqetësimet mbi emigracionin, por tha se largimi nga BE nuk përbën mënyrën e duhur për t’u përballur me këtë çështje.

Please follow and like us: