Demarkacioni, “mollë sherri” me Malin e Zi
Marrëveshja e gushtit të vitit të kaluar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për Demarkacionin e kufirit, nga përplasjet e brendshme politike që nxiti në Kosovë, rrezikon të shtrihet edhe në lëkundjen e raporteve mes Prishtinës dhe Podgoricës.
Tri partitë opozitare vazhdojnë ta konsiderojnë këtë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, e cila, sipas tyre, i humb vendit më shumë se 8 mijë hektarë tokë.
Në këtë frymë, një grup i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë kësaj jave, vendosi një tabelë me mbishkrimin “Republika e Kosovës – Mirësevini”, dhe në ballë të saj edhe flamurin shqiptar, në vendin ku ky subjekt politik beson se ekziston kufiri mes dyja vendeve.
Por, më pas, policia malaziase hoqi këto simbole nga vendi ku ishin vendosur.
Kurse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane e Malit të Zi i dërgoi edhe një notë Prishtinës, si shenjë proteste për shkak të këtij veprimi të deputetëve të Vetëvendosjes.
Në notën e protestës, Podgorica i “tërheqë vërejtjen Prishtinës” që në të ardhmen të ndalojë aktivitete të tilla, sepse me to po sfidojnë, siç thuhet, marrëveshjen e arritur për përkufizimin e vijës kufitare, të nënshkruar në Vjenë më 2015.
Përderisa Podgorica e kishte marrë tejet seriozisht veprimin e opozitës kosovare, qeveria e Kosovës reagoi vetëm pasi që kishte marrë reagimin zyrtar nga Mali i Zi.
Edhe atëherë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës vlerësoi se reagimi i Malit të Zi, “ka qenë i ngutshëm dhe pa ndonjë arsye serioze për tu shqetësuar sa i përket raporteve tona të ndërsjella”.
Imun ndaj reagimeve nuk ka qëndruar as kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në një postim në profilin e tij në Facebook, ai i kishte tërhequr vërejtjen se kufiri nuk mund të caktohet me kutinë e patriotëve dhe tradhtarëve.
“Qytetarët tanë dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvend duhet ta dinë qartë se Demarkacioni është një obligim yni para bashkësisë ndërkombëtare, obligim edhe për liberalizim të vizave. Nuk është çmim për liberalizim, sepse askush nuk e ka argumentuar asnjë metër te territorit të Kosovës se po jepet për viza”, ishte shprehur Mustafa.
Tutje ai kishte rikujtuar se nëse nuk bëhet Demarkacioni, Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza.
“Ndërkaq ekziston, po ashtu, rreziku që Kosova të futet në një cikël ku individët mund të shkaktojnë incidente kufitare me një vend mik, anëtar të NATO-s”, ka shkruar kryeministri i Kosovës.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje beson se ka vendosur tabelën e shtetit të Kosovës në pikën ku duhet të jetë kufiri me Malin e Zi.
“Historia jonë kombëtare njeh disa raste kur politikanë të caktuar, për interesa personale, u kanë shitur shteteve fqinje pjesë të territorit tonë. Përkundër përpjekjes së Hashim Thaçit dhe qeverisë së Isa Mustafës për t’ia shitur Malit të Zi edhe mbi 8000 hektarë të Kosovës, ne nuk do të lejojmë që kjo histori të na përsëritet”, thuhet në qëndrimin e Vetëvendosjes.
Kurse kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se versioni aktual i marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi do të luftohet me çdo kusht nga subjekti që përfaqëson.
“Ai kufi nuk do të jetë asnjëherë i pranueshëm për qytetarët e vendit. Këtë bën mirë ta dijë Isa Mustafa dhe miqtë e tij Hashim Thaçi e Kadri Veseli”, ka shkruar Ymeri.
Sipas tri partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, pika kufitare me Malin e Zi, për qytetarët e Republikës së Kosovës, është në Kullën e Zhlepit dhe tek Maja e Çakorrit.
Marrëveshja aktuale që kanë arritur vitin e kaluar me autoritetet e Malit të Zi ish-ministri i Jashtëm, tani presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri aktual, Isa Mustafa, nuk bazohet në këto pika për të cilat po flet opozita, por edhe disa deputetë nga radhët e partive në pushtet.
Pas mobilizimit politik në Kuvend për të krijuar një “front të deputetëve” për t’i pamundësuar qeverisë të merr përkrahjen prej dy të tretave të deputetëve për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi për Demarkacionin, tani opozita synon që të bisedojë edhe me banorët lokal të zonës kufitare.
Partitë opozitare thonë se janë ftuar banorët e anës së Rugovës për të vizituar zonën kufitare me Malin e Zi.
Në një deklaratë me shkrim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës u bëhet thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të mos votojnë për marrëveshjen aktuale me Malin e Zi për Demarkacionin, pavarësisht presionve politike.
“Nuk ruhen raportet me askënd duke e dëmtuar veten”, thuhet në këtë deklaratë të AAK-së.
“Populli i Kosovës ju ka dhënë besimin për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e Republikës, andaj me të drejtë ju jeni zëri i tyre, prandaj mos e sakatoni Kosovën për të ruajtur një Komision Qeveritar që po e tkurr territorin e vendit”, potencohet në këtë qëndrim të kësaj partie opozitare.
Sido që të jetë, mbetet të shihet se çfarë vendimi do të ndërmarrë ditëve në vijim qeveria e Kosovës. Ajo ende nuk e ka proceduar në Kuvend për shqyrtim dhe ratifikim marrëveshjen me Malin e Zi për Demarkacionin.
Ditë më parë, ishin edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që propozuan nisma të reja dhe rishqyrtimin e Demarkacionit aktual, duke ngritur dyshime të ngjashme me opozitën.
Por, më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi drejtoi një mesazh politik, të ngjashëm me atë të kryeministrit, duke thënë se kjo çështje do të mbyllet shumë shpejt me ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend. (REL)