Itali, hiqet taksa 57-vjeçare e tatimin mbi peshën për kamionët nga Shqipëria
Dhoma e deputetëve në Itali hoqi taksën e veçantë për kamionët shqiptarë që hynin në territorin italian. Kohë më parë ligji ishte miratuar nga Senati italian.
Me votimin e fundit u shfuqizua dispozita e vitit 1959, e cila detyronte çdo kamion shqiptar të paguante përkatësisht 6 euro për çdo ton ngarkesë, në distancat deri në 100 kilometra, dhe 9.3 euro për çdo ton ngarkesë, në distancat mbi 100 kilometra.
Përveç kësaj, mjetet shqiptare paguanin një tjetër taksë për qarkullim. Tarifa për 120 ditë ishte rreth 150-180 euro për kamionët e mëdhenj dhe 70-80 euro për kamionët deri në 8 tonë. Ky detyrim fiskal rëndonte minimalisht 500 euro në vit për çdo kamion shqiptar, duke i vënë në kushte të pabarabarta me subjektet e vendeve fqinje, që nuk e paguanin një taksë të tillë.
Në rrethanat e këtij diskriminimi, tregtarët shqiptarë përdorin kamionë të vendeve fqinje si Maqedonia dhe Mali i Zi për të realizuar transportin e mallrave. Bisedimet me Italinë kanë zgjatur për vite me radhë nga disa qeveri, por vetëm tani problemi mori zgjidhje.
Përfitues të drejtpërdrejtë janë së paku 800 subjekte me rreth 2.500 kamionë. Ligji pritet të hyjë në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare të Republikës së Italisë.