Albspirit

Media/News/Publishing

Kryeprokurorja amerikane për hetimet rreth emailit të Hillary Clinton


lynch

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, tha sot se do të pranojë rekomandimet e zyrtarëve të karrierës të Departamentit të Drejtësisë që po shqyrtojnë përdorimin nga zonja Clinton të një server emaili privat, gjatë periudhës që ajo ishte Sekretare e Shtetit.

Zyrtarët e FBI-së pritet ta përfundojnë hetimin e tyre së shpejti. Ekspertë ligjorë janë shprehur se nuk pritet ngritje akuzash penale për kandidaten demokrate për president.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch, ka autoritetin të modifikojë akuzat që mund të ngrihen ndaj zonjës Clinton. Të tilla mosmarrëveshje ndërmjet FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë kanë ndodhur edhe më parë.

Por, një lëvizje e tillë tashmë do të ishte e debatueshme, në veçanti pasi u mësua për një takim të zhvilluar ndërmjet zonjës Lynch dhe ish-presidentit Bill Clinton.

Zonja Lynch tha se takimi 30-minutësh në pistën e aeroportit në Phoenix u përqëndrua më tepër në biseda shoqërore dhe se nuk bisedoi me Bill Clinton rreth çështjes së emailit.

Sipas disa ligjvënësve republikanë, ky takim mund të ketë kompromentuar hetimin, për të cilin janë shprehur vazhdimisht se nuk po menaxhohet me paanshmëri. Takimi është konsideruar i papërshtatshëm edhe nga disa ligjvënës demokratë.

Donald Trump, kundërshtari i ardhshëm politik i zonjës Clinton, tha se ishte i shtangur nga ky “takim tinzar” dhe se nuk kishte parë kurrë më parë diçka të ngjashme.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u treguan të kujdesshëm kur u pyetën dje për këtë çështje. Zëdhënësi Earnest tha se Presidenti Obama kërkon të mos ketë ndërhyrje politike në këtë hetim, por edhe lavdëroi zonjën Lynch për përgjigjet e saj.

Nga kampi i fushatës së zonjës Clinton nuk është komentuar për këtë çështje.

Please follow and like us: