Një Rakip më pak në Kuvend
Gjykata Kushtetuese ka regjistruar kërkesën e Kuvendit për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Rakip Suli. Në ndryshim nga rasti i Valentina Leskajt, kur Kushtetuesja nuk e pranoi kërkesën e Kuvendit, e kundërta ka ndodhur me rastin e Sulit, i cili me shumë mundësi do të jetë deputeti i radhës që do të humbasë mandatin për shkak të përfitimit të fondeve nga paratë publike, shkruan “Sot”.
Në fakt, kërkesa e Kuvendit për mandatin e Rakip Sulit u dërgua rreth katër muaj më parë, por Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin për regjistrimin e kërkesës në datën 14 korrik, ditë kur do të merret edhe vendimi për të. Ndërkohë, pak javë më parë Kushtetuesja nuk pranoi të regjistrojë rastin e nënkryetares së Parlamentit, Valentina Leskaj, edhe kjo e akuzuar për favorizime të familjarëve të saj në tendera publike, duke argumentuar se nuk është në kompetencat e saj. Dhe nëse Leskaj në një farë mënyre ja “hodhi” nuk duket që e njëjta gjë do të ndodhë me Sulin, i cili me shumë mundësi pritet të jetë deputetit i radhës nga radhët e mazhorancës që mund të humbasë mandatin për shkak të përfitimeve në kundërshtim me ligjin.
Kujtojmë se pak kohë më parë ishte deputetit tjetër i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, i cili e humbi mandatin për shkak të përfitimit të parave nga fondet publike. Mandati i Sulit në Kushtetuese u kundërshtua ashpër nga Partia Socialiste në Parlament pavarësisht insistimeve të opozitës. Për të zgjidhur ngërçin Rakip Suli, ashtu si edhe Valentina Leskaj bënë kërkesë që mandati i tyre t’i dërgohej për interpretim Gjykatës Kushtetuese për të vendosur nëse ka papajtueshmëri ose jo. Për Leskajn gjykata nuk e mori në shqyrtim çështjen, ndërsa për Sulin tashmë e ka regjistruar kërkesën dhe vendimin do ta marrë në datën 14 korrik. Deputeti i qarkut të Dibrës, Rakip Suli, është akuzuar vazhdimisht nga Partia Demokratike se ka shkelur ligjin për konfliktin e interesit, duke përfituar fonde publike nga OSHE. Për këtë arsye opozita vendosi t’i kërkojë Kuvendit përfundimin e mandatit të Rakip Sulit. Sipas opozitës deputeti i qarkut të Dibrës ka përfituar nga kontratat e paligjshme të qirasë 180 milionë lekë, dhe për këtë arsye mandati i tij duhet të përfundojë.