Albspirit

Media/News/Publishing

Prokurori shqiptaro-amerikan Junçaj: Me punë e sakrificë gjithçka mundet

xhon juncaj john juncaj

Në kremtimin e Ditës së Pavarësisë të Shteteve të Bashkuara u paraqit me emocione prokurori shqiptaro-amerikan Xhon Junçaj me një shqipe po aq të mirë sa të ambasadorit Donald Lu në tregimin e historive të prindërve të tyre emigrantë

Denion Ndrenika

Xhon Junçaj tregoi historinë e prindërve shqiptarë, për të garantuar se me punë e sakrificë në vendin e lirisë dhe demokracisë, gjithçka mundet.

Prokuror shqiptaro-amerikan Xhon Junçaj i veshur me kostum kombëtar shqiptar foli me emocion në kremtimin e përvjetorit të 240-të të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Prokurori shqiptaro-amerikan Xhon Junçaj iu përgjigj vetë pyetjes që shtroi në festën e pavarësisë së një vendi të madh se “si e masim madhështinë e një vendi”:

“Babai dhe nëna im si shqiptarë do t’u thoshin se në një vend te madh, me shumë punë dhe sakrificë, një mekanik dhe e shoqja pastruese, të dy me prejardhje shqiptare mund t’i rrisin dhe t’u japin shkollë 4 fëmijëve. Në një vend të madh mund t’i rrisin ata fëmijë, me vlerat tradicionale shqiptare “bukë e krypë dhe zemër të bardhë”.

Xhon Junçaj është pjesë e ekipit hartues të projektit të Reformës në Drejtësi të misionit ligjor amerikan në Shqipëri, OPDAT.

Ai shtoi se në një vend të madh “mund të festojnë jo vetëm domethënien e 4 Korrikut, por edhe 28 Nëntorin”:

“Do t’i thoshim se në një vend të madh, djali i prindërve emigrantë mund të bëhet prokuror, që përpara gjykatave të huaja të deklarojë me krenari: Unë jam Xhon Junçaj dhe përfaqësoj popullin e Shteteve të Bashkuara te Amerikës”.

Mbrëmjen e së enjtes prokurori Junçaj nuk u përqendrua te madhësia e vendit të pavarur nga 4 Korriku 1776, por te mundësia për barazi dhe amaneti i të dëshmorëve.

“Heronjtë e Pavarësisë nuk nderohen me fishekzjarre që ndriçojnë qiellin dhe që janë kalimtaë. Jo! Si amerikan, jam krenar të them se heronjtë e Pavarësisë nderohen kur mbahet premtimi i tyre, për mundësi të barabartë për çdo qytetar, që kjo të bëhet edhe në të ardhmen”.

Ambasadori Donald Lu tregoi historinë e babait të tij nga Kina që udhëtoi në vitin 1960 për 28 ditë me anije përmes Paqësorit drejt Shteteve të Bashkuara me dy mijë dollarë në xhep dhe nisi studimet inxhinierike në Universitetin e Oklahomas.

donald lu

“Në vend që t’i përdorte paratë për të blerë gjëra praktike si ushqim, veshje dhe libra, ai e përdori pjesën më të madhe për të blerë një BMW të përdorur. Gjatë ditës studionte inxhinieri dhe gjatë natës punonte si barist. Kur i mbaruan paratë shkoi në Los Angelos, ku gjeti punë në një kompani inxhinierike. Kompania sponsorizoi që ai të merrte “Green Card”. Ai kurseu mjaftueshëm parà për të sjellë vëllezërit, motrën dhe nënën e tij në SHBA”-tha zoti Lu.

Pasi kujtoi se e kishte humbur babanë këtë vit, ambasadori Lu kujtoi se ai kishte patur “një karrierë të gjatë si inxhinier”, se “nuk ishte kurrë i pasur”, por dhe se “ia ofroi fëmijëve të tij mundësinë që ai vetë nuk i kishte pasur kurrë”: Ai pati një jetë me aventura dhe ishte krenar që ishte amerikan”.

Përveç kryeministrit Edi Rama, i cili po viziton zyrtarisht Turqinë, të pranishëm ishin zyrtarë të lartë, ndonëse duke qëndruar ndarazi sipas anësive partiake.

Please follow and like us: