Prokuroria lëshon 5 urdhër-arrestet e para për super-grabitjen në aeroportin e Rinasit
Prokuroria për Krimet e Rënda është duke u marrë intensivisht me hetimet për grabitjen e ndodhur gjatë ditës së djeshme në aeroportin e Rinasit.
Burime nga organi i Akuzës thonë për Express se janë lëshuar 5 urdhër arreste që prekin drejtpërdrejtë funksionarë të aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Burimet nuk saktësojnë emrat e personave, por thonë se mes tyre janë punonjës edhe të firmës së kontraktuar për sigurinë në aeroport, ICTS-Albania.
Dyshimet e organit të akuzës janë që këta persona të kenë bashkëpunuar me tre grabitësit të cilët mundën të futeshin deri në pistën e aeroportit duke grabitur rreth 1 milionë euro. Ata dyshohet të kenë dhënë informacione për transportimin e parave të një banke të nivelit të dytë, me avion jashtë Shqipërisë.
Kjo grabitje vuri në pikëpyetje të madhe sigurinë në aeroport, në një kohë kur masat ishin të shtuara edhe nga Policia e Shtetit për shkak të sulmit terrorist që tronditi Stambollin.
Please follow and like us: