Albspirit

Media/News/Publishing

Janinë, arrestohen 4 doganierë shqiptarë me mallra të vjedhura, mes tyre ish-drejtori i doganës

Katër doganierë shqiptarë u arrestuan nga policia greke në Kalpaq të Janinës gjatë një operacioni për shkatërrimin e një bande hajdutësh që operonte në Greqi. Të arrestuarit janë pjesë e organizatës kriminale, siç e cilësojnë mediat greke, të cilët mundësonin hyrjen në Shqipëri të mallrave të vjedhura në Greqi. Mësohet se banda kryente vjedhje të ndryshme në shtetin fqinj dhe më pas doganierët shqiptarë të arrestuar influenconin duke bërë të mundur kalimin e këtyre kamionëve me mallra të vjedhura pa problem në vendin tonë.
Autoritetet greke thonë se katër të arrestuarve iu gjet një kamion i ngarkuar me sende të vjedhura, të cilat ishin grabitur në Athinë prej anëtarëve të tjerë të bandës.
Në kamionin që ata u arrestuan u gjetën sende elektrike të vjedhura, një traktor si dhe një motor skafi.
Dy anëtarë të tjerë të bandës mundën të largohen dhe janë shpallur në kërkim.
Burime nga Policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se ndër 4 doganierët shqiptarë të arrestuar nga policia greke, njëri prej tyre është Mirel Deshiku, ish-drejtor i Doganës së Kakavijes, i cili qëndroi në këtë post për disa muaj kohët e fundit.
Please follow and like us: