Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani dekorohet nga Forumi Crans Montana me Çmimin e Fondacionit për 2016

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u dekorua nga Forumi Crans Montana në një ceremoni të veçantë me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016. Ky çmim i lartë i këtij Forumi është akorduar liderëve të ndryshëm evropianë dhe botërorë, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për angazhimin publik në promovimi e vlerave demokratike dhe një botë më të mirë.
Presidenti i Nderit i Forumit të Crans Montanas dhe themelues i Forumit, Ambasadori Jean-Paul Carteron i dorëzoi Çmimin Presidentit Nishani duke vlerësuar progresin e madh të kryer nga Shqipëria për kalimin nga diktatura në demokraci, anëtarësimin në NATO, si dhe afrimin gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Ambasadori Carteron vlerësoi kontributin personal të Presidentit Nishani në këtë drejtim.
Presidenti Nishani në fjalën e tij të falënderimit u shpreh ndër të tjera se, ky çmim është një vlerësim i madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkatdhetarët e mi, kudo që ndodhen dhe se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët aktualisht po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes nga Bashkimi Evroian.
“Jam i sigurt që falë edhe kontributit të Forumit të Crans Montanas, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin në rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane”, u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.
Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 27-të vjetor të Forumit të Crans Montanas, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi takime të shkurtra edhe me shtetarë, politikanë e përfaqësues të botës së biznesit që merrnin pjesë në këtë forum.
Fjala e plotë e falënderimit të Presidentit të Republikës, pas marrjes së Çmimit të Fondacionit 2016 nga Forumi i Crans Montanas

“I nderuar Ambasador Carteron,
Të nderuar drejtues të Forumit Crans Montana,
Zonja dhe zotërinj!
Faleminderit shumë për këtë Çmim që më akordoni sot, të cilin e konsideroj si një vlerësim shumë të lartë që më bëhet mua si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe si një vlerësim të madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkëqytetarët e mi, kudo që janë.
Ishte nder dhe kënaqësi shumë e madhe pjesëmarrja në këtë edicion të Forumit të Crans Montanas këtu në Vjenë, duke kontribuar në mënyrë modeste për zhvillimet e ndryshme evropiane dhe ato në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Nuk e di se sa realisht e meritoj këtë çmim, me të cilin janë nderuar shumë liderë të ndryshëm evropiane dhe botërorë, por di të them se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët në këto momente po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes së Bashkimit Evropian.
Jam i sigurt që, falë edhe kontributit të Forumit Crans Montana, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin me rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane.
Zonja e zotërinj!
Si President i Republikës së Shqipërisë, por edhe si politikan dhe qytetar shqiptar kam vlerësuar gjithmonë dhe jam mirënjohës për kontributin e dhënë nga Forumi Crans Montana dhe Ambasadori Carteron, si President Themelues i këtij Forumi të nderuar, në promovimin e zhvillimeve pozitive në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Me iniciativë të Ambasadorit Carteron, Forumi Crans Montana ka organizuar në Tiranë një sërë aktivitetesh, dedikuar tërësisht burimeve dhe potencialeve natyrore dhe njerëzore të Shqipërisë, duke e vendosur atë në vëmendjen e personaliteteve të shquara politike dhe ekonomike evropiane e botërore.
Këto forume e aktivitete kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një imazhi të drejtë e pozitiv për vendin tim dhe shqiptarët në përgjithësi, por edhe për progresin tërësor të vendit dhe integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane.
Ambasador Carteron!
Edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për këtë çmim të lartë, për të cilin ndihem sa i nderuar, aq edhe i emocionuar e i privilegjuar.
Gjithashtu, dëshiroj t’i garantoj drejtuesit e Forumit të Crans Montanas për mbështetjen time të vazhdueshme, si dhe t’i uroj suksese të mëtejshme në aktivitetet e ardhshme!
Faleminderit!”.

Please follow and like us: