Albspirit

Media/News/Publishing

Normalizimi me Izraelin dhe Rusinë: Komponentët kryesorë

Kjo javë njohu dy iniciativa historike diplomatike, që do të zhvillojnë marrëdhëniet e Turqisë edhe me Izraelin, edhe me Rusinë dhe koha do të tregojë se të dyja marrëveshjet do të kenë një efekt pozitiv në rajon.

 

turkiye-israil-mutabakatinin-perde-arkasi-8004087_x_8324_o.jpg

Këtë javë Turqia hodhi dy hapa të rëndësishëm për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin dhe Rusinë. Ky zhvillim i madh do të ketë përfundime të rëndësishme për politikën e jashtme të Turqisë dhe paqen e stabilitetin rajonal. Zhvillimi në fjalë bart me vete një potencial për të ndihmuar në zgjidhjen e dy problemeve të tejzgjatura, ai i Palestinës dhe Sirisë, si dhe në luftën që vazhdon kundër terrorizmit të DAESH dhe PKK.

Pas një procesi të gjatë negociatash, të shtrira në një periudhë gati gjashtëvjeçare, zyrtarët turq dhe izraelitë më 29 qershor 2016 nënshkruan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Izraelit. Për Turqinë, marrëveshja plotëson kushtin e dytë dhe të tretë të saj; pra, pagimin e shpërblimit për familjet e aktivistëve që u vranë gjatë sulmit të Izraelit ndaj anijes “Mavi Marmara” dhe heqjen e bllokadës në Gaza. Pasi kushti i parë, ai i kërkimit të falur kishte ndodhur më herët. Kryeministri Benjamin Netanyahu i kishte kërkuar të falur Presidentit Rexhep Tajip Erdoan gjatë një bisede telefonike që kishte bërë në vitin 2013 në prani të Presidentit së SHBA Barack Obama.

Marrëveshja e Normalizimit hap një kapitull të ri në dy fusha të rëndësishme që kanë një peshë gjigande gjeopolitike: marrëdhëniet turko-izraelite dhe situata në Gaza. Të dyja palët kanë rënë dakord për të filluar procesin lidhur me dërgimin e ambasadorëve dhe rifunksionimin e marrëdhënieve ekonomike dhe turistike. Pra, ne do të dëshmojmë një aktivitete të reja në marrëdhëniet dypalëshe.

Por po aq e rëndësishme është se bazuar në këtë marrëveshje Turqia do të dërgojë ndihma humanitare dhe civile (ushqime, materiale mjekësore etj.) dhe situata e re që do të mund të krijohet në Gaza si rrjedhim i kësaj. Në fakt, anija e parë me ndihma që u dërgohen për Fitër Bajramin banorëve të Gazës në emër të popullit turk është nisur me kohë drejt portit Ashdod.

Përveç kësaj, pala izraelite si pjesë e marrëveshjes së firmosur ka dhënë garanci për të përmirësuar kushtet e jetesës në Gaza dhe Turqia këtë e shikon si një mundësi të madhe. Kjo do të fillojë duke rritur sasinë e energjisë elektrike dhe ujit që i jepet në ditë popullit të Gazës. Mungesa e energjisë elektrike dhe ujit është një problem i madh në Rripin e Gazës, pasi ndikon tek çdo gjë duke filluar që nga shëndeti e deri tek bujqësia. Një ekip i ekspertëve teknikë do të udhëtojë për në Gaza për të studiuar infrastrukturën ekzistuese të ujit dhe të energjisë elektrike dhe puna në këtë drejtim do të fillojë së shpejti. Përveç kësaj Turqia do të përfundojë projektet që ka nisur, duke përfshirë spitalin e Gazës dhe banesat sociale për ata që u janë shkatërruar shtëpitë gjatë sulmit të fundit në Gazë.

Shpresohet se rezultatet konkrete të marrëveshjes së re turko-izraelite populli i Gazës do ti shohë në jetën e tij të përditshme. Turqia është e gatshme për ta bërë këtë dhe zyrtarët izraelitë do ta kuptojnë rëndësinë e kësaj.

Ndërsa nga ana politike, Turqia do të vazhdojë të mbështesë të drejtat e popullit palestinez për të pasur një shtet të pavarur dhe dhënien fund pushtimit (izraelit), i cili është burimi i vetëm dhe më shkatërrues i luftës, konfliktit dhe vuajtjeve. Turqia do të vazhdojë të ketë marrëdhënie me të gjitha grupet palestineze dhe të ndihmojë të gjithë palestinezët në Bregun Perëndimor dhe Gazë. Me normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, Turqia do të ketë një shans më të madh për të kontribuar në procesin e paqes dhe për të parandaluar tensionet e panevojshme dhe humbjet e jetëve. Kjo vlen edhe për gjendjen tejet kritike dhe të ndjeshme në xhaminë Al-Aksa dhe rrethinat e saj në Jerusalem.

Kurse lajmi i dytë i madh i kësaj jave ishte procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Rusinë. Ky zhvillim erdhi si një surprizë për shumë njerëz, por punimet për të kapërcyer krizën që nga rrëzimi i avionit rus në nëntor 2015 kishin muaj që vazhdonin. U zhvillua një diplomaci efektive prapa dyerve dhe Presidenti Erdoan i dërgoi një letër homologut të tij rus Vladimir Putin, ku i shprehu keqardhjen dhe pendimin për vrasjen e pilotit rus. Të dy liderët hodhën një hap të guximshëm për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kryesore të rajonit.

Pas rrëzimit të avionit luftarak rus, Turqia përvetësoi një qasje konstruktive dhe pajtimi. Dhe kjo qasje e Turqisë gjeti përgjigje në lëvizjen e shpejtë reciproke që bëri Presidenti Putin për të hequr të gjitha sanksionet ekonomike dhe turistike kundër Turqisë. Ky lajm i mirë është pritur me gëzim nga komuniteti i biznesit dhe qytetarëve të zakonshëm në të dyja anët.

Përveç ekonomisë, një rezultat tjetër me rëndësi kyçe i kapitullit të ri që ka nisur në marrëdhëniet turko-ruse do të jetë ai në lidhje me të ardhmen e luftës në Siri dhe luftën kundër terrorizmit. Në bisedën e tyre telefonike që realizuan më 29 qershor, Presidentët Erdoan dhe Putin ranë dakord për të punuar në të dyja çështjet dhe për të udhëzuar ekipet e tyre të ndjekin çështjen. Ky është një zhvillim i rëndësishëm dhe do të ketë pasoja të mëdha mbi situatën e përkeqësuar në Siri, ku armëpushimi nuk është vendosur ende dhe regjimi refuzon të bisedojë në lidhje me tranzicionin politik – dy elemente kryesore këto të procesit të bisedimeve të Vjenës dhe Gjenevës, procese të udhëhequra nga OKB-ja.

Tashmë dihet se cili është pozicioni i Turqisë në lidhje me luftën në Siri dhe të ardhmen e Beshar Esadit. Një përpjekje e përtërirë midis Turqisë dhe Rusisë do të ketë potencialin për të marrë nën kontroll situatën në Siri. Kjo gjithashtu do ta ndihmojë Turqinë të luftojë në mënyrë më efikase kundër terrorizmit të DAESH-it, që i vjen asaj nga tokat siriane.

Nuk është një rastësi që sulmi terrorist në Aeroportin Ndërkombëtar “Ataturk” në Stamboll ndodhi një ditë pas deklarimit të arritjes së marrëveshjeve me Izraelin dhe Rusinë. DAESH sigurisht që është kundër të dyja këtyre marrëveshjeve dhe e shikon Turqinë si një objektiv strategjik. Por Turqia do të vazhdojë të marrë masa të forta kundër kësaj organizate terroriste dhe të koordinojë përpjekjet e saj me ShBA, dhe tani edhe me Rusinë, dhe ndoshta edhe me Izraelin.

Lëvizja e Turqisë për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin dhe Rusinë është bërë në kohën e duhurduke u bazuar në parimet e interesave dhe respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë rajonale.

Duke pasur parasysh situatën traumatike në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën, një lëvizje e tillë, e cila do të na krijojë mundësi për të marrë frymë lirisht, ishte patjetër e nevojshme për të trajtuar një numër çështjesh urgjente dhe  trysni-ushtruese.

 

Autor:Ibrahim Kalin – Ambasador dhe zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë

Please follow and like us: