“Nuk duam ta ballkanizojmë BE-në”
Që prej vitesh, në Bosnjë dhe Hercegovinë ka një statuskuo ekonomike dhe politike. Për këtë janë përgjegjës para së gjithash përfaqësuesit politikë të boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në vend, thotë Michael Brandt.
Deputeti gjerman i Bundestagut, Michael Brandt (CDU) thotë se klasa politike boshnjake duhet të ofrojë më në fund rezultate dhe jo vetëm të zotohet se do t’i kryejë detyrat e shtëpisë. BE, por edhe Gjermania janë lodhur me premtimet që nuk zbatohen të Bosnjës. Edhe më e rëndësishme bëhet kjo përballë sfidave në temat e sigurisë, refugjatëve dhe Brexit, i tha Brandt në një intervistë DW. Në drejtësi, në shtetin juridik dhe në reformën administrative nuk ka përparime. Dhe kjo shihet në kryeqytetet evropiane.
Politologu Brandt tha se marrëveshja e Dejtonit në funksionon nuk është e përshtatshme për ta vënë në rrugë të mbarë Bosnjën. Por problemi është se klasa politike në Bosnjë dhe Hercegovinë jeton shumë mirë me bllokada. Një sërë politikanësh në Bosnjë dhe Hercegovinë jetojnë me sa duket shumë mirë me faktin që shteti nuk funksionon. Çmimin për këtë e paguajnë qytetarët. Brandt tha në Bosnjë dhe Hercegovinë kemi të bëjmë me një shtet partiak, ku edhe portieri në një spital duhet të jetë anëtar partie, për t’u marrë në punë. Por në situatën aktuale politikanët duhet ta kuptojnë se shanset për vendin nuk po shtohen.
Njëkohësisht Michael Brandt thotë se BE dhe Gjermania kanë detyrim moral përballë Bosnjë dhe Hercegovinës dhe një interes vetjak për stabilitet. Gjermania dhe BE duhet të ushtrojë më shumë presion, thotë ai, sepse elitat politike në Bosnjw arrijnë të bien dakord gjithmonë kur diskutohet a do ta marrin shumën tjetër të parave nga BE. Por edhe qytetarët në Bosnjë duhet ta shtojnë presionin. Politikanët boshnjakë nuk duhet të harrojnë se Bosnja nuk është kërthizë e botës, kujtoi Brandt dhe lojërat e tyre duhet të marrin fund.
Përsa i përket efektit të Brexit te zgjerimi i BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brandt shprehu bindjen se Ballkani Perëndimor dhe Bosnjë e Hercegovina kanë nevojë edhe më tej për një perspektivë në drejtim të BE. Por një gjë është e qartë, tha Michael Brandt: me integrimin e Ballkanit Perëndimor ne duam të forcohemi, jo ta ballkanizojmë BE.