Prokuroria: Mjekët fajtorë për vdekjen e vajzës 1 vjeçare
Gjykata vendosi masën ndaluese “pezullim nga detyra” për tre mjekë të Spitalit Pediatrik, të dyshuar për veprën penale të ‘mjekimit të pakujdesshëm’. Vendimi u mor tre muaj pas vdekjes së vogëlushes 1-vjeçare në spitalin e Elbasanit,
Prokuroria kërkoi masën e “pezullimit nga detyra”, për tre mjekët Doreida Shuku, Edmont Laho dhe Fadil Brazhda, masë që u pranua nga gjykata e Elbasanit.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore, në bazë të të cilës rezultoi se e mitura ka humbur jetën për shkak të pakujdesisë së mjekëve, të cilët nuk kanë kryer procedurën standarte të mjekimit, në bazë të të cilës mund të ishte shpëtuar jeta e fëmijës.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore, e mitura ka humbur jetën për shkak të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes nga një copë arre. Ky fakt nuk është kuptuar nga mjekët pediatër. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, mjeket e Spitalit Pediatrik Elbasan, nëse do të kishin ndjekur protokollet standarte, duhet të kishin pasur mundësinë që të konstatonin shqetësimin shëndetësor të fëmijës dhe jeta e saj mund të ishte shpëtuar me anën e ndërhyrjes së nevojshme kirurgjikale.
Në bazë të rezultateve të ekspertizës, Prokuroria e Elbasanit ka krijuar dyshimet e arsyeshme se tre mjekë të Spitalit Pediatrik kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm”.