Rrëfimi rrëqethës i dëshmitarit të ngjarjes: Ja si u vra katërvjeçari Almiri
Në shtëpinë e shëndetit të Kumanovës, ka filluar gjithçka në mënyrë shumë banale. Një radhë e pritjes e lëshuar dhe një grindje verbale për shkak të saj, kanë shpier deri në shuarjen e një jete, atë të katërvjeçarit Almir Aliu.
Disa metra larg këtij spitali, pikërisht në lokacionin që mund ta shihni në videon më poshtë, ka ndodhur edhe momenti më tragjik.
Në këtë rrugë, Iliç me makinën e tij, ka sulmuar me qëllim Almir Aliun dhe prindërit e tij.
Prindërit e Almirit të vogël, arritën t’i mbijetojnë kësaj goditjeje, por fuqia e Almirit, nuk mjaftoi për t’i bërë ballë plagëve që i morri nga kjo goditje.
Dëshmitarët thonë se gjithçka ndodhi me paramendim, dhe rrëfejnë tmerrin që kanë përjetuar pas rastit të ndodhur.
Ndërsa në videon më poshtë, mund të shihni edhe shtëpinë në të cilën Almiri i vogël i kaloi vetëm ato 4 vite jetë që i jetoi.
Në këtë shtëpi mbizotëronte tmerri, mërzia dhe një heshtje e pathyeshme mes lotëve.
Familjarët po e përgatisnin Almirin për në banesën e tij të fundit, ndërkaq po mbështeteshin nga familjarët e tjerë, për ta përballuar dhimbjen. Të shokuar, familjarët kanë mbetur pa fjalë.
Gjithçka që dëshirojnë ata për momentin, është që Zoti ta shpërblejë me parajsë Almirin e vogël.
Ndërkaq, aktivisti Faton Memedi, tha se kjo ngjarje është vazhdimësi e fatit të zi që e ka mbuluar Kumanovën që nga 9 maji I vitit të kaluar, ai akuzon mungesën e shtetit ligjor, si një ndër arsyet që lejohen të ndodhin gjëra të tilla.
Qytetarët rrëfejnë se ky nuk është rasti i vetëm i këtij lloji. Ata thonë se Kumanova është krejtësisht e pa mbrojtur dhe se politikanët nuk i kryejnë obligimet e tyre.
Gjykata Themelore e Kumanovës i ka caktuar 30 ditë paraburgim maqedonasit Bojan Iliç nga Kumanova, i cili të shtunën në mbrëmje sulmoi me makinë familjen Aliu, duke lënë të lënduar rëndë fëmijën e tyre 4 vjeçar. Sulmuesi i dyshuar ngarkohet për veprën penale “vrasje në tentim”. /shenja.tv/