Spitali Amerikan lë në karrocë Teutën
Një tjetër skandal është regjistruar nga Spitali Amerikan. Bëhet fjalë për një rrëfim tronditës të një pacienteje e cila ka përfunduar në karrocë pas trajtimit mjekësor nga ky spital privat.
Bëhet fjalë për Teuta Gashin e cila ka treguar në detaje se si e përjetoj tmerrin para dy muajsh kur ishte në pushime në Kosovë ku edhe pësoj një aksident duke renë nga 5 metra lartësi dhe si nuk u morr askush me të në Qendrën Emergjente të QKUK-së për ta imponuar që të shkoj në Spitalin Amerikan. Në këtë rrëfim ekskluziv ajo tregon kush e dërgoj në Spitalin Amerikan dhe papërgjegjësinë totale të mjekëve të këtij spitali. Thotë se janë tmerruar mjekët zviceran kur e kanë parë se si është trajtuar nga mjekët e këtij spitali. Ajo tregon se si mjekët i bënin presion ta operonte kem e majtë derisa ajo e kishte të lënduar këmbën e djathtë.
Pleurat Sejdiu i rekomandon të largohet nga QKUK dhe të shkojë në Spitalin Amerikan
Teuta Gashi ka treguar në redaksinë e portalit INFOKUSI se në muajin prill të këtij viti, teksa ishte në pushime në Kosovë, kishte rënë nga ballkoni i shtëpisë që ishte në lartësi mbi 5 metra. Si pasoj e kësaj ajo e ka thyer këmbën e djathtë, ku menjëherë familjarët e saj e kishin dërguar në emergjencë në QKUK për ta kuruar. Mirëpo nga këtu jeta e Teutës ka bërë një kthesë të trishtë!
“Në QKUK përjetova tmerrin me të madh sesa kur u rrezova nga kati i parë i shtëpisë”, kështu e nis rrëfimin e saj Teuta Gashi, duke treguar me pas se kush e udhëzoi për në Spitalin Amerikan nga i cili doli në karroce, dhe sot, dy muaj më pas po vazhdon të jetë e shtrirë në një spital në Zvicër.
“Menjëherë si kam shkuar në emergjencë ma kanë fotografuar këmbën. Jam shtrirë në një sallë dhe 3 orë e gjysmë kam qëndruar aty. Mjekët vinin në dhomë dhe e kërkonin rëntgenin e CT-së, fotografimin e këmbës që ma bënë aty, (nuk e di si i thonë saktë). Ma kërkonin mua dhe unë as që e dija se çka po ndodhte. Më pas e kuptova se atë fotografim e kishte humbur dikush. Ma vendosën këmbën në gips. Dhe ashtu qëndrova disa orë në emergjencë pa u marrë askush me mua. Me dhimbje të tmerrshme sa mezi qëndroja pa bërtitur me sa zë qe kisha”, thotë Teuta Gashi.
Pas disa orësh, ajo tregon se si mjeku qe ishte aty edhe kur ju vendos gipsi ju afrua si shpëtimtari dhe i rekomandoi ku duhet të shkonte sepse siç i kishte thënë ai në emergjencë nuk mund të gjente shërim.
Ai ishte doktor, Pleurat Sejdiu. Rekomandim i tij ishte të shkonte në Spitalin Amerikan dhe e vërteta e tërë kësaj qëndron pas faktit se Pleurat Sejdiu është drejtor në këtë spital, gjë që nuk i kishte treguar pacientes.
“Unë kisha dhimbje të mëdha dhe asnjë mjek nuk merrej me mua. Pas disa ore erdhi Pleurat Sejdiu. Nuk foli shumë vetëm me tha se duhet të shkosh diku tjetër se je shumë keq dhe këtu nuk ka asgjë. Menjëherë e pyeta ku mund të shkoj dhe ai me tha tek Spitali Amerikan. Unë i thash po dhe ai menjëherë e thirri doktor, Florim Ramadanin dhe i tha po ta dërgoj një paciente. Pas pak erdhi vetura e ndihmës se shpejtë e Spitalit Amerikan dhe me morën me dërguan atje”, tregon Teuta.
Portali INFOKUSI e ka kontaktuar Spitalin Amerikan, por sipas tyre pacientja ka shkuar aty me vetë dëshirë. “Referuar rastit qe ju keni cekur, behet fjalë për pacienten Teuta Gashi e cila është pranuar në urgjencën e Spitalit Amerikan në datë 26.04.2016, për shkak të lëndimeve të marra si pasoje e rënies nga lartësia rreth 4m. Pacientja nuk ka pas humbje te vetëdijes dhe nuk ka pas te vjella. Pacientja ka ardhur më vetë dëshire nga QKUK në Emergjencën e Spitalit Amerikan, për këtë mund të drejtoheni në QKUK dhe të merrni fletë lëshimin e pacientes”, shkruan në përgjigjet qe i ka kthyer nga Spitali Amerikan, Redian Mjeshtri.
Dr. Florim Ramadani: Jepni morfium
Në Spitalin Amerikan, Teuta Gashi tregon se dy ore pasi u pranua aty e kishte kontrolluar doktor Florim Ramadani.
“Rreth 2 orë pasi kam shkuar në Spitalin Amerikan, ka ardhur në dhomën ku isha unë dr. Florim Ramadani dhe i ka thënë motrave medicinale jepjani një morfium për dhimbje dhe pas 5 minutash ka ikur nga aty. Motrat sipas urdhrit të tij e kryen punën. Ata pak minuta sa ishte aty i thash doktorit që familjarët e mi dhe mjeku në Zvicër po kërkojnë të flas me ju. Me tha jepja numrin tim, unë i thash ja ku jam duke folur, merre telefonin të lutem dhe bisedo me ta sepse kjo është procedure më e shpejte. Ata po kërkojnë ta din saktësisht çka kam dhe të vinë të më marrin. Ai tha që menjëherë kthehem dhe doli nga dhoma dhe nuk u kthye më”, tregon Teuta bisedën e parë që kishte me doktor Florim Ramadanin.
Por Redian Mjeshtri nga Spitalit Amerikan, thotë se me kërkesë të saj, duke qenë se pacientja jeton në Zvicër, ka kërkuar qe edhe trajtimin kirurgjik ta kryeje në shtetin ku jeton.
“Me kërkesë të saj, pacientja vetëm është hospitalizuar në Spitalin Amerikan, ku ka marrë terapi dhe është kontrolluar në vazhdimësi nga mjekë Ortoped Traumatolog të spitalit. Pacientja është e pajisur me Raport Mjekësor dhe Raport i Epikrizës, ju lutem mund t’ia kërkoni pacientes”, ka thënë për INFOKUSI përgjegjësi për komunikim me media i Spitalit Amerikan, Redian Mjeshtri.
Pafytyrësia e mjekut për të mashtruar pacienten
Ndërsa, pacientja Teuta Gjatë tregon se po atë ditë, e kishte thirr në telefon dr. Florimi edhe e kishte pyetur se kur vinë nga Zvicrës për ta marrë.
“I thash që nuk e di sigurt po ndoshta pasnesër. Më tha të lutem shko drejt në spitalin “BALDGRIST” aty e kam doktorin shok, është dr. Gerber dhe i bëj të fala nga unë dhe ai të merr në dorë dhe kujdeset mirë për ty. Atë momente unë i thash në rregull. Pasi e mbylla telefonin mu kujtua se si nuk e pyeta pse ai nuk intervenon tani ose pse ai nuk flet direkt me doktorin në Zvicër dhe të konsultohet për rastin tim. E kam thirrur në telefon dhe me nuk e ka hapur telefonin. E thërrisja gjithë kohën në telefon të Kosovës, në viber dhe në një telefon qe e kishte të Austrisë, por nuk e ka hapur kurrë me telefonin. I kam lenë porosi dhe mesazhe, i kam shkruar të lutem mu përgjigj të bisedojmë për atë doktorin në Zvicër por ai nuk u lajmërua”, tregon ajo për këtë papërgjegjësi të mjekut i cili ju kishte lajmëruar vetëm pas disa jave pasi ajo ishte kthyer në Zvicër, duke e inskenuar një gënjeshtër që gjoja ishte kujdesur për të dhe kishte biseduar me doktorin zvicran, Gerber të spitalit “BALDGRIST”.
“Pas disa jave më erdhi një SMS nga Florim Ramadani, ku shkruante se ‘bisedova me dr. Gerberin (shokun e tij ku e kishte rekomanduar të shkonte) dhe me tha se gjendjen e kishe mire!…”.
“U çudita nga ky SMS dhe e thirra menjëherë. Ma hapi telefonin dhe nga inati për këtë pafytyrësi të tij i thash “se ti mund te jesh doktor por nuk je njeri në radhë të parë. Si mund të gënjesh kur unë nuk jam në atë spital dhe as nuk kam shkuar asnjë herë tek ai mjek sepse ti nuk me je përgjigjur në telefon. Pse po me gënjen para syve…! A e din si me keni trajtuar dhe me keni lenë sakat..!, turp duhet të keni…””, tregon Teuta me mllef për fjalët qe i kishte thënë doktorit.
Mjeku do t’i operonte këmbën e shëndoshë
Pastaj Teuta e kthen rrëfimin prapë në Spitalin Amerikan për të treguar se çka i kishte ndodhur në ditën e dytë sa ishte e shtrirë aty. Si i kishin thënë mjekët “të ka ikur treni” dhe ajo nuk i kishte kuptuar, derisa ja kishin shpjeguar se gjoja nuk ke shërim do të mbetesh në karrocë.
“Ditën e dytë në Spitalin Amerikan ka ardhur një mjek tjetër, e thërrisnin dr. Zuka. I kishte disa fotografime në duar. Me tha këmbën e majtë e ke shumë keq përderisa unë kisha dhimbje të tmerrshme në këmbën e djathte të cilën e kisha të thyer. I thash e kam këmbën e djathtë të lënduar, jo të majtën. Ai insistonte qe edhe këmba e majtë është shumë keq. Me tha duhet menjëherë me të futë në operacion dhe ta operonin këmbën e majtë. I thash “o zotëri t’i as nuk je duke e ditë cilën këmbë e kam të lënduar. Si guxon të me futësh në operacion kur nuk e dini gjendjen. Ai e gjuajti fotografimin në mënyrë arrogante dhe doli nga dhoma”, tregon Teuta.
Ndërsa në pyetjen e INFOKUSI-t, drejtuar Spitalit Amerikan se a është e vërtetë kjo që tregon pacientja, Redian Mjeshtri nuk jep përgjigje por kritikon gazetarin se kjo është pyetje tendencioze dhe jo profesionale.
E pacientja Teuta Gashi, deklaron se ka mbetur e tronditur nga kjo situatë. Thotë se nuk do të kishte besuar po të dëgjonte nga dikush tjetër diçka të tillë. Sipas saj, mjekët aty nuk kanë treguan as përgjegjësin me të vogël ndaj saj.
Kur ka shkuar në spital në Zvicër, thotë se mjekët janë tmerruar me gipsin që i është vendosur dhe nuk kanë besuar se si mjeket nuk kanë ndërhyrë për ta operuar menjëherë.
“Mjekët këtu janë tronditur. Ata as sot nuk po mund të besojnë se si ka mjek që e shohin këtë gjendje dhe nuk e dinë se duhet menjëherë të operohet këmba dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të vendoset gipsi në situata të tilla. Sipas mjekëve këtu, po të ishte intervenuar ashtu siç duhet brenda 6 orëve pasi jam rrëzuar nuk ka pasur asnjë rrezik të vjen puna deri këtu dhe unë të mbetem në karrocë. Si pasojë e mos operimit dhe vendosjes së gipsit në atë gjendje çfarë ishte për 3 ditë mua me është bllokuar gjaku, nuk ka qarkulluar fare dhe këmba ka humbur funksionin”, thotë Teuta.
Shpresat e saj për të mos mbetur në karrocë por t’i kthyer jetës normale janë të vogla. Beson në përkushtimin dhe kujdesin e mjekëve zvicran qe po bëjnë çmos për ta shëruar. Thotë së është e thyer shpirtërisht dhe i ka humbur motivi për jetë. Tronditjen më të madhe thotë se e ka marrë jo nga fatkeqësi, sepse ajo mund të ndodh por nga pasoja që ajo vuan për shkak të papërgjegjësisë së mjekëve.
Marrë nga Sovrani.info