“Struci” i rendit dhe i sigurisë
Sot Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme dhe titullarit të saj, Sajmir Tahiri, i ka ardhur në ndihmë media. Një raport i publikuar fillimisht nga “Top-Channel” për një testim të kryer në perimetrin e aeroportit të Rinasit ka bërë xhiron e të gjitha mediave, në funksion të një qëllimi: përgjegjësinë për sigurinë në një hapësirë të caktuar të aeroportit të Tiranës, me përkufizim Objekt i Rëndësisë së Veçantë – e kanë disa firma nënkotraktore private që kanë neglizhuar sugjerimet e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe të Policisë së Shtetit. Sipas raportit, testime të kryera në muajin prill, përmes një stimulimi me agjentë të maskuar si udhëtarë, kanë zbuluar probleme serioze në sigurinë në aeroport, ku është kaluar pa u diktuar edhe tritol. Teorikisht avionët që ulen e ngrihen nga Rinasi mund të ishin bërë lehtësisht viktimë e çdo lloj sulmi. Thotë raporti lidhur me testimin e tretë:
“Përpjekja për të kaluar nga zona publike në zonën e kufizuar të sigurisë në aeroport, nga rrethimi i pistës në anën perëndimore, në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant. Testimi i tretë ka kaluar pa u vërejtur nga ana e stafit të sigurisë në shërbim të ruajtjes dhe patrullimit si dhe nga operatorët në sallën e kamerave. Testuesi, artikujt e ndaluar i përdori për mbi 10 minuta në tentativën e tij për të realizuar hyrje të paautorizuar nëpërmjet rrethimit të aeroportit, në zonën ajrore në afërsi të stacionit të furnizimit me karburant të avionëve. Patrullat e shërbimit në lëvizje dhe sistemi i vëzhgimit me kamera përgjatë rrethimit të sigurisë së perimetrit dështuan në diktimin e tentativës për hyrje të paautorizuar. Për më tepër, u mësua se 2/3 e kamerave të vëzhgimit ishin prej disa ditësh jashtë funksionimit, në kundërshtim me kërkesat e shtojcës 25 të ligjit nr. 9312“(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=330318&foto=10#g).
Pra mbulimi për çështje të sigurisë ka zbuluar probleme serioze të konstatuara nga vetë Policia e Shtetit. Por a i heq ky fakt përgjegjësinë policisë? Pyetja mund të shtrohet edhe ndryshe: a ka të drejtë Policia të delegojë çështjet që i ka fushë kryesore të detyrave të veta ligjore? Mundet të ndodhë, por për një qytetar referenca e parë për sigurinë dhe rendin publik, në çdo mjedis publik, por edhe privat është Policia e Shtetit. Dhe këtë fakt nuk e ndryshon dot asgjë. As edhe një deklaratë si ajo e drejtorit të Policisë së Tiranës një ditë më parë, e cila synonte të mbillte një alibi për përgjegjësitë e asaj që ndodhi. “Në bazë të Marëveshjes Konçensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Konçensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë”, tha drejtori i Policisë.
Kjo është sjellje e një pacienti të cilit i ka rënë sheqeri në gjak, sa për të përdorur një krahasim. Nëse shohim raportin që na shërbehet sot në media, në faqen 7 të tij, ku flitet për testimin 2, thuhet se: “Në momentin e kryerjes së testimit të fshehtë kanë qenë prezent: – Agjenti i sigurisë i pozicionuar para urës metalike WTMD – Agjenti i sigurisë që operonte në skaner – Një punonjës i Policisë së Shtetit”. Më tej autoritetet që kanë kryer testimin sugjerojnë që një Plan Veprimesh Korrigjuese, ricertifikim për operatorët e skanerëve që nuk kanë konstuar gjë, garantimi i funksionimit të sistemit të kamerave CCTV si dhe stimuj për konçesionarin.
Të vihet re se sugjerimet e autoriteteve shtetërore nuk ngrenë asnjë lloj alarmi për situatën e sigurisë në aeroport, teksa e shohin atë në dritën e nevojave “për korrigjim”. Po kështu, kur drejtori i Policisë flet për “ekskluzivitet të sigurisë” nga kompani private, përballë tij, në raportin zyrtar figuron edhe një Punonjës i Policisë së Shtetit që ka qenë pjesë e dështimit të kontrollit. Edhe sot që flasim nuk është e qartë se çfarë po bën Policia për të mbyllur mangësitë që i ka konstatuar vetë? Të vihet re po ashtu konstatimi se sistemi i kamerave CCTV nuk funksiononte prej disa javësh. Bëhet fjalë për të njëjtat pajisje që Ministria e Brendshme po synon t’i inkuadrojë në zbatimin e ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, me një faturë të kripur për biznesin dhe me paqartësi të mëdha mbi privatësinë. E sërish pa asnjë shojegim konkret nëse këto kamera e rrisin vërtet sigurinë apo jo? Pasi rasti në fjalë na provon se vendosja e kamerave është një gjë dhe kontrolli i funksionimit të tyre është një tjetër.
Ndërhyrja e mediave të caktuara në këtë rast – me raporte “ekskluzive” – por që ngjajnë si rrjedhje të qëllimshme, ngjan si dy pika uji me ndërhyrjen e bërë në rastin e skandalit me pajisjen përgjuese. Një letër bakalli, pa firmë e pa vulë, e ish-drejtorit të Policisë italiane, u hodh në qarkullim për të zhurmuar heshtjen shurdhuese të ministrit të Brendshëm, që u fsheh poshtë hijes së kryeministrit. Edhe tani, një raport që e hedh përgjegjësinë te një kompani, e cila me siguri që ka një raport të dytë që kundërshton të parin, derisa edhe kërkesa “për mbledhje të Këshillit të Sigurisë” të zgjidhet me negociata të ndershme.
Ky është një rast specifik që flet për dështimin e kontrollit si pasojë e papërgjegjshmërisë së operatorëve dhe policisë para skanerave. Por çfarë mund të pritet, jo nga operatorët, por edhe nga vetë Sajmir Tahiri vetë, në rastet kur ka praktika të konsoliduara për t’i shpëtuar kontrolleve në aeroporte?( https://wikileaks.org/cia-travel/secondary-screening/WikiLeaks_CIA_Asses…). Asgjë. Thjesht mund të pritet pak fat. Pasi vetëm ai mund të të ndihmojë në këto kushte. Në një vend si Shqipëria me kriminalitet të madh dhe me një situatë të rënduar të sigurisë publike, është luks që një ministër i Brendshëm të jetë skuth. Apo të sillet politikisht si i tillë. Sepse dikur patjetër që do të jetë i detyruar të marrë një përgjegjësi direkte për atë që ndodh. Përgjegjësi që janë të tijat e nuk po i shpik njeri. Ky është edhe aspekti më i rëndë i kësaj ngjarjeje: mënyra sesi një qeveri e tërë, një polici rend të lajë duart nga përgjegjësia. Sesi ministri fshihet pas kryeministrit, si e si që të kalojë koha e trajtimit mediatik të një “skandali”. Fatkeqësi për të gjithë.