Obama dhe Clinton, së bashku në fushatë
Presidenti Obama dhe kandidatja e pritshme demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, do të zhvillojnë fushatë së bashku për herë të parë, të martën, në Sharlotë, të Karolinës së Veriut.
Në një miting që është në plan të mbahet të martën në Qendrën e Konventave në Sharlotë, zoti Obama dhe zonja Clinton pritet të diskutojnë për përparimin e bërë dhe për vizionin e tyre për Amerikën, thuhet në një deklaratë të fushatës së zonjës Clinton.
Presidenti Obama, e mbështeti zyrtarisht muajin e kaluar kandidaturën e zonjës Clinton si kandidate e pritshme e Partisë Demokrate për zgjedhjet presidenciale.
Ndërkohë, zonja Clinton, u takua dje me zyrtarë të FBI-së në kuadrin e hetimeve për përdorimin e një serveri privat emaili gjatë periudhës kur ajo ishte Sekretare e Shtetit.
Intervista u zhvillua vetëm katër javë përpara mbajtjes së konventës së Partisë Demokrate, e cila pritet të emërojë zyrtarisht zonjën Clinton si kandidate për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.