Ç’duhet të dini për agjërimin gjatë Ramazanit
Muaji i shenjtë i Ramazanit është në mbyllje, e agjërimi për një periudhë kaq të gjatë kohe përbën padyshim një sakrificë të madhe. Megjithatë, ai ka edhe përfitime të jashtëzakonshme, që nisin nga ato fizike e deri tek ato mendore e shpirtërore.
Grekët e lashtë i njihnin të mirat e frenimit nga ushqimi. Në vend që të përdornin ilaçe, – thoshte Plutarku, – më mirë agjeroni. Tradita është ndjekur në shekuj, ndërsa avantazhet e saj janë të pakufijshme.
Së pari për trupin. Agjërimi, – e thënë kjo nga shumë ekspertë, – pastron organizmin dhe i jep kohë për të pushuar sistemit tretës. Dr. Razeen Mahroof, anestezist nga Oxfordi, e përshkruan agjërimin si “proces të mirëfillte detoksifikimi”, sepse largon nga trupi toksinat e depozituara në shtresat dhjamore.
Po kështu largohet dhe çdo mbetje ushqimesh të tepërta. Ai konsiderohet një lloj mjeti shërues natyral, sepse ndihmon në çlirimin e një energjie, e cila mund të përdoret në mënyrë më produktive. Mendohet se pas një vakti të rëndë ushqimor, trupi i njeriut përdor për tretjen e këtij ushqimi gati 65% të energjisë së tij të disponueshme.
Organizimi i atij që agjëron, këtë lloj energjie mund ta kanalizojë në drejtime të tjera, siç është shërimi i indeve të dëmtuara, sepse nuk ka asgjë për të tretur. Nga ana tjetër, kjo lloj sakrifice ndihmon të krijohen zakone më të shëndetshme të të ushqyerit dhe inkurajon vaktet e lehta.
Agjërimi nuk pastron vetëm trupin, por edhe mendjen. Përgjatë kësaj periudhe, individi inkurajohet t’i qëndrojë larg kotësive e negativitetit. Nga ana tjetër, ai përmirëson edhe shëndetin mendor, pasi ndihmon procesin e autofagisë, apo izolimit të organelave të dëmtuara, dhe rrit nivelin e BDNF-së, faktori neurotrofik i derivuar nga truri.
Me agjerimin duket se ulet edhe rreziku i disa sëmundjeve, si ajo e Alcajmerit, e Huntingtonit, depresioni, apo goditjet ishemike.