Albspirit

Media/News/Publishing

Ledi Shamku: Cipras zyrtarisht të kundërshtoje deklaratat absurde në Tiranë

Ledi Shamku: Cipras zyrtarisht të kundërshtoje deklaratat absurde në Tiranë

Nga Ledi Shamku*

Greqia zyrtare, ose “Nihil novi sub soli”

Kam mbetur pa fjalë nga çka tha në Tiranë, mu në mes të Tiranës zyrtare, këshilltari i Kryeministrit grek. Sikundër kam mbetur pa fjalë edhe nga heshtja që mbështolli e mbështjell fjalët e tij.

Sipas këtij të dërguari të Ciprasit, qeveria shqiptare po qeveriska me bashkëpunëtorë të nazizmit, të cilët qenkan çamët!

Së pari, ku e gjen të drejtën Greqia të diskutojë mbi formacionin politik qeverisës të një shteti sovran? Nuk ma do mendja që Kola i Athinës të jetë aq i papunë te punët e veta sa të luajë derën e Tiranës. Ende më fort nuk ma do mendja se pret t’i marrim dorën atij për punët tona. Nuk dij pse po i shtojnë zotërinjtë borxhit të tyre ekonomik edhe një borxh të madh politik me kësi deklaratash!

Së dyti, dhe kjo është ngjethëse vërtet: çamët qenkan bashkëpunëtorë të nazizmit???!!! E deklaron këshilltari i Ciprasit mu në mes të Tiranës këtë?! Një zyrtar i lartë grek damkos krejt një bashkësi shqiptare dhe Shqipëria hesht?! Paskan rënë dakord të shfuqizojnë Ligjin e Luftës dhe shpërthejnë me të tilla deklarata?! Po këta Ligjin e Luftës e paskan në mendje dhe në frymë! Kjo deklaratë e marrë, e shëmtuar dhe e nxirë tjetërgjë nuk është përveçse ripohim i Ligjit të Luftës!

Pres nga Cipras që zyrtarisht të dalë e të thotë se këto fjalë qenë fjalë vape të Këshilltarit të vet, qenë i nxehti vetjak i një njeriu. Përndryshe, në mos pastë një ndjesë kryeministrore, unë si shqiptare dhe si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, do t’i quaj këto deklarata si qëndrim i Athinës zyrtare. Dhe këtu ndryshon krejt qasja!

*Shamku eshte deputete e Partise Sociliste

Please follow and like us: