Albspirit

Media/News/Publishing

Teori dhe aludime pas takimit Clinton-FBI

12 minutes ago

Teori të shumta po qarkullojnë në Uashington, pasi kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton u takua të shtunën me hetues të FBI-së në një seancë që zgjati tre orë, ku u diskutua fakti që zonja Clinton kishte përdorur serverin privat të emailit gjatë kohës që ka qenë Sekretare Shteti.

Intervista pritet të jetë akti përfundimtar para se të vendoset nëse zonja Clinton do të ndeshet me akuza nga Departamenti i Drejtësisë për shkelje ligji.

Takimi i së shtunës në selinë e FBI-së u zhvillua mbi baza vullnetare. Zonja Clinton ka thënë se dëshiron që ta mbyllë këtë çështje acaruese:

“E kam thënë disa herë, nëse do të kisha mundësi të kthehesha mbrapsht, do ta kisha trajtuar ndryshe këtë problem. E di që njerëzit kanë shprehur shqetësim”.

Rivali i saj republikan, Donald Trump bëri menjëherë komente në Twitter: “Nuk ka mundësi që FBI-ja të mos rekomandojë akuza penale kundër Hillary Clintonit. Ajo veproi gabim”.

Aleatët e zonjës Clinton nuk janë dakord.

“Nuk do të ketë ngritje akuzash. Ajo ka vepruar si shumë sekretarë shteti në të kaluarën,” thotë Senatori demokrat Sherrod Brown.

“Nëse nuk do të ishte Hillary Clinton, por dikush tjetër, së pari do ta kishin pushuar, së dyti Departamenti i Drejtësisë do të kishte ngritur akuza,” thotë ish-senatori Rick Santorum.

Intervista e zonjës Clinton u zhvillua disa ditë pasi supozime të shumta u ngritën për takimin e bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Clinton me Prokuroren e Përgjithshme Loretta Lynch, e cila është autoriteti vendim-marrës për procesin hetimor ndaj zonjës Clinton.

“Nuk e diskutoj që takimi im me zotin Clinton ngre shqetësime. Nuk do të ndodhë më, por ishte në fakt një takim thjesht shoqëror,” tha Prokurorja e Përgjithshme Lynch.

Është rregull i pashkruar në Uashington që zyrtarët të shmangin qoftë edhe përshtypjet që mund të ngjallin dyshime.

Zoti Donald Trump dhe republikanë të tjerë kanë aluduar se takimi dëshmon që Departamenti i Drejtësisë i administratës Obama nuk mund të kryejë një hetim të paanshëm për dikë që presidenti e ka mbështetur si pasuese të tij.

“Presidenti dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë asnjë përfshirje,” tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se nuk ka në plan të përfshihet në çështjen e serverit:

“Presidenti shpreson që hetimi do të trajtohet si çdo çështje tjetër e kësaj natyre, që hetuesit do të mbështeten tek faktet,” tha zëdhënësi.

Zonja Clinton shpreson që hetimet e FBI-së të përfundojnë para Kuvendit Demokrat që zhvillohet në fund të muajit. Por për republikanët kjo çështje do të mbetet temë debatesh deri ditën e zgjedhjeve.

Please follow and like us: