Jorgji Kote: Koherenca dhe besueshmëria e një libri
Falë prodhimtarisë dhe cilësisë së analizave të tij, ky libër i ri përbën më shumë se një lajm në jetën diplomatike dhe atë publicistike. Pasi lexon këtë libër që i referohet një periudhe kohore 20-vjeçare, bindesh se zhvillimet më të fundit ndërkombëtare, sidomos kriza e azilit dhe e terrorizmit ndërkombëtar me pasojat e tyre të njohura nuk e kanë zbehur përparësinë e çështjes shqiptare në Maqedoni; përkundrazi, bashkë me disa dukuri të reja, ato e kanë nxjerrë edhe më shumë në pah këtë çështje përparesore dhe dinamikën e saj të pritshme.
I shoqëruar me një numër të madh faktesh dhe argumentesh historike të përzgjedhura me kujdes nga autori, aktualiteti “djegës” i çështjes shqiptare shpjegohet me rëndësinë e Maqedonisë në proceset e bashkëpunimit rajonal dhe atë evropian, në veçanti me rolin kyç të shqiptarëve që jetojnë atje, si pjesë substanciale e popullsisë së atij vendi dhe proceseve demokratike e shtetformuese.
“Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare” ka një katalog tejet të larmishëm dhe një gjeografi të gjerë, që rrokin pothuajse të gjitha aspektet tashmë të njohura të shqiptarëve në Maqedoni gjatë 20 viteve të fundit, si specifikat dhe sfidat lidhur me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit plot 15 vite pas miratimit të saj, kushtet e përditshme të jetesës së shqiptarëve, të drejtat dhe liritë e tyre themelore, organizimi në parti politike, problematika dhe specifikat e këtyre të fundit, bashkëpunimi i tyre me aktorët dhe faktorët e tjerë politikë të brendshëm dhe ndërkombëtarë, roli i politikës dhe diplomacisë së vendit tonë, raportet dinamike ndërmjet Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi, perspektivat evropiane dhe ndikimet e tyre mbi këto zhvillime dhe vetë çështjen shqiptare, etj.
Zbërthimi dhe analiza e hollësishme e temave të shumta të këtij botimi kërkon kohë edhe hapësirë; atë mund ta bëjë më mirë vetë lexuesit dhe subjektet e interesuara, për të cilët ky libër paraqet interes të madh. Gjithsesi, krahas aktualitetit të lartpërmendur, këtu do të veçoja besueshmërinë e sprovuar të autorit; dihet se besueshmëria vlerësohet si ndër kriteret më të rëndësishme në gjykimin e botimeve të kësaj natyre, madje besueshmëria është treguesi kryesor në veprimtarinë praktike në këtë fushë me ndjeshmëri publike në rritje.
Në fakt, për çështjen e shqiptarëve të Maqedonisë dhe për tema të tjera ka një numër të madh shkrimesh dhe botimesh që kanë interes dhe vlera; mjaft prej tyre kanë autorësinë e analistëve, ekspertëve, opinionistëve dhe akademikëve të njohur, përfaqësuesve të politikës, jetës parlamentare, etj. Kjo është një dukuri pozitive, sepse shpreh dhe përfaqëson interesin e gjerë publik për këtë çështje që kërkon zgjidhjet më optimale.
Por, shkrimet dhe botimet e Shaban Muratit dallojnë cilësisht pikërisht falë besueshmërisë së tyre teorike dhe praktike; kjo e fundit është tejet e rëndësishme, sidomos në procesin vendimmarrës. Kjo për faktin se te Murati bashkohen fare natyrshëm gazetari me përvojë të gjatë, analisti i thellë i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomati me funksione drejtuese dhe ambasadoriale; më e rëndësishmja, autori i ka ndjekur këto probleme për një kohë të gjatë si në MPJ, ashtu edhe në terren, aty ku veprojnë aktorët dhe faktorët kryesorë.
Më konkretisht, Shaban Murati ka qenë qysh në fillim të viteve ’90 ambasadori ynë në Shkup, kësisoj ai është ballafaquar qysh në fillimet e proceseve dhe të pasojave të shpërbërjes, të periudhës demokratike dhe të integrimit të Maqedonisë në BE. Ka qenë periudhë e ngjeshur me shumë akte dhe veprime politike dhe diplomatike ndërkombëtare, rajonale dhe të vetë Maqedonisë dhe të vendit tonë, me të mirat e pse jo edhe me mangësitë dhe gabimet e tyre, pasojat e të cilave vijojnë të ndihen ende dhe sot.
Madje, Suedia ka pasur në vitet ’90 ish-kryeministrin Carl Bildt, i cili deri në vitin 2014 ishte për 10 vite edhe ministër i Jashtëm, si një ndër protagonistët kryesorë të ngjarjeve në rajonin tonë në vitet ’90 e më vonë. Kurse ish-Presidenti finlandez, Marti Ahtisaari në dekadën e parë të viteve 2000 ishte kryenegociatori i OKB-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës deri në pavarësinë e saj. Veç kësaj, krahas veprimtarisë aktive zyrtare diplomatike, Shaban Murati nuk i la për asnjë çast analizat e thelluara dhe tërësore, si pjesë e pandarë e së punës së tij.
Njihen tashmë disa libra që ai i ka kushtuar çështjes shqiptare, marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit, Serbisë, etj. Ky kontinuitet vijoi dhe pas kthimit të tij në Ministrinë e Jashtme, si drejtor i Drejtorisë së Analizës dhe i Akademisë Diplomatike për vite të tëra dhe deri tani vonë si këshilltar i Ministrit të Jashtëm.
Nisur nga sa më sipër, ndryshe nga analistë dhe komentatorë të tjerë të njohur, Shaban Murati njeh në taban realpolitikën dhe diplomacinë klasike, së bashku me ingranazhet dhe mekanizmat opinionbërëse dhe sidomos vendimmarrëse.
Ai është i vetëdijshëm se në praktikën diplomatike gjërat nuk ecin ashtu siç do të dëshironim, ose siç tregohet e kërkohet në shkrime, libra dhe botime akademike, as vetëm sipas klisheve dhe sloganeve politike, sidomos në momente zgjedhore, sepse diplomacia vepron në terrene dhe kushte tejet dinamike, ku mpleksen shumë aktorë, faktorë, interesa, nevoja dhe kërkesa të të gjitha llojeve, që janë me rëndësi për sot dhe për të ardhmen.
Ndaj, ai e di se në diplomaci nuk mund të kërkosh trajtimin apo zgjidhjen e disa problemeve njëherazi e brenda një kohe të shkurtër, se ato nuk shtrohen thjesht me gjuhën e OJQ-ve, think-tankeve apo instituteve shkencore, ku shkalla e lirisë dhe autonomisë të të shprehurit është shumë më e madhe, por në shproporcion të drejtë me procesin e vendimmarrjes se ajo e diplomacisë zyrtare.
Sepse ingranazhet diplomatike dihet se veprojnë shumë më me ngadalë. Por, ndërkohë ai nuk nguron të shigjetojë edhe shtyrjet dhe vonesat e pajustifikuara që shkaktohen si nga faktorë të jashtëm dhe nga brenda. Faktor i rëndësishëm i besueshmërisë së Shaban Muratit është edhe përvoja e tij e gjatë me mbi katër dekada në fushën e gazetarisë dhe posaçërisht në atë të diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Jo rastësisht në vitin 2012 atij iu dha çmimi i lakmuar si “Gazetari më i Mirë”, ndërsa Presidenti i Republikës e ka laureuar me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës” në këtë fushë.
Falë këtyre cilësive dhe stilistikës tërheqëse, analizat e Shaban Muratit nuk janë thjesht komente që bëhen sidomos “pas pilafit”. Ato shquhen për forcën e tyre parashikuese dhe guximi, që me argumente të pakundërshtueshme të sugjerojë ide dhe masa konkrete për ndryshimin e gjendjes ose shmangien e dukurive të pritshme negative, siç ndodh dhe në librin e tij më të ri.
Ai nuk rri e pret të ndodhë diçka dhe pastaj të dalë me shkrime dhe analiza, as pas ngjarjeve, por u paraprin situatave në mënyrë bindëse dhe me nuhatjen e njohur të një gazetari dhe diplomati me përvojë. Edhe në librin e tij të ri, Murati u kthehet dhe rikthehet me konsekuencë temave dhe ideve të tij të mëparshme, duke bërë ballafaqimin e pse jo dhe korrigjimet e duhura mbi bazën e ngjarjeve dhe zhvillimeve të reja, që gjatë 20 viteve të fundit kanë qenë të shumta dhe sfiduese edhe në rajonin tonë e sidomos në Maqedoni.
Kësisoj, falë kësaj besueshmërie dhe parashikueshmërie, shkrimet e tij fitojnë koherencën e duhur në kohë dhe në çdo situatë. Duke qenë të tilla, këto shkrime dhe analiza nuk përjashtojnë as debatet apo kundërshtitë; këto të fundit janë të natyrshme dhe në më të shumtën e rasteve evidentojnë vlerat dhe interesin për botimet e Shaban Muratit, që në fakt tashmë janë bërë markë e njohur cilësore e analizës diplomatike. Ja pse edhe libri më i fundit “Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare” është i dobishëm dhe me vlera të mëdha praktike edhe në veprimtarinë e përditshme diplomatike.
/BalkanWeb)