Dani RODRIK: Abdikimi i të majtës
Reagimi politik kundër globalizimit, evident në referendumin e Mbretërisë së Bashkuar të Brexit, qe i parashikueshëm. Surpriza më e madhe është se reagimi politik ka marrë tipare të dukshme nga e djathta, gjë që reflekton pjesërisht rolin që e majta luajti në disa momente kyçe të periudhës së hiper-globalizimit
Ndërsa bota rimerr veten nga tronditja e Brexit, zbulimi për ekonomistët dhe politikëbërësit është që ata e nënvlerësuan rëndë dobësinë e formës aktuale të globalizimit. Revolta popullore që duket se është në ngritje, po merr forma të larmishme dhe të mbivendosura; ritheksimi i identiteteve vendore dhe kombëtare, kërkesa për më shumë kontroll demokratik dhe llogaridhënie, hedhja poshtë e partive politike centriste dhe mosbesimi ndaj elitave dhe ekspertëve.
Përplasja qe e parashikueshme. Disa ekonomistë, përfshirë mua, patën paralajmëruar për pasojat e shtytjes së globalizimit ekonomik përtej kufijve të institucioneve që rregullojnë, stabilizojnë dhe legjitimizojnë tregjet. Hiper-globalizimi në tregti dhe financë, që synonte të krijonte atë që dukej si tregje botërore të integruara pa fund, bëri copash shoqëritë vendëse.
Surpriza më e madhe është që reagimi politik ka marrë tipare qarta nga krahu i djathtë. Në Europë, janë më së shumti populistët nacionalistë dhe nativistë që kanë dalë në pah, ndërsa e majta ka bërë përparime vetëm në pak vende si Greqia dhe Spanja. Në Shtetet e Bashkuara, demagogu i së djathtës, Donald Trump ia ka dalë të rrëzojë estabilishmentin Republikan ndërsa i majti Bernie Sanders nuk qenë gjendje të parakalonte centristen Hillary Clinton.
Ashtu siç po pranohet tashmë edhe nga estabilishmenti me padëshirë, globalizimi e shton ndasinë klasore mes atyre që kanë aftësi dhe burime dhe që përfitojnë nga avantazhi i tregjeve globale dhe atyre që nuk kanë. Ndasitë në të ardhura dhe klasore dhe jo ndasitë në identitet, të tilla si raca, etnia apo religjoni, kanë qenë ato që kanë fuqizuar historikisht të majtën politike. Po pse e majta nuk ka qenë në gjendje të organizojë një reagim politik domethënës ndaj globalizimit?
Një përgjigje është se emigrimi ka lënë në hije “tronditjet” e tjera të sjella nga globalizimi. Kërcënimi i perceptuar nga flukset masive të refugjatëve dhe migrantëve nga vendet e varfra me tradita kulturore shumë të ndryshme ka përkeqësuar ndasitë në identitet, të cilat politikanët e ekstremit të djathtë janë jashtëzakonisht të mirëpozicionuar për t’i shfrytëzuar. Pra nuk është habi që politikanët e të djathtës, nga Trump te Marine le Pen e kanë lidhur mesazhin e tyre të rivendosjes kombëtare me një dozë të pasur simbolizmi anti-mysliman.
Demokracitë e Amerikës Latine ofrojnë një kontrast domethënës. Këto vende përjetuan globalizimin më së shumti si një tronditje në tregti dhe në investime të huaja, dhe jo si një tronditje migrimi. Globalizimi u bë sinonim i të ashtuquajturave politika të Konsensusit të Uashingtonit dhe hapjes financiare. Imigrimi nga Lindja e Mesme apo Afrika mbetën të kufizuara dhe patën pak pasoja politike. Kështu, reagimi populist në Amerikën Latine – në Brazil, Bolivi, Ekuador, dhe, në mënyrë më shkatërirmtare, në Venezuelë, – morën një formë majtiste.
Kjo histori është shumë e ngjashme me dy përjashtime kryesore nga ringritja e të djathtës në Europë – Greqi dhe Spanjë. Në Greqi, vija ndarëse politike qenë politikat e kursimit të imponuara nga institucionet Europiane dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në Spanjë, shumica e imigrantëve deri vonë vinin nga Amerika Latine, e cila është kulturalisht e ngjashme. Në të dyja vendet, e djathta ekstreme nuk kishte terren për të lulëzuar siç e pati në vendet e tjera.
Por eksperienca në Amerikën Latine dhe në Europën jugore zbulon ndoshta dobësitë më të mëdha të së majtës: mungesa e një programi të qartë për të rimodeluar kapitalizmin dhe globalizimin për shekullin e njëzet e një. Nga Syriza në Greqi te Partia e Punëtorëve në Brazil, e majta ka dështuar të krijojë ide që janë të shëndosha nga pikëpamja ekonomike dhe popullore nga ana politike, përveç politikave rregulluese të tilla si transfertat e të ardhurave.
Ekonomistët dhe teknokratët në të majtë kanë një pjesë të madhe të fajit. Në vend që të kontribuonin në një program të tillë, ata abdikuan tepër lehtë përballë fondamentalizmit të tregut. Akoma më keq, ata udhëhoqën lëvizjen hiper-globalizuese në periudhat kyçe.
Kurorëzimi i mobilitetit të kapitalizmit të lirë – veçanërisht i llojit afatshkurtër – si një normë politike nga Bashkimi Europian, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe FMN argumentohet se qe vendimi më përcaktues për ekonominë botërore gjatë dekadave të fundit. Siç e ka demonstruar profesori i Shkollës së Biznesit të Harvardit, Raëi Abdelal, kjo përpjekje u udhëhoq në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990 jo nga ideologë të tregut të lirë, por nga teknokratë francezë të tillë si Jacques Delors (te Komisioni Europian) dhe Henri Chavranski (te OECD), të cilët qenë ngushtësisht të lidhur me Partinë Socialiste në Francë. Në mënyrë të ngjashme, në SHBA, qenë teknokratët më shumë të lidhur me Partinë Demokratike Kejnesianiste, të tillë si Laërence Summers, i cili udhëhoqi garën për derregullim financiar.
Teknokratët socialistë të Francës duket se dolën në konkluzionin, – pas dështimit të eksperimentit me Kejnesianizëm të Mitterrand në fillim të viteve 1980 – se menaxhimi ekonomik i brendshëm nuk qe më i mundur dhe se nuk kishte alternativë reale ndaj globalizimit financiar. Më e mira që mund të bëhej qe të përcaktoheshin rregulla Europiane dhe botërore, në vend që të lejonin vende të fuqishme si Gjermania dhe SHBA-ja të impononin rregullat e tyre.
Lajmi i mirë është që vakuumi intelektual te e majta është aktualisht drejt mbushjes dhe se nuk ka më arsye që të besohet tirania e “mungesës së alternativave.” Politikanët në të majtë kanë gjithnjë e më pak arsye që të mbështeten te fuqia e akademikëve “të respektueshëm” në ekonomiks.
Mendoni vetëm për pak shembuj: Anat Admati dhe Simon Johnson kanë advokuar për reforma radikale në banking; Thomas Piketty dhe Tony Atkinson kanë propozuar një menu të pasur politikash për të luftuar pabarazinë në nivel kombëtar; Mariana Mazzucato dhe Ha-Joon Chang kanë shkruar në detaje se si duhet të përdoret sektori publik për të nxitur novacionet gjithëpërfshirëse; Joseph Stiglitz dhe José Antonio Ocampo kanë propozuar reforma botërore; Brad DeLong, Jeffrey Sachs, dhe Laërence Summers (i njëjti!) kanë argumentuar në favor të investimeve publike afatgjata në infrastrukturë dhe në ekonominë e gjelbër. Ka elementë të mjaftueshëm këtu për të ndërtuar një përgjigje programatike ekonomike nga e majta.
Një dallim thelbësor mes të djathtës dhe të majtës është që e djathta lulëzon në thellimin e ndasive në shoqërore – ‘ne’ kundrejt ‘ata’ – ndërsa e majta, kur është e suksesshme, i kapërcen këto ndasi përmes reformave. Këtu qëndron edhe paradoksi që valët e mëparshme të reformave nga e majta – Kejnesianizmi, demokracia sociale dhe shteti i mirëqenies shoqërore, – njëkohësisht e shpëtuan kapitalizmin nga vetja e vet dhe efektivisht e bënë veten të tepërt. Në mungesë të një përgjigjeje të tillë sërish, fusha do të jetë e hapur për populistët dhe grupimet e të djathtës ekstreme, të cilët do të udhëheqin botën – siç e kanë bërë gjithmonë – përmes thellimit të ndasive dhe konflikteve më të shpeshta.