FBI, Trump dhe Brexit, ja pse u dorëzua Sanders
Bernie Sanders i ka dhënë fund, sot, në Portsmouth, New Hampshire, fushatës së tij të jashtëzakonshme që e katapultoi papritur në skenën kombëtare politike amerikane.
“Kam ardhur këtu që ta bëj sa më të qartë që të jetë e mundur se po mbështes Hillary Clinton dhe për të thënë se pse duhet të jetë presidentja jonë e radhës”, tha senatori gjatë një mitingu të përbashkët me ish-Sekretaren e Shtetit.
Kjo tërheqje e vonuar nga gara u jep Demokratëve të paktën mundësinë për të filluar bashkimin dhe pajtimin në parti, duke filluar nga Kuvendi Kombëtar që do të mbahet këtë muaj. Frika më e madhe ishte se beteja mes dy kampeve do të prishte Kuvendin dhe do të niste me përçarje fushatën për zgjedhjet e nëntorit, ku besohet se do të përballen me Donald Trump.
Kur filloi gara në Partinë Demokrate, askush nuk e priste Bernie Sanders që paraqiste një rivalitet kaq të fortë. Suksesi i që ngjante me atë të Donald Trump në krahun republikan treguan etjen e amerikanëve për ndryshime rrënjësore në politikën e vendit, nga e majta dhe e djatha, po edhe një lloj populizmi jo gjithnë karakteristik për traditën e politikës amerikane.
74-vjeçari socialist gjeti sidomos mbështetje te brezi i ri, sidomos mes studentëve të universiteteve. Por ai dështoi në përpjekjet për të fituar besimin e pakicave, sidomos afrikano-amerikanëve dhe hispanikëve që janë faktor elektroal kyç për Partinë Demokrate.
Nuk kishte dyshim që shumica e elitë së partisë, shumica e donatorëve dhe pjesa më e madhe e medias e shihte Hillary Clinton si fituese të padiskutueshme. E megjithatë, shumë shtete liberale, sidomos në veri të vendit, në mënyrë të vazhdueshme preferuan Bernie Sanders, duke shtuar dyshimin në aftësitë e saj për të fituar qartazi. Disa madje parashikuan një përsëritje të vitit 2008, kur një tjetër senator i panjohur fitoi papritmas dhe sot është president i vendit.
Në fund, ajo fitoi gati 3,7 milionë vota më shumë dhe 300 delegatë të dalë nga populli më shumë. Kurorëzimi në Kuvend u bë i pashmangshëm, po Sanders refuzoi të dilte nga gara siç është tradita, kur e sheh që nuk ke më mundësi aritmetike që të fitosh.
Sanders kishte dy shpresa: një që Hillary Clinton mund të paditej nga FBI dhe kandidatura e saj të bëhej absurd dhe e dyta, që mund të bindte superdelegatët, ligjvënës dhe zyrtarë demokratë, që të përmbysnin votën popullore duke marrë anën e tij. E para ishte një mundësi, e dyta ishte më shumë delir. Kur FBI deklaroi se Clinton nuk do të paditej, Sanders e kuptoi se kishte pritur kot.
Jo të gjithë mbështetësit e Sanders janë të kënaqur që ai u tërhoq. Gjatë këtyre muajve beteje frontale, fryma u shndërrua nga debat mes miqsh, në insinuata e shpifje fyese. Të dy udhëheqësit ia dolën me sukses që të mos binin në nivelin banal të debateve repblikane, por mbështetësit e tyre respektivë thanë çdo poshtërsi të mundshme për kandidatin tjetër.
Anketime shqetësuese vunë në dukje se një shumicë e qartë e mbështetësve të Sanders nuk do të votonin në nëntor për Partinë Demokrate nëse ai nuk fitonte. Kjo do të ishte fatale për partinë.
Sot, shumë prej tyre reaguan ashpërsisht në internet, ndonëse numri i atyre që thonin “kurrë për Hillary Clinton” tani është pakësuar.
Sanders negocioi ashpërsisht daljen e tij nga gara dhe klintonistët pranuan shumë nga kërkesat duke shtrënguar dhëmbët, mes tyre edhe premtimi për ta bërë rrogën minimale 15 dollarë në orë, në mbarë Amerikën. Tani Sanders mund të thotë që një pjesë e paltformës së tij është integruar në platformën e Hillary Clinton. Në këtë pikë ai mund ta mbështesë kandidaten me ndërgjegje të qetë.
Përveç vendimit nga FBI, dy faktorë të tjerë duhet të ketë nxitur tërheqjen e Bernie Sanders. Frika se një kandidat si Donald Trump mund të bëhet president dhe vota Brexit në Mbretërinë e Bashkuar që dëshmoi se populizmi nga e djathta, nuk është më një dukuri në skaj të politikës, në Perëndim, por një forcë reale.
Trump ashtu si shumë parti europiane në rritje ka një retorikë që nxit frikën e popullatave vendase ndaj emigrantëve, i trajton ata kërcënim ekonomik e criminal dhe i gjen rrënjët e problemit të liberalizmi i shoqërive të hapura perëndimore.
Presidenti Barack Obama që sheh te Donald Trump një rrezik për vlerat më të mira të demokracië amerikane po bëhet gati të marrë pjesë në fushatë për të ndihmuar Hillary Clinton. Ai ka lujtur rol personal që Bernie Sanders të tërhiqej nga gara.
Tashmë Demokratët mund të fillojnë bashkimin e tyre, duke mbyllur një muaj të vështirë, gjatë të cilit, për fatin e tyre të mirë, Donald Trump nuk e shfytëzoi dot avantazhin. “Elita demokrate” tashmë e ka mbyllur konfliktin dhe do të përpiqet të pajtojë edhe “popullin demokrat”. Ndryshe është puna në krahun tjetër, ku “populli republikan” është me shumicë në favor të Donald Trump, po është “elita republikane” që refuzon të pajtohet me këtë realitet.
Tani, vijnë Kuvendet.(Ruben Avxhiu)