Albspirit

Media/News/Publishing

KUJTIME TË LARGËTA QË NUK NA LENË TË VDESIM

Rozi THEOHARI

ROZI THEOHARINë ditet e para të vitit 2007 u ndodha mes dardharëve të Kuinsit, Mass, jo shumë larg Bostonit, duke uruar e përgëzuar njëri-tjetrin me kupat me verë, duke shijuar lakrorin e mbrujtur, salarinë dhe bakllavanë. “Kafen nuk do ta pimë këtu, – tha më e madhja e shtëpisë,- të gjithë siç jemi do të bëjmë një vizitë tek një familje fqinjë, janë miqtë tanë, të cilët nuk e festojnë Vitin e Ri.”

Zbritëm shkallët e katit të 6-të dhe trokitëm në derën e apartamentit të parë të korridorit. Derën e hapi Beqir Omari, i befasuar e i gëzuar nga kjo vizitë e papritur, ndërkohë që u takuam me bashkëshorten e tij, Dylfiqarën, me vajzën Jolanda dhe dhëndrin, Dhimitri. Gjëja e parë që terhiqte vemendjen ne këtë apartament të vogël e të përmbledhur, qenë fotot bardhezi të varura në mure, një videokasetë në televizor me ngjarjet e familjës Omari, shumë gazeta të zverdhura nga koha, foto në albume fotografish të shpërndara në tavolinë e komodina.

“Çdo fillim janari babai i kthen dhomat në muzeum,- thotë Jolanda, një grua e re shtatlartë, me një ëmbëlsi në sy dhe në fytyrën e saj rrumbullake.- Kujtimet, më të shumtat jo të mira, i ka me tepri familja jonë!” – murmuriti ajo duke ia kthyer sytë t’et.

Beqiri, edhe ai shtatlartë, ishte një mesoburrë me trup të lidhur, me shpatulla të gjëra e krahë të gjate e muskulozë, mbase nga profesioni i tij i dikurshëm si muzikant-baterist, mbase nga puna e rëndë fizike tejlodhëse që kishte kryer gjatë jetës. Poshtë ballit të tij të gjërë me rrudha rrethore vozitnin dy sy të vegjël gështënjë që rrezatonin miqësi, virtyt e mirësi. Trupi i tij kolos ishte pak i kërrusur përpara nga dy goditje cerebrale që kishte pësuar. Por më tepër se sa sëmundja, shtatin e tij e ka përthyer rrufeja e vuajtjeve dhe mundimeve disavjeçare, për të cilat shpirti i tij nuk gjën qetësi ditë e natë. Ne pinim kafenë në heshtje, ndërsa ai tregonte…

NJË FAMILJE E QETË

Nga muri, nga një fotografi bardhëzi na vështronin Eqerem Omari, Fejzia, gruaja e tij, dhe tre djemtë: Beqiri, Xhemili e Gramozi. Eqerem Omari, me origjinë nga Gjirokastra, kishte mbaruar shkollën e Fulcit me rezultate shumë të mira dhe vazhdoi më tej studimet e larta në Francë, në Grenobël, ku u diplomua inxhiniër-agronom. Beqiri na tregoi se, pasi punoi disa vjet agronom nëpër Shqipëri, më 1939 i ati u emërua pranë Komisariatit të Lartë të Nozullimëvë në Tiranë, si inspektor epror. Pas luftës kishte punuar si specialist i dritherave në Komitetin Shtetëror të Grumbullimeve, si kryeinxhinier i fabrikës së re të bukës në Tiranë e tjetërkund, gjithnjë i nderuar e i vlerësuar për kontributin e tij në industrinë ushqimore.

“Babai ynë, Eqeremi,-vazhdoi Beqiri,- u dallua edhe si profesor në degën e inxhinierise agronomike…, ai mbeti një intelektual i mirëfilltë dhe kurrë nuk u ngatërrua me qevëritë politike të çdo kohe. Pas çlirimit atij iu propozua vendi i ministrit të Bujqësisë, të cilin nuk e pranoi dhe vazhdoi të punonte si komisionar i lartë i ndihmave të UNRRA-s në qytetin e Durrësit.”

Ëndrra e Eqeremit për ta bërë Shqipërinë me një ekonomi bujqësore të begatshme, bashkohej me ëndrrën e familjes për të rritur, edukuar e shkolluar si duhej tre djemtë e tij të dashur. Si një baba shëmbullor, ai nuk ua theu dëshirën për të studiuar muzikë Beqirit dhe Gramozit. Beqiri mbaroi Licëun Artistik e punoi si baterist, fillimisht ne orkestrën e Hotel Dajtit e më vonë në orkestrën e Estradës së Shtetit në Tiranë. Djali i tretë, nakar, Gramozi, qysh në fëmijëri shquhëj për prirjen e tij për muzikën. Për fatin e tij, në rrugën “Siri Kodra” ku banonte familja Omari, Gramozi kishte shokë bashkëmoshatarët e tij Bësim Zekthin, Skënder Sallakun, Enver Dautin, Agim Krajkën, e të tjerë të cilët, pas vitësh do të bënin emër në Shqipëri si artistë e muzikantë. Gramozi ishte vetëm 15 vjeç kur u bë i njohur në Tiranë e jashtë saj si fizarmoniçist virtuoz, duke dhënë shfaqje bashkë me Agim Krajkën.

Ministria e Punëve të Brendshme i mblodhi shpejt këta artistë duke krijuar Estradën e Kufirit, e dëgjuar në ato kohë për suksësët e saj që korrte anekënd vëndit. Tani Gramozi, falë famës që kishtë marrë, i pat rrugët te hapura jo vetëm të mbaronte gjimnazin natën, por edhë të studionte për mjekësi. Në Fakultetin e Mjekësisë vazhdonte studimet edhe vëllai më i madh, Xhemili, pra, familja Omari pak nga pak po kompletohej me dy mjekë e dy muzikantë. Zëmrat e prindërve, mbushur plot shpresa për të ardhmen bekonin përditë tre djemtë e talentuar e të edukuar …Në festa familjare, Gramozi e Beqiri me veglat e tyre muzikore krijonin mjedise të gëzuara, plot humor, këngë e vallë…U celebruan dasmat e Beqirit dhe të Xhemilit, të cilat më vonë sollën gëzimin e ardhjës në jetë të nipërve e mbesave, që lumturonin ditët e gjyshërve Omari.

Në vitin 1962 Gramozi mbaroi Fakultetin e Mjekësisë me diplomë të shkëlqyër dhe Ministria e Brendshme, për ta pasur kuadër të saj, e veshi oficer me gradën toger. Gjithashtu Gramozit iu dha mundësia të specializohej si kirurg në Spitalin Qëndror të Ushtrisë. I vetmi preokupim i të afërmve tani mbetej martesa e Gramozit dhe mbyllja e detyrimit prindëror, duke hyrë në fazën e dytë të jetës, në një familjë me tradita shqiptare ku zotëronin harmonia, paqja dhe zëmërdhëmbshuria.

NË RRUGËN E TRAGJEDIVE

Por erdhi dita kur morën fund të gjitha “të mirat”… dhe Omarët, të shigjëtuar nga forca të padukshme, shpejt a vonë u ndodhën në udhëkryq…

“Familjes sonë i hyri flama qysh me pushimin e babait nga puna.- psherëtin Beqiri.- Specialistin më të mirë të fabrikavë të bukës pranë Ministrisë së Bujqësisë, njeriun që s’i kishte bërë kurrë dëm njëriu, e larguan nga detyra për një shkak banal financiar në zyrën e llogarisë. Por shkaku i vërtëtë, -thotë Beqiri,- ishte lufta e klasave, që sa vinte e ashpersohej dhe hante koka intelektualësh që ishin diplomuar në Perëndim e, me kohë, u ishte vënë damka “borgjëzë!””

Ishin ato vite terrorizuëse kur, në emër të luftës kundër burokracisë, autoritetet shtetërore e komitetet e partisë vepruan pa takt dhe me sjellje fyese ndaj intelektualëve flokëbardhë.

“Perëndimorët” e dyshimtë duhej të lironin karriget për “lindorët” bësnikë që sapo ishin specializuar në “vendet e demokracive popullore”(!) Eqeremi mori një shuplakë nga dora e gjatë e diktaturës së proletariatit, e cila do të plagoste më tej jetët e pjësëtarëve të familjës. I pari mori dënimin Gramozi, i cili u transferua fluturimthi nga Tirana në postën e kufirit të Vermoshit, si mjek i repartit ushtarak. U thërrmuan ëndrrat e djaloshit 23- vjecar për t’u bërë muzikant dhe kirurg i specializuar. I biri i Omarajve u largua nga Tirana, nga shokët e familja, nga fizarmonika e tij me të cilën luante tërë pasion. “ Gramozi u paraqit në detyrë pa dëshirë,- tregon Beqiri,- unë atëherë vazhdoja të punoja si muzikant në Estradën e Shtetit.

Megjithatë, im vëlla e mposhti dëshpërimin e iu përvesh punës së mjekut duke u shërbyer njëkohësisht ushtarëve e fshatarëve.”

Sipas Beqirit, Gramozin e lajmëruan të merrtë pjesë në një seminar që zhvillohëj në Shkodër me mjekët e zonave. Por komandanti i Vermoshit nuk e lejoi. Duke e ndier veten shpirtërisht të lënduar, djaloshi, pa u menduar mirë, mori rrugën e Tiranës. Eqremi, pasi mësoi ç’i kishte ndodhur të birit, duke parashikuar një fund të hidhur, e këshilloi Gramozin të paraqitej e të ankohej në ministri, të kthehej sa më parë në Vermosh e të bisedonte me komandantin. Por tashmë ishtë vonë. Tirana kishte komunikuar me Shkodrën dhe Vermoshin kur mjeku i repartit ushtarak u paraqit para komandantit…Ushtaraku i lartë nuk pranoi katëgorikisht sqarime nga vartesi. Për më tëpër, e shau dhe e terrorizoi deri në atë pikë sa i nxori edhe revolverin. Tani merret me mend frika që pllakosi shpirtin e të riut, i cili, në një gjendje të traumatizuar, të paekuilibruar dhe pa ndihmën e askujt, pa u menduar shumë për pasojat, tentoi te arratisej në Jugosllavi.

“Më 10 shtator 1963,- vazhdoi Beqiri,- erdhi Sigurimi në shtëpinë tonë, në Tiranë, e na njoftoi së Gramozi ishte arratisur… Pas pak kohë më pushuan nga puna në Estradë, ku punoja…Babait të sëmurë, kur mori vësh lajmin e zi, iu rëndua më shumë gjëndja shëndëtësore …Nëna qante në heshtje. Të afërmit e farefisi, ca nga ca, filluan të largoheshin, sikur shtëpinë tonë ta kishte pllakosur murtaja…”

Ndërkohë Gramozi endej nëpër qytetet e Jugosllavisë duke punuar herë si ndihmës- mjek (diplomën e mjekut e kishte në Shqipëri), herë si muzikant nëpër hotele e restorante, deri sa pas disa vitësh arriti të lidhej me xhaxhanë e tij, Nëxhat Peshkëpine, në Nju-Jork, SHBA. Z.Peshkëpia i dërgoi një letër ku ndër të tjera i shkruante: “I dashur djalë, Gramoz, po të dërgoj një certifikatë-deklaratë të mikut tim, mjekut shqiptar Hamdi Urucit, që ka bërë për ty…të kërkon si ndihmës… si mjek që je…Paraqitu në konsullatën amërikanë dhe bësoj se do të të japin vizën e ardhjes këtu…”

Por fati i mjekut muzikant ishte paracaktuar nga UDB-ja, e cila në gusht 1968 e solli Gramozin, kundër vullnetit të tij, tek Hani i Hotit në Shkodër bashkë më 4-5 valixhe dhe dy fizarmonika. I arratisuri shqiptar u këmbye me dy shqiptarë kosovarë të arratisur edhe ata në Shqipëri nga Jugosllavia. Shqiptarët u këmbyen me shqiptarë…(!) Pasi e torturuan mizorisht, e dënuan me vdekje për tradhti të lartë ndaj atdhëut. Ndërsa mjeku Omari kishte katër muaj në duart e hetuësisë në Shkodër, familja e tij nuk kishte dijeni. Organet kompetente nuk kishin njoftuar. Mjeku Gramoz Omari u pushkatua natën e Vitit të Ri, kur pritej 1969-ta, në vetmi, mes heshtjes së bregut të lumit Kir dhe të qiellit të ftohtë të janarit, pa marrë me vete një lutje a një bekim nga prindërit e pjësëtarët e tjerë të familjes.

“Më kujtohet, thotë Beqiri,- se ne nuk guxonim t’ua jepnim këtë lajm të kobshëm prindërve të moshuar. Por një ditë në shtëpinë tonë erdhën njërëz nga farefisi. Nëna, e drobitur, e kuptoi së kishte ndodhur dicka e tmerrshme…Gramozi nuk jetonte më…E ndienim të gjithë dhëmbjen e thellë. Por as na shkonte ndër mënd së c’vuajtje të tjera na prisnin…”

Nën trysnine e rendit në fuqi dhe nga frika e internimit bashkëshortja e divorcoi Beqirin. Kjo ngjarje plagëlënëse nuk ishte as rasti i parë as i fundit në situata të tilla rrëqethëse…Më 16 tetor 1975, në mënyrë të bëfasishme, gjithe familja Omari: babai e nëna mbi 70-vjecarë, Beqiri, Xhemili, mjek në Elbasan, bashkë me gruan e fëmijët, u internuan në fshatin Shëq-Marinë të Fiërit, pa asnjë motivacion. Familjarët kërkuan shume herë arsyen, por pergjigjen s’e kanë marrë as sot e kësaj dite nga Kryeministria apo Ministria e Punëve të Brendshme. Në të njëjtin fshat ishin të intërnuar edhe familjet e Dhora Lekës ë Tuk Jakovës.

MË BURGOSI MUZIKA E MODUNJOS

“Na internuan që të na rrëmbenin shtëpinë dhe jo vetëm kaq,-thotë Beqiri,- dy ditë pasi na dëgdisën në rrethin e Fierit, më 18 tetor, erdhën e na lajmëruan se na kërkonte kryetari i këshillit të fshatit. U paraqita në zyrën e tij.

– Si të duket internimi? – më pyeti kryetari.
– I padrejtë! – iu përgjigja.
– Në emër të popullit arrestohesh për veprimtari armiqësore!- tha ai.

Erdhi një makinë ogurzezë, nga e cila dolën disa njerëz që më arrestuan mua, më vunë prangat në prani të prindërve, të vëllait dhe të vajzës 10-vjecare, Jolandës. Më akuzonin për agjitacion e propagandë dhe sikur gjoja punoja për përmbysjen e pushtetit popullor. Babait dhe nënës u ra të fikët. Vajza qantë papushuar…Më çuan në hetuësi, në burgun e Rajonit nr.3 të Tiranës. Tetë muaj në hetuësi. Njeriu më mirë të mos e dijë se ç’ndodh brenda atyre mureve! Nga torturat m’i thyen dhëmbët… Me gjithë dhembjët dhe drobitjet e trupit, mendja më qëndronte aty, te familja ime në fshatin e Fierit, ku i lashë prindërit në gjëndjë shumë të rëndë shpirtërore, shëndetësore dhe ekonomike. Rrahjet dhe torturat vazhdonin sepse nuk kishin fakte kundër personit tim.

Me ç’mjete do ta përmbysja pushtetin popullor, mos vallë do ta godisja me shkopinjtë e mi të xhazit?… Më në fund u gjëndën akuzat. Më dënuan me tetë vjet burg për krimin e agjitacion- propagandës, sepse isha simpatizuës i muzikës italiane, sepse…meqe isha muzikant, kisha propaganduar tek të rinjtë muzikën e Domeniko Modunjos, sepse… duke vlerësuar këngën “Çao, çao, bambina”, synoja të degjeneroja rininë shqiptare. Kur më pyetën nëse e pranoja akuzën, u përgjigja: “ E pranoj se më pëlqen muzika e Modunjos…, e pranoj se s’ngopem së dëgjuari “Çao, çao, bambina!””

Beqiri ndali bisedën dhe, me duart që i dridheshin nga nervozizmi, nxori një kasetë me këngët e Modunjos; duke e tundur atë në ajër, si ta shkundte nga pluhuri i kohës, tha: “Edhe bretkosat kur e dëgjonin Modunjon, dilnin nga uji…, jo njerëzit!… Kurse sot u behet jehone këngëtarëve shqiptarë që kanë fatin e lumtur të këndojnë në Festivalin e San Remos!…”

Sidoqoftë, me “Çao, çao, bambina” Beqiri i kishte thënë “çao…çao…” botës njërëzore duke u mbyllur për tetë vjet në burgun e Spaçit dhe në atë të Ballshit. Akuzës së dytë: “Ti jëenipi i Bari Omarit”, Beqiri i ishte përgjigjur: “…Nuk jam nipi, por kushëriri i Bahri Omarit të pushkatuar, e pranoj…ashtu siç e pranoj se jam edhe kushëriri i juristit të diplomuar në Paris, Abaz Omarit, të pushkatuar…dhe vëllai i mjekut Garamoz Omari, të pushkatuar…”

Për disa minuta Beqiri ra në heshtje dhe ne e lamë të qetë. Ndoshta atij pa dashje i ishte lënduar një plagë e largët bërtitëse. Në një gazetë të vjetër mbi tavolinë lexoheshin me vështirësi vargjët e poetit të dënuar, Visar Zhiti: “Telat me gjëmba /Si qerpikë pa sy, /Mijëra qerpikë të egër/…/Hija e telave me gjëmba /Si tatuazh skllavi nxin mbi lëkurën time/…

“Akoma më buçasin në veshë,- tha Beqiri pas pak çastesh: “Në emër të popullit- arrestohesh!”…”Në emër të popullit-dënohësh!”…Në emër të cilit popull? A mos ndoshta të nënës sime?…E gjora nënë! Kur mori vesh se isha shtruar në spitalin e burgut i sëmurë nga melena, mezi siguroi një ditë lejë dhe erdhi të më shihte…Ato pak minuta që na lejuan të takoheshim, unë nuk qëndroja dot në këmbë nga dhëmbjët e stomakut dhe duart e mbështetura pa fuqi tek hekurat më rrëshqitën. Nëna zgjati duart të më ndihmonte, por policët i bërtitën: “Mos e prek…mos e prek me dorë!”… Ua ngula sytë lotëve çurkëzuës të nënës dhe premtova në heshtje se do të mbijetoja mbi telat me gjëmba, mbi torturat, mbi ofendimet e shpirtit, deri atë ditë sa të shpëtoja nga ai burg i mallkuar e të arrija të prekja e të puthja ato duar të ngrohta e të shënjta të nënës sime.

PA PLANG E PA SHTËPI

Pasi mbaroi dënimin, në vitin 1982 Beqiri doli nga burgu dhe frymën e mbajti në Belsh të Elbasanit për të takuar prindërit dhe familjen e vëllait, që ndodheshin në internim…”Falënderova vëllain për kujdesin dhe interesimin e tij gjatë kohës që ndodhesha në burg. Vëllai im, mjeku Xhemil Omari, në fillim kishte mbledhur pambuk në arat e rrëmihte tokën,- tregon Beqiri,-më vonë i dhanë të drejtën të punonte si mjek në Kajan të Elbasanit, por pa të drejtë të kthehej në Tiranë… Putha me dhembshuri e nderim duart e lodhura të nënës dhe ballin e rrudhur të babait…Kur pashë prindërit si ishin katandisur, të moshuar e të sëmurë, nuk më hynte në sy liria që më dhanë,- ofshan Beqiri,- megjithatë, më duhej të mbijetoja…I mblodha forcat që më kishin mbetur e kuturisa të kthehesha në Tiranë, por këtu ma kishin hequr pasaportizimin. Kur shkova në komitetin ekzekutiv, shefi i pasaportizimit më tha se isha i deklasuar dhe nuk e meritoja të banoja në Tiranë e më nxori jashtë nga zyra. …Tentova të shkoja e të takoja shokët e mi në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore…

Dikur pata punuar në këtë ndërmarrje dhe isha specialisti më i mirë për prodhimin e veglave muzikore. Duart e mia bëjnë kitarë që të këndon në duar!…Shokët e mi të ndërmarrjes më pritën me lot në sy e përqafime, më mbajtën në krahët e tyre si të isha një i afërm i familjes dhe këta ishin Dhimitër Nika, Gëzim Liku, Ibrahim Tafaj e të tjërë, të cilët nuk i harroj kurrë…Pasi u çmallëm, shoku im Dhimitri më pruri vajzën time, Jolandën. Ajo ndodhej aty mbasi kishte ardhur me shkollën për të bërë praktikën në atë ndërmarrje. E kisha lënë Jolën 10 vjeç e tani ë gjeja 18 vjeç…Kur përqafova vajzën, u ngashëryem që të dy e nuk e lëshonim njëri-tjëtrin… Në ato minuta lumturie më fluturuan para syve tetë vjetet e burgut…, galeritë vdektare të piritit dhe bakrit në Spaç, ku punonim si kafshët, njerëz të shkelur në baltë, birucat e akullta ku mblidheshim kokë e këmbë lakuriq, kambanat alarmuese që mblidhnin rreshtat e ngrirë te të burgosurve e që ngjanin me rreshtat e ditëve boshe…skenat e shëmtuara në vetminë asfiksuëse të burgut!…Ngrita sytë përpjetë…U luta: “Zot, më jep forcë e shëndet të kujdesem për prindërit e fëmijët”…Vajza, akoma pa u shkëputur nga krahët e mi, më pyeti për nënën e babain për të cilët e kishte marrë malli…”

Pas disa ditësh i ati e çoi Jolandën në Belsh ku ajo u takua e u cmall me gjyshin e gjyshen…Aty Beqiri mësoi nga i ati se A. Sinani, inxhinieri specialist i fabrikës së bukës në Tiranë, kishte ardhur në Elbasan për t’u konsultuar me inxhinierin e internuar Eqerem Omari, për teknologjinë e përpunimit të dritherave të bukës. Dhe kjo nuk ishte hera e parë. Z. Eqerem jepte me kënaqësi pervojen e tij qe nga vendi i internimit. Beqiri u kthye në Tiranë e filloi të trokiste në dyert e të adresuarve dhe gjeti punë nëpër familje te ndryshme duke punuar si mobilier. Ai e njihte shumë mirë profesionin e mobilierit dhe punonte herë ketu, here atje, për të nxjerrë bukën e gojës. Pa shtëpi, pa pasaportizim…kushërinjtë kishin frikë ta afronin…”Shkoja vetëm sa për të fjetur natën vonë te familja e një kushërire dhe e lija shtëpinë që pa gdhirë për të mos më parë njeri. Pasuria e vetme ishte një biçikletë, e cila gjatë orës së çlodhjes, pasditeve, më çonte tek parku “Rinia” perballe hotel “Dajtit”. Shtrihesha në një bankinë dhe biçikletën e lidhja me zinxhir pas këmbës. Nuk e di në flija apo ëndërroja, duke kujtuar vitet kur isha pjesëtar i orkestrës në atë hotel luksoz, veshur me kostum serioz e me kravatë…Tash, pa plang e pa shtëpi, frekuentoja banjat popullore duke larë njëkohësisht edhe rrobat e trupit, të veshura në trup. Ndërresat i mbaja në biçikletë, e cila ishte edhe “shtëpia” ime…”

Familja e Beqirit zotëronte dikur toka në Levan të Fierit, por ai nuk gjente as dy pëllëmbë tokë ku të mbështëste kokën e të çlodhte trupin, i cili akoma ruante shenjat e torturave të burgut e të birucës… Mbas tre vjetësh jetë bredharake Beqirit i ra fati të punonte në familjen e një zyrtari. I zoti i shtëpisë, duke vleresuar se tepermi punën e shkëlqyer të duarve të Beqirit, ndërhyri pranë organeve shtetërore dhe i siguroi pasaportizimin dhe një vend pune si punëtor ngarkim- shkarkimi në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore. “Shokët e punës u gëzuan kur më panë përsëri pranë tyre dhe, falë ndihmës së tyre, u strehova në një bodrum nën tokë, që ishte pjesë e ndërtesës së ndërmarrjes…”Banesa” ime nuk kishte as drita, as ujë, por… sidoqoftë kisha një shtëpizë ku të futja kokën… Pikërisht atëhëre më erdhi lajmi i vdekjës së babait në internim, që më hidhëroi e më shkaktoi dhembje shpirtërore.

Por hidhërimit të vdekjes iu shtua edhe lajmi i shëmtuar së nuk na jepnin leje ta varrosnim babën në qytetin e Elbasanit! Atë baba, i cili dikur, kur studionte në Francë, kishte fjetur në të njëjtën dhomë me bashkëgjirokastritin Enver Hoxha!… Me ndërhyrje të shumta u arrit më në fund të gjëndeshin dy metra tokë në varrezat e Elbasanit edhe për prindin tonë, intelektualin e shquar, që dallohej për idealet etike, qytetare e shoqërore. Nënën time të dëshpëruar, të vuajtur e të sëmurë, e mora për disa kohë të banonte me mua në Tiranë, duke e lënë vëtëm vëllanë me gruan dhe tri vajzat. Në atë bodrumin e errët erdhi të banonte edhe vajza ime, Jolanda, e cila nuk i ndahej gjyshes asnjë çast. Nuk kaluan dy vjet e na vdiq nëna, vdekje qe na pikëlloi pa mase mua dhe Jolandën…”

Duke përcjellë Fejzien në varreza, dukej sikur ajo dramatikisht merrte me vete të gjitha vuajtjet e familjes…, fatin ndjellakeq, ankthet dhe klithmat e së kaluarës, lotët e hidhur…

Dhe vërtet, pas asaj dite, vajzës i doli e drejta e studimit për në universitet, me përpjekjet këmbëngulëse e te jashtëzakonshme të baba Beqirit të “deklasuar”, kur prindër të tjerë “të klasuar” nuk arrinin dot t’i shkollonin fëmijët… Beqiri pati fat e u martua me Dylfiqarën, bijë nga një familje fisnike kavajase, e cila solli pak dritë në atë bodrum pa dritare…”Kur erdha të banoja në atë birucë,- thotë Dylfiqarja,- çdo mëngjes dyshemeja mbushej me ujë që rridhte nga muret. Ujin e pastronim me kova …Megjithatë ne krijuam një familje të ngrohtë e të pastër…Unë dhe Jolanda mundoheshim ta qetësonim e ta rehatonim zemrën e plagosur të Beqirit…Fejesa e Jolandës me Dhimitrin nga Durrësi dhe martesa e tyre ishte fillimi i jetës së re…”

MIRË SE ERDHE NË SHTËPINË TIME, MISTER TONY LLOYD

Për disa minuta Bëeiri po zgjidhte e veçonte videokasetat, deri sa nxori njerën prej tyre dhe e vendosi në boks. Në ekranin e televizorit u shfaq mjedisi i një apartamenti të bollshëm e modern, me pajisje e mobilim të kohës, me vizitorë që hynin e dilnin duke u përshëndetur me Beqirin dhe Qarën (Dylfiqarën).

“Sa e sa lot ishin derdhur nga njerëzit e familjes sonë, – tha Beqiri,- deri sa fitoi demokracia, deri ditën që arritëm të banonim në këtë apartament me tri dhoma e me shumë dritë, që e keni ketu, para syve. Më 1996 lamë bodrumin në kazermat e Ali Rizait në Qytetin e Nxënësve dhe erdhëm të banojmë në Tiranë, në pallatin e të përndjëkurve politikë, në Rrugën e Kavajës.”

Pallati i të përndjekurve ishte ndërtuar me ndihmën e fondeve nga Evropa e Bashkuar nën inspektimin e shtetit anglez. Ministri i Punëve të Jashtme i Anglisë, z. Tony Lloyd, mbulonte shtetet e Ballkanit në ato vite. “…Akoma pa u mësuar me salltanetet e shtëpisë së re, që s’u besonim dot syve,- flet me humor Beqiri,- trokasin në derë (akoma s’na kishte ikur frika nga trokitjet e derës!) dhe kësaj here na erdhi haber i mire:… pas një jave do te vinte mysafir në shtëpinë tonë zoti Tony Lloyd.” Më tej s’ishte nevoja të fliste i zoti i shtëpisë, sepse ne e ndiqnim vizitën në televizor. Z. Lloyd u përshëndet më Beqirin, Xhemilin, me pjesëtarë të familjes dhe disa miq të shtëpisë, të përndjëkur politikë. Sipas zakonit, zotin Lloyd e ulën në krye të vendit…”Shikoni si e kishte mbushur tavolinën Beqiri,- bën shaka Qarja,- nuk kishe nga t’i lëvizje duart nga gjith ato lloje te ngrenash e te pirash!”

“-Zakoni i shqiptarit!”,- tha Beqiri dhe na tregoi me gisht znj. Katrina, zëvëndësambasadoren e ambasades angleze në Tiranë.- “Ishte 6 shkurt 1998, -vijoi Beqiri,- pallati ynë u rrethua me policë… Erdhi znj. Katrina e na tha së z. Lloyd do të rrinte vetëm 20 minuta. Por miku anglez, i shoqëruar nga punonjës të ambasadës, ndenji në atë banket një orë e 20 minuta dhë ju e shihni në film se sa i kënaqur duket. Ai bisedoi me mua, me Musa Maçin dhe me Agim Mustën, i cili pat formuar partinë socialdemokrate në Tiranë më 1962…Unë nuk dija anglisht, por me ndihmën e përkthyesit ia thashë se ia thashë nja dy fjalë zotit Lloyd:

…” Fajtor kryesor për tragjedinë në Shqipëri është Çurçilli,”- i thashë…”Pse?”,- më pyeti ai…”Sepse ai shpëtoi vetëm Greqinë nga komunistët, kurse ne na la me Stalinin, dhe ja…, po vuajmë akoma edhe sot e kësaj dite… Mbetëm për 50 vjet jetimë, pa prona e pa liri!…”

Zoti Lloyd kishte parë foton bardhezi të një oficeri, varur në mur, dhe kishte pyetur: “Kush është ai?” …”Është vëllai im që ma ka vrarë komunizmi”, – i ishte përgjegjur Beqiri.- “Por nuk duam hakmarrje… duam të veprojë drejtësia!” Z.Lloyd ishte ngritur në këmbë dhe e kishte përqafuar Beqirin duke i thënë: “Keni të drejtë!”

NJE JUBILE I TRISHTUESHËM

Në fillim të viteve ’90 dy vëllezërit e Gramozit u vunë në kërkim të eshtrave të tij, pas shumë përpjekjesh për të mësuar vendin e ekzekutimit, i cili ishte në Zall të Kirit, por vetëm kaq. Ku ishte varrosur? Disa dëshmitarë supozonin se trupi i pajetë i Gramozit ishte sjelle në morgun e Tiranës për t’i shërbyer praktikës së studentëve të mjekësisë, por edhe kjo nuk konfirmohej zyrtarisht. …” Plaga ime ende pikon vrer,-ofshan Beqiri, ndoshta dhe shpirti i tim vëllai ende fluturon dhe kërkon një vend ku të prehet.…Familja jonë as e pa ate, as e dëgjoi zërin e tij të ëmbël, të dashur… tamam naten gazmore të Vitit të Ri, kur njerëzit këndonin e vallezonin, vëllai ynë 28-vjecar, me dridhje të zemrës qëndronte pas hekurave të qelisë e priste me agoni ditën e re, pse jo, t’i gëzohej edhe një dite në qoftë se i jepej. Por ai s’e gëzoi as atë…U shua jeta e një djali të ri në familjen Omari në kohën që ne prisnim dasmën e tij…Miqtë e shokët u tronditën për këtë dënim makabër.”

Pikërisht këta miq e shokë, familja, kolegët e mjekësisë e të artit, tridhjetë vjet më vonë, në tetor 1998 organizuan një mbrëmje përkujtimore në sallën e Lidhjës së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, kushtuar 60-vjetorit të lindjes dhe 30-vjetorit të pushkatimit të mjekut dhe muzikantit Gramoz Omari. Mbrëmja filloi me fjalimin e shkrimtarit Skifter Këlliçi, i cili pat qënë edhe shok fëmijerie me Gramozin. Midis të tjërash, ai vuri në dukje aftësitë intelektuale dhe artistike të Gramozit, vullnetin për të mësuar gjuhë të huaja, bibliotekën e tij me libra të shumte që lexonte…, ëndrrat, të cilat ai, për fat të keq, nuk i plotësoi dot, iu ndërprene në lulen e rinisë. Beqiri në atë mbrëmje shprehu dhembjen që atë natë aty mungonte vëllai i dashur, ëndrra e të cilit ishtë liria, demokracia dhe muzika.

Ai e konsideroi fatkeqësinë e vëllait e të familjes së tij si pjese te tragjedisë kombëtare që u shkaktua nga komunizmi. Foli më tej muzikanti Robert Radoja, i cili luajti së bashku me Lorenc Radovanin një pjesë të një kompozitori italian që i pëlqentë Gramozit. Skënder Sallaku solli kujtime nga jeta që kishin kaluar në Estradën e Ushtrisë së bashku me G.Omarin, A Krajkën e të tjerë. Shokët e Gramozit hodhën poshtë akuzën e dënimit: “Tradhti e lartë ndaj atdheut!” Kur jepnin shfaqje me estradën nëpër repartet ushtarake të kufirit, ata, padashur, e kishin kaluar disa herë kufirin…Rastet kur Gramozi mund të arratisej ishin me qindra…Artisti i njohur i skenës dhe ekranit, Robert Ndrenika foli per hidhërimin që ndjeu kur mori lajmin se kishin pushkatuar një të ri plot energji dhe talent në art. Më tej shkrimtari Zyhdi Morava recitoi një poezi kushtuar Gramoz Omarit në 60-vjetorin e lindjes: “ Ti mund të ishe sonte mes nesh, / Gramoz, i qeshur, si qershia kur qesh/…/Ëndrrat e tua, zogj që bridhnin pa frikë, /Binjake të lirisë bërë copë e çikë,/…/I bukur, i mëncur, i dashur, i zgjuar, /Dashuri e liri, qenërisht pushkatuar, /Sfidë e së keqes, të ndjejmë mes nesh, /Gramoz, i qeshur si qershia kur qesh…/

NJË IKJE PA THËNË “LAMTUMIRË”

Beqir Omari dhe bashkëshortja e tij Dylfiqarë udhëtuan drejt brigjeve të Amerikës në tetor 1999 si azilantë politikë, duke lënë prapa fantazmat e së kaluarës. Ata sot jetojnë në Kuinci (Quincy), Mass, ku bëjnë një jetë të qete duke qeverisur shtëpinë por edhe duke ndihmuar familjen e Jolandës në shtëpinë e saj të posablerë në South Shore. Por kujtimet janë gjithnjë aty, pranë sofrës, tek fotografitë, letërkëmbimet me miqtë e të afërmit, koleksionet e gazetave. Beqiri mban korrespondencë me ish- të përndjekurit politikë që banojnë në atdhe e në SHBA, si edhe me liderët e disa organizatave patriotike. Ata shfaqin shqëtësimin e tyre lidhur me qeveritë shqiptare, të cilat nuk kanë bërë aq sa duhet për kujdesin dhe për kthimin e pronave të ish familjeve të përndjekura.

…Gazeta lokale “Thë Patriot Lëdgër” e Kuincit ka botuar një shkrim kushtuar familjes Omari me titull “Refugjati shqiptar gjen paqe gjatë qëndrimit në Amerikë”, ku sipas kujtimeve, përshkruhet shkurtimisht jeta e familjes Omari me vuajtjet e njëpasnjëshme. Gazetari heq vija paralele mes tmerreve të jetës së Beqirit dhe tragjedive të shumë familjeve refugjatësh nga Kamboxhia, Vietnami etj, që banojnë në Amerikë, në atdheun e tyre të dytë dhe hedhin rrënjë në komunitetin amerikan…”Miqësia me Amerikën e madhe na ka shpëtuar…, sepse SHBA na është gjëndur dhe na gjëndet neve shqiptarëve në kohë të vështira…”,- i pohon B.Omari gazetarit intervistues.

…Beqiri çdo ditë pi kafen ulur në kolltuk pranë dritares dhe e tret vështrimin tej në horizont ku përplasën dallgët e Atlantikut… Kthimi pas te kujtimet i ngjan vuajtjes… një prangimi psikologjik… Kujtimet e ish- të burgosurve politikë që kanë mbijetuar, janë “arkiva të gjalla” të përndjekjeve, hetimeve, gjykimeve dhe e ndalimit të lirisë për motive politikë…dhe ky ishte një terror masiv, që i zgjaste metastazat e kalonte cdo prag shtëpie, duke bërë fole në shpirtrat e trazuar dhe frikësuar të njerëzve.…Zai Fundoja, komunisti idealist i Kominternit, ka deklaruar: “Komunizmi, që ne e idealizuam si Krishti, ia kaloi edhe Satanait nga ligësitë…” Për të vijuar më tej me thënien e don Pal Gjinit: “Bolshevikët…, zotnuësit e tokës…, po të mundnin, do t’i hidhshin dinamit edhe qiellit, për me zhdukë Zotin e Gjithësisë” …Beqirit s’i ndahet shqetësimi për të gjetur eshtrat e të vëllait… Ecejaket e familjarëve që kërkojnë eshtrat e të afërmve nuk kanë te mbaruar… ”Kur më ra goditja e dytë cerebrale,- kujton Beqiri,- arrita t’i belbëzoj me fjalë shqip mjekut amerikan: “Doktor, mos më lër të vdes pa plotesuar një amanet që më kanë lënë prindërit e mi… U kam premtuar të kthehem në vendlindje, t’i gjej eshtrat e tim vëllai e t’i varros pranë varreve të tyre…” Doktori, qe ishte me origjinë egjiptiane, nuk i kuptoi fjalët shqip të Beqirit, por falë mbiemrit të tij “Omari”, pas shërimit i tha: “Të shërbeva siç mund t’i shërbehet një vëllai!”

…Jolanda, vajza e Beqirit, dhe drita e syve të tij erdhi në SHBA më 1997 me strehim politik. Ajo filloi punën në Universitetin e Bostonit si office manager (përgjegjëse zyre), ndërkohë që vazhdonte masterin për psikologji. Dhimitri, i shoqi, punon në World Trade Center të Bostonit. Që nga fëmijëria e deri sot, nënë e dy djemve, si tek kukullat ruse zhigonje, Jolanda ruan në thellësi të shpirtit dashurinë, mirënjohjen dhe respektin për gjyshërit Omari. “Gjyshi Eqerem dhe gjyshja Fejzie kanë qenë cifti më ideal që kam njohur deri më sot, -thotë ajo.- Nga gjyshi kam kujtim mësimet e para të anglishtes, nga gjyshja, përkujdesin dhe ëmbëlsinë që mund ta dhurojë vetëm shpirti i një gjysheje. Mbaj mend një dhomë të tërë mbushur me libra në gjuhën italiane, frenge, angleze dhe libra të vjetër në gjuhën shqipe.

Mbaj mend se ditën që na internuan dhe arrestuan babane në sytë e mi, gjatë kontrollit që u bë në dhomë, u shkatërruan e u shpërdoruan gjithë ata libra. Gjyshërit e mi nuk e meritonin atë fat!…Babai im është goditur shumë rëndë nga diktatura komuniste dhe si të gjithë viktimat që e kaluan aq rëndë atë periudhë, ai sot është “invalid mendor dhe emocional”…Që nga ajo ditë kur babai doli nga burgu e deri sot unë jam munduar t’i qëndroj pranë, por ky është një rol tepër i dhembshëm dhe i vështirë, pasi unë nuk mundem dot t’ia shlyej nga kujtesa tmerret e diktaturës. Skenat e vuajtjeve e të tmerrit i janë skalitur në tru dhe ai nuk do t’i harrojë kurrë ato”… “Mbase dy djemtë tuaj i japin kurajo dhe paqë gjyshit Beqir”, – i them unë.

“Djalit të vogël ia kam vënë emrin “Gramoz”, kështu, baba Beqiri vazhdon ta thërresë në emër edhe sot vëllane e tij të dashur… Dy djemtë e mi Kristi dhe Gramozi studiojnë në një gjimnaz privat me rezultate shumë të mira në mësime, duke na bërë krenarë ne si prindër dhe gjyshërit Omari. Djemtë e mi janë gjithashtu të angazhuar në mësimet e pianos, në mësime private për aerodinamikën dhe gjithashtu aktivizohen në baskëtboll. Kristi ka dhënë disa koncerte me piano, pjesë të Shopenit, ndërsa Gramozi sapo fitoi konkursin e gjeografisë dhe mori çmimin e parë për shkollën e tij. Kristi, kur mbaroi klasën e tetë, mori një letër nga presidenti Bush, i cili e përgëzonte për arritjet e shkëlqyera në shkollë.”

Kur flet për nipërit e vet, Beqirit i vezullojne sytë nga një refleks i dridhshëm si drita. “Përvec studimeve, -shton ai,- djemtë merren edhe me muzikë…, shkon pas damarit të familjes sonë. Ata të dy shpesh luajnë piano së bashku dhe japin koncerte për banorët në pallatin ku banon gjyshi e gjyshja. Kristi e Gramozi luajnë me partiturat e xhaxhait, Gramozit, por ato janë më tëpër për fizarmonikë. Partiturat e vjetruara nga vitet ata i ruajnë si relike të shenjta nga xhaxhai i tyre”,- përfundon i ekzaltuar Beqiri.

…Tashmë dita e shkurtër e janarit ia kishte lënë vendin natës së errët, e cila i ngjante një mikrobote me thirrje fatndjellëse buçimtare. Atë çast kisha në kraharor një ndjesi të zgavërt… Kishin kaluar 38 vjet nga 31 dhjetori i vitit 1968 dhe ne shtëpinë e Omarëve nuk festohet Viti i Ri. “Trokëllima e gotave në veshët e tyre ushton si breshëri plumbash…!”

Boston, janar 2007

Please follow and like us: