Turqi, spastrimi kap shifra alarmante, mbi 50 mijë të arrestuar, shkarkuar dhe pezulluar
Më shumë se 50 mijë njerëz janë arrestuar, shkarkuar apo pezulluar nga detyra nga ana e qeverisë turke, në vazhdën e spastrimeve pas grushtit të dështuar të shtetit të javës së kaluar. Ndërsa akademikëve u ndalohet të dalin nga vendi.
Spastrimi i atyre që konsiderohen si jobesnikë apo kundërshtarë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan u thellua edhe më tepër gjatë së martës, teksa u prekën edhe mësues, dekadë universitetesh, si dhe anëtarë të medieve.
Qeveria thotë se të gjithë këta janë aleatë të klerikut që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, i cili nga ana e tij mohon pretendimet se ai ka qenë orkestruesi i trazirave dhe “puçit” të organizuar nga një pjesë e ushtrisë.
Kryeministri Binali Yildirim tha se kleriku udhëheq një “organizatë terroriste”. “Ne do t’i zhdukim ata nga rrënjët”, tha ai përpara Parlamentit turk.
Turqia i ka ushtruar presion Shteteve të Bashkuara për ta ekstraduar Gulenin, ndërkohë që çështja është ngritur edhe gjatë një bisede telefonike mes Presidentit amerikan, Barack Obama, dhe homologut të tij turk, Tayyip Erdogan, ditën e martë. Kështu njofton Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi Josh Earnest tha se vendimi mbi faktin nëse duhet apo jo të ekstradohet Gulen, do të merret bazuar mbi një traktat të nënshkruar mes dy vendeve.
Një zëdhënës i qeverisë turke tha se Shtetet e Bashkuara duhet ta ekstradojnë klerikun “për shkak të dyshimeve”, e jo të kërkojnë fakte për akuzat ndaj tij. “Ekziston një dyshim tepër i fortë për përfshirjen e tij në përpjekjen për grusht shteti. Ky besoj se është argument i mjaftueshëm”, tha zëdhënësi Ibrahim Kalin.
Nga ana e tij, Gulen thotë se pretendimet, sipas të cilave ai qëndron pas përpjekjes për grusht shteti, janë “qesharake”. “Nxis qeverinë amerikane të refuzojë çdo përpjekje për të abuzuar me procesin e esktradimit, që ka në bazë vetëm hakmarrjen politike”, tha ai përmes një deklarate.
Presidenti Erdogan pritet të kryesojë takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe atë të kabinetit të tij në kryeqytetin turk, Ankara, gjatë kësaj të mërkure, pasi është rikthyer në qytet për herë të parë që prej grushtit të dështuar të shtetit.
Detyra e Erdoganit është të rivendosë stabilitetin në vend pas trazirave të fundit, si dhe të sigurojë se vendin dhe aleatët e Turqisë se ai nuk po zhvillon një “gjueti shtrigash” kundër shumë prej kritikëve të tij.
Pentagoni tha se janë zhvilluar ndërkohë bisedime gjatë së martës mes Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Ashton Carter, si dhe homologut të tij turk, por në themel të këtyre bisedimeve ka qenë baza ajrore e Inçirlikut në jug të Turqisë. Baza përdoret nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të në betejën e tyre kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.
Deri më tani, media turke raporton se:
1. 15.200 mësues dhe staf eduktativ janë shkarkuar
2. 1.577 dekanë universitetesh janë urdhëruar të dorëhiqen
3. 8.777 punonjës të Ministrisë së Brendshme kanë dhënë dorëheqjen
4. 1.500 pjesëtarë të stafit të Ministrisë së Financave janë shkarkuar
5. 257 persona që punonin në zyrën e kryeministrit janë shkarkuar.
Ndërkohë, trupi rregullator mediatike (ekuivalenti i AMA-s në Shqipëri) ka revokuar licencat e 24 radiove dhe kanaleve televizive, të akuzuara për lidhje me Gulenin. Lajmi vjen pas arrestimeve të mbi 6.000 ushtarakëve dhe shkarkimit të afro 9.000 oficerëve të policisë. Gjithashtu edhe 3.000 gjykatës janë pezulluar.