ILDKPI nis verifikimin e pasurive për zyrtarët e lartë
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, (ILDKPI), ka nisur verifikimin e pasurive për vitin 2015, për zyrtarë të lartë shtetërorë. Bëhet fjalë për të gjithë kategoritë që në bazë të ligjit duhet të deklaronin pasurinë e tyre çdo vit.
Sipas burimeve nga ILDKPI, tashmë ka filluar verifikimi i pasurisë së tyre dhe të parët në listë janë drejtorë në drejtori të ndryshme, doganierët, deputetët, ministrat, krerët e institucioneve të rëndësishme në vend dhe të tjerë. Prioritet për inspektorët e ILDKPI do të ketë kontrollimi i pasurive për deputetët. Fillimisht do të kontrollohen ata ligjvënës të cilët në deklaratat e tyre të pasurisë për vitin 2015 kanë deklaruar transaksione në vlera të mëdha, apo pasuria e të cilëve është rritur ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Konkretisht, mësohet se aktualisht në terren janë rreth 60 inspektorë të ILDKPI, të cilët po merren me inspektimet e pasurive, shkruan “Sot”
Gjithashtu, ILDKPI ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Financave për çeljen e një fondi për 10 inspektorë të rinj, pasi numri aktual i inspektorëve nuk është i mjaftueshëm për të kontrolluar numrin e madh të zyrtarëve të lartë, të cilëve do t’u verifikohen deklaratat e pasurisë për vitin 2015. Kërkesa e ILDKPI është pranuar nga Ministria e Financave dhe më datën 1 shtator, 60 inspektorëve që aktualisht janë duke punuar për verifikimin, do t’u bashkohen edhe 10 të tjerë duke e çuar në 70 numrin total. Në çdo rast kur inspektorët konstatojnë, kanë paqartësi apo dyshojnë për konflikt interesi, ata thërrasin për sqarime zyrtarin në fjalë, duke i kërkuar të dhëna, informacione dhe qartësime shtesë.
Çdo ditë në zyrat e ILDKP hyjnë zyrtarë të kategorive të ndryshme për t’u përgjigjur para inspektorëve, rreth interesave të tyre private dhe pasurisë. Pas procesit të deklarimit të pasurisë për vitin 2015, tani të gjithë inspektorët e ILDKP janë duke verifikuar një e më një të gjitha dosjet, sidomos atje ku zyrtarët kanë deklaruar pasuri të mëdha, apo dhe në raste të tjera kur ka hetime dhe nga organe të tjera. Ndryshe nga disa vite më parë, kur qindra dosje qëndronin në rafte ose nuk ekzistonin fare, burime nga ILDKP kanë sqaruar se po bëhet një punë intensive për të zbuluar të gjitha rastet e fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave, apo konfliktit të interesave.