Albspirit

Media/News/Publishing

NGULIMET SHQIPTARE NË ITALI DHE GJUHA E TYRE

Shtegtimi në masë i elementit shqiptar për në Itali nisi e u krye në pjesën më të madhe gjatë shekullit XV, një nga epokat më dramatike të historisë së Shqipërisë, kur populli nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit luftoi luftën e pabarabartë kundër pushtuesvet osmanë. Sidomos pas vdekjes së këtij heroi e pas pushtimit të vendit shumë gjind parapëlqyen një ekzistencë qoftë dhe të pasigurtë në dhe të huaj nga zgjedha e pushtuesit në atdhenë e tyre.

Eqrem Çabej

Në fushën e studimeve shqiptare ngulimet e përhapura në Greqi, Itali jugore e Siqeli, për vjetërsinë e themelimit të tyre e për shkëputjen e hershme nga trungu i përbashkët, janë me rëndësi si për historianin ashtu dhe për etnografin e onomastin. Po janë në mënyrë të veçantë edhe për gjuhëtarin, i cili gjen në dialektet e tyre gjurmët e një faze të përparme të shqipes dhe mund ta rindërtojë gjer diku këtë me anën e atyre.
Shtegtimi në masë i elementit shqiptar për në Itali nisi e u krye në pjesën më të madhe gjatë shekullit XV, një nga epokat më dramatike të historisë së Shqipërisë, kur populli nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit luftoi luftën e pabarabartë kundër pushtuesvet osmanë. Sidomos pas vdekjes së këtij heroi e pas pushtimit të vendit shumë gjind parapëlqyen një ekzistencë qoftë dhe të pasigurtë në dhe të huaj nga zgjedha e pushtuesit në atdhenë e tyre.
Shpërngulja dhe vendosja e këtij elementi etnik janë kryer në dritë të plotë të historisë dhe kanë qenë trajtuar në plot studime të veçanta. Megjithatë gjer më sot kanë mbetur të pa­sqa­ruara nga shumë anë, bile dhe në disa pika kryesore. Arsyet për këtë gjendje janë të ndryshme. Më një anë sidomos për rrethanat e shpërnguljes mungojnë dokumenta nga dheu mëmë, po të lëmë mënjanë traditën gojore. Më anë tjetër për vendosjen në atdheun e ri arkivat e mëdha dhe arkivat krahinore e lokale të Italisë për një pjesë të madhe nuk dihen ose nuk janë shfrytëzuar në masën e duhur. Më anë tjetër edhe interpretimi i dokumentave të ditura shumë herë nuk ka qenë objektiv nga pikëpamja shkencore. Nga dokumentat që përmbajnë privilegje për banorët e këtyre ngulimeve ka shumë që janë kopje të mëpastajme ose që janë hartuar më vonë. Gjithsesi dokumentat që janë presin një shqyrtim për nga ana e vlerës burimore dhe e autenticitetit të tyre.
Shtegtimi shqiptar në Itali nuk është kryer përnjëheret, po me disa valë të ndryshme, të cilat shkojnë afërsisht prej mesit të shekullit XV gjer aty nga viti 1744, kur u themelua Villa Badessa në Abrucet. Duke kaluar disa grupe sporadike që shfa­qen atje në vjetet 1272, 1388, 1393 etj., si valë të parë do të përmendim një tufë të shpërngulurish të vitit 1442. Një tjetër valë na del në qytetin Ankona (1458) e një tjetër në qytetin e afërt Rekanati (1479), kjo e dyta diktuar nga poeti Giacomo Leopardi. Për vitin 1461 kolonistë shqiptarë dëshmohen bashkë me sllavë dhe në Castelluccio dei Sauri në Apuli veriore. Në një letër të vitit 1467 thuhet ndër të tjera “fra l’altri Albanesi quali so passati et passano omni di in questo nostro regno”. Po nga ajo kohë përmenden për qytetin e Brindisit një tufë ikësish, të cilët sjellin lajmin atje për dukjen e sulltan Mehmetit II në afërsitë e lumit të Erzenit. Një valë shqiptarësh të Greqisë na dëshmohet për vitin 1482.
Me rënien e Krujës më 1478 një valë e re iku në mbretërinë e Napolit, me të edhe i biri i Skënderbeut, Gjoni. Fisi i Kastriotëve në vijë mashkullore u shua që në shekullin XVI. Pak dihet ndërkaq që një bir i kësaj dere, edhe ky me emër Gjergj Kastriota, rreth 1498-s u vendos me gjithë familje në qytet të Amalfit në Kampani. Në përmendoren e varrit të familjes së tij ndërtuar më 1506 në kishën kryesore të qytetit, ruhej mbishkrimi që japim më poshtë, me një shqiponjë dykrenore përsipër e të stolisur me kurora e me stemën e Kastriotëve në krahëror. Nga kjo derë përmendet në atë qytet më 1516 një Antonio Castriota dhe një Amalphiae Magnificus Dominus Georgius Castriota procurator Monasterii S. Laurentii, e për herë të fundit, më 1625, kanoniku Andrea Castriota.
Në Venedik gjejmë të shpërngulur shqiptarë më 1388 e 1444, po me shumicë sidomos pas rrethimit edhe rënies së Shkodrës më 1479. Kjo koloni kryesisht zejtarësh të ndryshëm e tregtarësh u zmadhua me kohë me njerëz të ardhur prej viseve të ndryshme të Shqipërisë veriore e jugore, të cilët kanë pasur dhe esnafet e tyre. Mendimi i F. Babingerit që Marco Basaiti, piktori i njohur venecian i viteve 1500-1530, të ketë qenë i gjakut shqiptar, gjen vërtetim tani me faktin e diktuar prej nesh që familje me emër Bazaiti ka edhe sot në qytet të Delvinës.
Elementi arbëresh i Italisë gjatë këtyre pesë shekujve që nga ngulimi i tij në ato anë ka pësuar mjaft ndryshime dhe humbje në numër, sidomos nëpër qytete. Megjithatë ka ruajtur përgjithësisht me një qëndresë të çuditshme gjuhën dhe vetitë etnografike. Sot flitet shqip në 49 lokalitete a katunde të Italisë jugore e të Siqelisë, në Abrucet, Molize, Kampani, Bazilikatë, Kapitanatë, Apuli, Kalabri e Siqeli, me një popullsi rreth 100.000 frymë. Zhvillimi dhe fatet e këtyre ngulimeve kanë qenë të ndryshme. Më një anë disa nga to janë romanizuar, sidomos në këta dy shekujt e fundit. Më anë tjetër disa katunde nuk kanë qenë themeluar prej shqiptarësh që në krye të herës, po prej arbëreshësh të shpërngulur për arsye të ndryshme nga njëri vend në tjetrin. Kështu p.sh. S. Cristina Gela në Siqeli është themeluar më vonë, nga ata të Piana degli Albanesit. Në Kalabri nga mungesa e disa katundeve të sotme në “Libro dei fuochi”, gjatë një regjistrimi të popullsisë në vitin 1543 kuptohet se këto katunde nuk kanë qenë në atë kohë. Në ndryshimet etnike e gjuhësore të ngulimeve një pjesë e mirë u bie dhe banorëve italianë që kanë zënë vend gjatë kohëve në to; këta nga një anë kanë shtuar ndikimin sa vente më të madh të italishtes në vend, nga ana tjetër ata vetë me kohë janë shqiptarizuar nga gjuha. Te përpjestimi i emrave italianë të familjeve ndaj emrave të vjetër shqiptarë mund të shihet gjer diku shkalla e simbiozës dhe e përzierjes etnike në viset e ndryshme. Kjo ka lidhje dhe me karakterin topografik të këtyre viseve: në krahinat kodrinore e sidomos malore vetitë shqiptare të banorëve u kanë ruajtur më mirë, në fusha të hapëta si në Apuli është kryer asimilimi më heret. Në këtë kanë ndihmuar në shkallë të gjerë natyrisht edhe shkolla, shërbimi ushtarak, qarkullimi, përgjithësisht jeta moderne, jo më në fund edhe emigrimi në qytetet e mëdha të Italisë veriore si edhe në Amerikë të Veriut e të Jugut.
Popullsia arbëreshe e Italisë, poashtu si ajo e Greqisë, me punën e saj, me çeljen e tokave djerre a moçalore, me po­pu­llimin e vendeve të shkreta, është treguar një element pozitiv nga pikëpamja kulturore. Të dyja degët kanë ruajtur përveç kësaj edhe mjaft tipare të kulturës materiale e mendore të marra me vete nga vendi i të parëve, si veshjet, doket e zakonet, gjuhën e poezinë popullore, megjithëse edhe shumë kanë humbur. Besimi ortodoks në Greqi i ka çelur shteg asimilimit; në Itali përkundrazi, me një popullsi vendëse të ritit latin, ka qenë një faktor i ruajtjes etnografike e gjuhësore. Në lidhje me gjuhën do shtuar se si atje si këtu ndonjë fjalë e shqipes ka depërtuar në gjuhën e popullsisë që i rrethon. Në Greqi ndërkaq toponimia shqiptare është më e pasur se në Itali, ajo paraqitet edhe nëpër vise ku sot nuk ka mbetur më gjurmë shqiptarësh. Te të dyja elementet ruhet edhe emri i lashtë i popullit (arbëresh) e i gjuhës (arbërisht), gjë që dëshmon se në kohën e shtegtimit shqiptar për në ato anë ky ishte emri në përdorim dhe se emri i sotëm nuk ish përgjithësuar. Ndër emra personash tek arbëreshët e Italisë ka pasur dhe disa me karakter kombëtar, si Lekë, Nerënxa, Vasha e Zoga, tani përdoren shumë ofiqe ndër ta. Në pikëpamje shoqërore është për të shënuar se ngulimet arbëreshe të Italisë, në kundërshtim me ato të Greqisë, kanë ndjerë ndikimin e një tradite kulturore të pandërprerë. Nga shtëpitë e tyre fshatare kanë dalë jo vetëm, si atje, luftarë, politikanë e patriotë, po edhe dijetarë, poetë e shkrimtarë të dëgjuar, të cilët i kanë dhënë shumë literaturës shqiptare. Mbledhja e folklorit që patën ndërmarrë ata vazhdon në mënyrë të kënaqshme dhe sot e gjithë ditën.
II

Një vështrim i gjuhës së arbëreshve të Italisë, që synon të mos jesë skematik e i njëanshëm, nuk mund të bëhet pa për­fshirë dhe rrethanat historike-etnografike që u cekën pjesërisht më sipër. Përveç kësaj do pasur parasysh dhe koncepti arbërishte e Italisë. Me këtë do të kuptohet një shqipe e folur në Itali dhe e ndikuar thellë nga ana e italishtes dhe e dialekteve të saj.
E para gjë që karakterizon këto ligjërime është që këto janë ishuj gjuhësorë. Me pak përjashtime ato janë rrethuar kudo nga një botë gjuhësore e ndryshme, e cila i veçon nga njëri-tjetri dhe përcakton njëkohësisht dhe karakterin e gjuhës së tyre. Një tjetër rrethanë që peshon në këtë mes është kjo, që këto ngulime janë themeluar në viset andej detit e përveç kësaj dhe në kohën turke. Kjo ka sjellë një zhvillim më vete e më fort të izoluar, me ruajtje të një shkalle gjuhësore të përparme e me një distancë më të madhe nga gjuha e atdheut mëmë. Kjo sidomos në krahasim me shqipen e Greqisë, tek e cila për disa arsye gjeografike e politike nuk kanë munguar krejt fijet e ndërlidhjes me vatrën e burimit të tyre. Ky karakter arkaik i arbërishtes së Italisë vihet re dhe në folklorin e saj.
Në këto rrethana folësit e arbërishtes janë bërë folës dy­gju­hësh, bile edhe trigjuhësh; ata pas gjuhës amtare që marrin në fëmijëni përvetësojnë e përdorin dhe italishten, e krahas me këtë edhe dialektin italian të krahinës ku rrojnë. Shqipja është për ta gjuha e shtëpisë, italishtja a dialekti i saj gjuha e tregut. Kështu pra bilinguizmi ka çuar aty kudo në një gjuhë të përzier, veç­se kjo përzjerje ka arritur shkallë të ndryshme në ngulimet e ndry­shme. Për këto ndryshime ka disa arësye: pozita topo­gra­fi­ke e qarkullimi, përpjestimi i popullsisë arbëreshe ndaj po­pull­si­së italiane, rrethana për të cilat u fol dhe më sipër; madhësia dhe vjetërsia e ngulimeve, në mënyrë që ato më të vo­glat e më të moçmet përgjithësisht kanë pësuar më shumë ndi­ki­min e gjuhës që i rrethon. Kështu p.sh. te Hora e t’Arbëreshvet (Piana degli Albanesi) të Siqelisë, me gjithë ndikimin e madh të italishtes, respektivisht të dialektit italian të vendit, shqipja e italishtja kanë mbetur dy sisteme gjuhësore më vete. Në të tjera ligjërime përkundrazi, si në atë të Venas në Kalabri jugore, në Kieuti të Kapitanatës e pas studimeve të M. Lambertzit dhe në ato të Molizes, shihet një ndikim italian edhe në tingujt e në format gramatikore, megjithëse ky dijetar atë e ka mbivlerësuar disi. Nuk ka dyshim që ky ndikim sa vete po shtohet, me përfundimin e ditur për gjithë ishujt gjuhësorë të botës, të cilët më në fund vijnë e shuhen për fare. Shenjat e këtij procesi vihen re që sot. Ndërsa gjer tani së fundi materiali italian i është shtruar sistemit fonetik e gramatikor të shqipes (speranza : sprënc, abitare : bitār etj.), ky vitalitet vise-vise ka zënë të zhduket. Kështu bie fjala në Kuntisë (Contessa Entellina) të Siqelisë thonë zbëllij la televisione “hape televizionin”. Shkalla e përzierjes gjuhësore ndryshon jo vetëm, si u tha, nga një vend në tjetrin, po shpeshherë edhe nga njëra lagje në tjetrën brenda një katundi. Ajo ndryshon ndërkaq dhe pas moshave, pas seksit, pas shkallës së formimit shkollor edhe pas gjendjes sociale të banorëve. Në lidhje me këto ne mendimin e dijetarit italian Francesco Pullè: “l’albanese invece conservasi solo dalle classi elevate” nuk e gjejmë veçse për një pjesë të drejtë. Vihet re përkundrazi që fshatarët e pashkollë, njerëzit e thjeshtë të popullit, burra e gra, në bisedën e përditshme të tyren përdorin përgjithësisht një shqipe më të pastër se njerëzit e shkolluar e intelektualët, të cilët zotërojnë italishten dhe mënyrat e saj të shprehjes. Edhe më shumë – po në drejtim të përkundërt – largohet nga të folët popullor gjuha e shkrimit që kanë përdorur e që përdorin poetët, shkrimtarët e teologët, të cilët zakonisht u shmangen me vetëdijë edhe italianizmave më të përditshme të ligjërimit të vet, duke marrë shpesh dhe fjalë nga të Shqipërisë. Le të shtojmë në këtë mes që shqipja atje, kryesisht në prani të italianëve, shërben nganjëherë edhe si gjuhë e fshehtë, duke përdorur ata p.sh. flutr ose fjutr për “liretë”, di fjutra t madhe “dymijë lireta”, ashtu si nganjëherë dhe në Malsi të Madhe (Gj. Shkurtaj).
Arbërishtja e Italisë në strukturën e saj përbëhet nga dy komponente: nga ajo që ka sjellë me vete prej dheut të së parëve dhe nga ajo që ka krijuar vetë ose që ka marrë së jashtmi pas ngulimit në atdheun e ri. Le t’u shtiem të dyjave nga një vështrim të shkurtër.
Gjendja gjuhësore në Shqipëri në kohën gjatë edhe pas shteg­timit arbëresh na paraqitet me dy dialekte me këto ndry­shi­me kryesore. Në sistemin fonetik, në vokalizëm zanore na­za­le në gegërishten e zanore orale në toskërishten; shqiptimi i a-së së pozicionit nazal si ë në toskërishten zâ zë, dhamb dhëmb; rë­nie e shpeshtë e ë-së fundore sidomos në gegërishten, më fort me zgjatim kompensimi të zanores së brendshme që i prin, derë dēr, rrimë rrím; o-ja nistore ruajtur si vo- në gegërishten, hapur në va- në toskërishten, voj vaj; reduktimi i ie ye ue në i, y e u të gjata në gegërishten, ruajtje e tyre si ie ye ua në toskërishten; monoftongim i diftongut ngjitës je në e në gegërishten, dhjetë dhēt; kontrakcion i grupeve vokalike ae oe në një e më shumë a më pak të gjatë në toskërishten e në gegërishten jugore, ruajtje të ndryshme të tyre në dialektet e tjera të gegërishtes. Në konsonantizëm më fort ruajtje e karakterit të zëshëm të b d g gj v dh z-së në fund fjale e rrokjeje në gegërishten, më fort shurdhim i tyre në toskërishten; rotacizëm në toskërishten; një ruajtje më e mirë e nazalit palatal nj në toskërishten, më fort zbutim i tij në j, shpeshherë me nazalizim të zanores prise, në gegërishten; ruajtje thuajse e përgjithshme e grupeve mb nd ngj në toskërishten, më fort asimilim i plotë ose i pjesshëm i tyre në gegërishten; asimilim i grupeve kl gl më shumë në prepalatalet q gj në të dyja dialektet, ruajtje e tyre në çamërishten, asimilime të ndryshme të tyre në dialektet gege. Në rrokje një ruajtje më e fortë e opozicioneve kuantitative në gegërishten. Nga format gramatikore sidomos përemri vetvetor i vet, paskajorja e formuar me parafjalën me dhe pjesorja më ‑m janë karakteristike për gegërishten. Më pak kemi të bëjmë tek e ardhmja (futuri) me një element dallimi, sa kohë që të dyja llojet e kësaj trajte kohore të përngjitur, ajo me do e ajo me kam, janë në të dyja dialektet, megjithëse e para mbizotëron në to­skë­ri­shten. Një vështrim i këtyre tipareve dialektore në lidhje me struk­turën, me përndarjen gjeografike e me gjenezën e zhvi­lli­min e tyre na dëfton së pari karakterin konservativ të gegë­ri­shtes në një periodë më të vjetër e të toskërishtes në një periodë më të re. Së dyti, në lidhje me kronologjinë e tyre, tregon që këto tipare janë formuar në faza gjuhësore të ndryshme, dhe që ato në tërësinë e tyre – e me to bashkë edhe vetë formimi i dy dialektevet kryesore – nuk arrijnë më lart se në mesjetë, në mënyrë që në mesjetën e hershme ndarja dialektore e gjuhës do të ketë qenë në shumë pika e ndryshe nga e sotmja. Për shekullin XV, koha e shtegtimeve të para për në Itali, me një krahasim të monumenteve të vjetra të shkrimit me dialektet e Greqisë e të Italisë, gjendja gjuhësore mund të rindërtohet si më poshtë në vijat kryesore: Të dy dialektet ishin të formuara dhe të dalluara nga njëri-tjetri në tiparet e tyre konstitutive. Megjithatë afroheshin më fort në mes të tyre si edhe me tipin e përbashkët të gjuhës, për arësye se gegërishtja nuk kish kryer krejt hiferezën e ‑ë‑së, thjeshtimin e diftongjeve të mirëfillta e jo të mirëfillta (je ie ye ue) dhe të grupeve konsonantike mb nd ngj dhe zbutimin e nj-së, dhe toskërishtja nivelimin e dallimeve kuantitative, dhe sepse edhe në sistemin morfologjik e në leksik kishin elemente të përbashkëta më shumë nga ç’kanë sot. Vendi i arbërishtes së Italisë, e cila na intereson këtu në radhë të parë, në këtë mes mund të caktohet vetëm me një krahasim me rrethanat gjuhësore në atdheun e parë, po aty kryesisht jo me të sotmet, po me ato të kohës së shtegëtimit: sepse që nga ajo kohë dialektet e atdheut kanë pësuar ndryshime, po edhe ato të Italisë nuk janë ato që kanë qenë. Nga një krahasim i tillë del atëherë që arbërishtja e Italisë me va- për vo-, me ua për uo gegërisht ue, me rotacizmin e saj, me mungesën thuajse të plotë të paskajores e me disa të tjera veçori përgjithësisht ka për bazë një toskërishte më të vjetër. Çështja e një përkatësie dialektore më të ngushtë përbrenda këtij rrethi lidhet me problemin se nga kanë qenë shtegtarët e parë dhe nga e kanë pra burimin ngulimet e themeluara prej tyre. Këtu, mbi dëshminë e përbashkët të disa të dhënave të etnografisë e të folklorit, të historisë, të traditës gojore, të gjuhës, të emrave të familjeve e të viseve, në shtegëtimet shqiptare për në Itali kanë marrë pjesë grupe etnike prej krahinave të ndryshme të vendit, prej Jugu e prej Veriu, e pjesërisht edhe nga elementi shqiptar i Greqisë; po masa kryesore rrjedh nga jugperëndimi, nga trevat që shtrihen mi­dis Vlorës e Prevezës e nga hinterlandi i tyre. Këto rrethana pasqyrohen edhe në gjuhë. Dialektet italoshqiptare përmbajnë mjaft elemente heterogjene, midis tyre dhe ndonjë të gegë­ri­shtes si opangë në Kalabri, katërdhjet dikur në Apuli, etj., elemente që kanë lidhje me burimet e ndryshme të shtegtarëve. Megjithatë ato kanë një bazë të përbashkët. Në pajtim me rrethanat e përmendura të prejardhjes këtë bazë e përbëjnë dia­lektet e toskërishtes jugore të shekullit XV, me inovacionet që kishin kryer këto në atë kohë.
Rrethanat e vendosjes në vendbanimet e reja, rrethana po aq me rëndësi për formimin e këtyre dialekteve sa dhe ato të shpërnguljes nga të vjetrat, edhe këto gjer diku mund të rindërtohen në vijat kryesore. Valët e veçanta të shtegëtimit janë nisur zakonisht nga e njëjta krahinë, po për një kohë lufte do të mendohet anasjelltas dhe grumbullimi më një i turmave me prejardhje të ndryshme për të kërkuar një fat të përbashkët në dhè të huaj. Atje ka pasur kështu instalime grupesh homogjene në ngulime më vete krahas me instalime grupesh heterogjene në ngulime të përbashkëta, po së treti edhe ndarje të grupeve homogjene në vise të ndryshme. Me këto rrugë më një anë ju dha shkas gjer diku një përzierjeje dialektesh në atdhe të ri, më anë tjetër u shkëputën aty disa lidhje dialektore të mëparme. Ashtu gjejnë shpjegim nga njëra anë ndryshimet që ekzistojnë midis disa ligjërimeve arbëreshe që janë fqinje, e nga tjetra anë afrimet midis ligjërimesh që gjinden larg nga njëri-tjetri. Kështu p.sh. Hora e t’ Arbëreshvet (Piana degli Albanesi) në krahinë të Palermos, bashkë me koloninë e vet S. Cristina Gela, në shqiptimin e l-së velare si spirant velar i zëshëm (moγa për molla) shkon me dialektet e largëta të Molizës; ajo largohet nga ligjërimi fqinj i Kuntisës (dhe i Mezzojusos e Palac Adrianit që janë krejt të romanizuara), të cilët në anë tjetër me ruajtjen e kësaj l-je velare, me mënyrën e shqiptimit të l-së palatale e me disa tipare të tjera afrohen me ligjërimet – dhe këto jo të njësishme – të Kalabrisë. Këtu shihet një nga degëzimet dialektore të arbërishtes së Italisë. Do të kemi parasysh, përveç këtyre, që në disa ngulime vanë e zunë vend edhe banorë të rinj të ardhur prej atdheut të parë, a prej Greqisë, që pastaj – si u tha dhe më sipër – ka pasur shtegëtime nga një vend në tjetrin e nganjëherë edhe shpërngulje etnike me dhunë, dhe atëherë do të kuptojmë karakterin në fillim jo të njësishëm të këtyre dialekteve. Po në qoftë se këto, me gjithë ndryshimet lokale që kanë në mes të tyre, paraqiten si një njësi, si një “unité dans la diversité” në pamjen e gjithmbarshme të dialekteve të shqipes, në këtë gjë kanë vepruar disa faktorë. Së pari është burimi i masës kryesore prej trevash të njëjta ose të afra të Shqipërisë Jugore. Së dyti, si një dukuri konvergjence në atdheun e ri, sidomos në brezat e para ka pasur një lloj nivelimi, me përfundimin që – sipas ngulimit – u afirmua dialekti i shumicës ose i shtresës më të vjetër të kolonistëve. Këtyre rrethanave erdhën e u shtuan pastaj marrëdhëniet gjuhësore midis ngulimeve arbëreshe fqinje. Me anë të kësaj koineje gojore që u arrit pak a shumë kudo, me elementet e sjella me vete e me ato të zhvilluara në mënyrë të pavarur, erdhi e u formua një grup dialektor i një tipi më vete, i cili, si u tha, edhe në bisedën e përditshme zë një vend të vetin përkundrejt së tjerave degë dialektore të shqipes. Kështu, si thotë edhe M. Lambertzi, me bashkëjetesën e re në dhè të huaj, u përftua një gjuhë e re e përbashkët, e cila nuk ishte identike me asnjërin nga dialektet që fliten në atdheun e vjetër.
Duke përcaktuar me disa të dhëna konkrete këtë karakter të arbërishtes së Italisë, do të themi se ligjërimet e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre dialektore, ruajnë një shkallë më të moçme të gjuhës, ndër të tjera me këto tipare: opozicionet e gjatësisë me tri mora të ndryshme, të shkurtëra, gjysmë të gjata e të gjata, me disa veçanti specifike për ato ligjërime; uo në vend të ua-s në ndonjë ligjërim të Molizës, te F. Santori në Kalabri e në katundin Vila të Atikës në Greqi (muoj); h-në e sotme të shqipes me formën e vjetër si spirant gutural, pjesërisht velar (i χuaj) e pjesërisht palatal (χē “hie”); si një inovacion ndërdialektor mjaft të moçëm të shqipes, ndërrimin e prepalatalit q në j në pozicion parakonsonantik, si në vdein “vdiqën”; ndonjë disimilim likuidesh si te gjalpër për gjarpër; te format gramatikore do shënuar ndër të tjera përdorimi i nyjës së parme në emra etnike ashtu si në literaturën e vjetër të Veriut (i arbëresh), karakteri konservativ në përdorimin e temave konsonantike femërore (djepja, kriqja), në ruajtjen e mirë të neutrit, gjë që ka çuar dhe në formim neutrash sekundarë, kryesisht në emra lëndësh, sidomos metalesh; aty hyn mbase edhe përdorimi i temave nazale me ‑r dhe në trajtën e pashquar (drë-i, gjër-i) në disa ligjërime të atjeshme. Nga fusha e kongruencës së përcaktorëve të emrit me këtë vetë hyn këtu pikë së pari kongruenca në rasë (konciniteti), si në E eshtrave tireve (Matranga), Ljûmravet të kal’thërvet (De Rada), dukuri edhe e literaturës së vjetër të Veriut (Gj. Buzuku e ujënavet gjallave, P. Bogdani bjeshkëshit fort së naltash); pastaj trajta e shquar e njërit nga dy përcaktorët e një emri, në Kalabri vashza vogel jotja, në Shqipëri vajza jote e vogla. Nga përemrat janë mbajtur ndër të tjera vetori i thjeshtë u “unë” dhe pronorët tāj (dherat tāj “dherat tuaj”), tote (vajzat tote), sote, i katundit tit e ndonjë tjetër, të cilat në Shqipëri në pjesën më të madhe kanë humbur; i pakufishmi jetëri “tjetri”; një krijim spontan mund të jetë refleksivi vetëjotja “vetja jote”, vetëjuaja “vetja juaj”. Nga sistemi foljor, me një shkallë të mëparme të gjuhës piqet përdorimi i së pakryerës së pazgjeruar të tipit flij “flinte”, opozicioni morfologjik viel : kam vjelë, tier : kam tjerrë të klasës së foljeve më likuide, e përdorimi i gjerë i pjesores më ‑m me vlerë mbiemërore (letër e shkruame); aoristi sigmatik (gjeçë, u ftohçë), në disa ligjërime aoristi asigmatik i tipit pē “pashë”; pe (Buzuku pae), dhe zgjerimi me ‑ënj ‑ën i foljeve me fundor konsonantik (qeshënj, qeshën), një inovacion i vjetër i shumë dialekteve të shqipes. Nga një periodë e përparme e më e njësishme e gjuhës rrjedhin dhe disa elemente leksikale që ruhen në gegërishten, duke mbetur shpeshherë jashtë toskë­ri­shtja e sotme: ë “është” geg. â, lopa bonet “ethet”, çëdo çdo “disa” (Buzuku zhdo, Arbëneshi i Dalmacisë dizhdo), drē “frikë” geg. droe, gjithsej, krip “flokë”, mat “buzë lumi, breg deti”, më “iam” geg. mâ, regj “mbret”, shkilqen, shtuara “duke ndejtur më këmbë”, tëtim “ftomë”, gjellë “jetë”, zgardhullonj “hap” (në Shqipëri zgurdulloj) etj. Pranë këtyre tipareve të trashëguara nga një periodë më e moçme e gjuhës ka disa të tjera që janë me përkatësi dialektore specifike: prej toskërishtes jugore rrjedhin në pjesën më të madhe nga fusha e fonetikës i-ja në vend të y-së, shqiptimi i ë-së së theksuar me një timbër o-je ose i-je (sipas ngulimit), po jo me timbër e-je si në toskërishten veriore, qëndrore e lindore, ruajtja në shumë ligjërime e lj-së dhe grupeve lk, lg, k, gl (val, sufiksi ‑lë për ‑je, ulk, balgë, klumësht, gluχë), shurdhimi i j‑së fundore në spirantin palatal χ (māχ “maj”), zhdukja asimilatore e v‑së në grupet xv xhv sv zv shv zhv (xerk, xhesh), asimilimet e trajtave foljore sı në flini “flitni” vrini “vritni”. Në fleksion shumëset e shpeshta me metafoni a : e në emra e mbiemra (pëllese, të glet, të lert); shtrirja e madhe e shumësit të emrave me zgjerim ‑ër ‑ëra (brezra, dejtëra, ditëra, mëzra, unglëra “ungj”, viçra), në dialektet e Greqisë p.sh. ulkëra, leshëra, detëra), rrjedhorja shumës me ‑shit si në literaturën e vjetër të Veriut; përemri i pakufishëm mosgjë “asgjë”; numërorët e metodës vigezimale trezét “60”, katrzét “80”; te folja trajtat e prezentit shumës më ‑mi (shomi, në Kalabri), inovacioni jugor i formimit të aoristit e të pjesores me ‑t (erthtin; muartin, thertur), urdhërorja e kontraktuar e tipit vrē “vrae”. Nga leksiku forma e kuptime si aj “kafshim, kafshatë”, dej “pasnesër” me kosdej “tjetërpasnesër”, njëditëz “pardje” me njënatëz “pardje mbrëma”, trivët “parëvjet, tërvit”, dihet “gdhihet”, ehënj “preh”, hurdhë “hudhër”, mblonj “mbush”, pra “pastaj”, rusem “zbres, ulem nga lart” xhavidhe “gocë deti”, zbier, zbora “humba”, zboj “dëboj”, zborë “borë”, çoj me kuptimin “gjej” etj. Nga një periodë më e moçme rrjedh rrëzë me kuptimin “rrënjë”, geg. e vjetër dhe e sotme rranzë rrâzë.
Sikundër u tha edhe më lart, formimi i arbërishtes së Italisë e i karakterit të saj lidhet me trashëgiminë gjuhësore të marrë me vete nga atdheu i parë e të shndërruar gjatë shekujve në bashkëjetesë me një sistem gjuhësor tjetër. Në vijim të këtij zhvillimi historik të veçantë ka rezultuar një karakter i shumëfishtë i këtyre ishujve gjuhësorë: ruajtje tiparesh e elementesh në të dyja anët, në gjuhën e atdheut të vjetër e në atë të së riut; ruajtje në të vjetrin e humbje në të riun; ruajtje në të riun e zhdukje në të vjetrin; interferenca të ndryshme. Nga ky karakter kompleks e shumështresash rrjedh për një pjesë të madhe edhe rëndësia e kësaj dege dialektore për gjuhësinë shqiptare.

Please follow and like us: