Një amerikan dhe Reforma në Drejtësi
Duke bashkëbiseduar me amerikanin Xhorxh Fred Williams, ndjenja se si më zgjohej mendimi dhe mënyra e një ballafaqimi të dashurisë me Shqipërinë dhe më pas një lloj reflektimi se si ne Shqiptarët së bashku manifestojmë dashurinë për Shqipërinë tonë.
Në fakt, Xhorxh F. Williams ka lindur më 1852-shin dhe ka vdekur më 1932-shin. Për shumë kënd, që lexon këtë radhë, mund t’i duket absurd një bisedë e imja me një amerikan të vdekur të shekullit 19-të.
Me të drejtë mund të thotë, se ç’lidhje ka amerikani i atij shekulli, i cili punoj dhe jetoj në vitet 1913-1914 në rajonin Ballkanik, përfshi këtu dhe Shqipërinë, me debatin e sotëm të reformës në drejtësi në këtë korrik të nxehtë ku nxehtësisht po diskutohet Shqipëria pra jo thjesht dhe vetem reforma. Çdo ditë po shfaqet në ekranet tona televisive një amerikan tjetër siç është Ambasadori Donald Lu, që i lutet politikanëve tanë që të reflektojnë për mënyrën se si dhe se sa ta duam Shqipërinë që shqiptarë duan. Madje duke bashkëbiseduar me Williams më erdh ndërmend dhe viti 1991 kur ambasadori Rajerson u tha Shqiptarëve se interesat Amerikane dhe ato Shqiptare tashmë janë të njëjta, Po kështu zonja Cliton tha në parlament se ne ishim këtu 100 vjet më parë, kemi 100 vjet që jemi dhe do të jemi dhe qindra vjet të tjera në të ardhmen.
Xhorxh Williams, është një ish zyrtarë i lartë amerikan që na ka lënë neve Shqiptarëve një libërth të vogël që më shumë i ngjan një testamenti apo një traktati dashurie mes Amerikanëve dhe Shqiptarëve.
Në librin e tij “”The Shkypetars ” ai shkruan për vendin tonë se “ -…nuk është natyra por veprimet djallëzore të cilat e kanë rrukullisur këtë vend nga lartësitë e lavdisë së lashtësisë së tij në një shkretëtirë të vajtueshme…-
Një fakt historik për ne të gjithë, është se Shqipëria ka pasur dy lloj kafshimesh barbare në shekuj. Një pjesë e këtyre gjymtimeve na është bërë nga të huajt dhe një pjesë tjetër po kaq barbarisht na është bërë nga ne vetë Shqiptarët.
Por, për fatin e mirë të gjithësisë Shqiptare ashtu si dhe për fatin e Ebrenjve, pjesa më e madhe e të cilëve jetuan dhe jetojmë jashtë trojeve tona, si popuj të lashtë neve kurrë nuk u shuan, por qëndruan dhe mbijetuan në shekuj.
Mbijetesa e Shqiptarëve dhe Ebrenjve erdhi si pasojë e kushtetutave tona të forta shpirtërore, e cila më shumë se sa e shkruar ka qëne dhe mbetet një kushtetutë e shënjtë dhe e pa asgjesueshme nga askush.
Kjo kushtetutë shpirtërore, tek ne shprehet përmes gjuhës së lashtë shqipe e cila gjëndet në rrënjët e trungut Indo-Europian. Nëse i referohemi gjuhës sonë, vëmë re se ne Shqiptarët kemi një togfjalësh vërtetë të shenjtë, mbase unik në botë e cila identifikon dashurinë tonë për vendin dhe popullin. Ne kemi fjalët Mëmëdhe dhe Atdhe si fjalë të njënjta. Pra po të vënë re me kujdes, ne Shqiptarët njësojmë dheun, nënën dhe atin.
Formula pagëzuese biblike e krishtërimit “ në emër të atit, birit dhe shiprtit të shënjtë “ duket sikur tek ne Shqipëtarët më shumë shpirtëzohet mei formulën, në emër të Atdhe-Mëmëdheut, Gjuhës e Tokës së shënjtë.
Kjo formulë e gjetur brënda thelbit të gjuhës shqipe është përballur gjithëherësh me gjymtimet e trojeve Shqiptare nga traktate të fshehta të fuqive të mëdha dhe copëzimeve Ballkanike. Eshtë bërë çmos që barbaria të zhdukte kuptimin historik të kuptimit të formulas së shënjtë të këtij trinomi. Eshtë bërë çmos të shuheshin të gjitha format e kuptimit të saj, të shuheshin të gjitha gjurmët arkeologjike e të mbuloheshin në haresë, kuptimet etimologjike, epistiomologjike e antropologjike të Shqiptarëve.
Të gjitha këto gjymtime e fshehje shekullore në kohën e tij , gjë që tingellojnë po kaq të vlefshme dhe sot amerikani Xhorxh Williams i ka quatur “ Skandale të Qytetërimit Europian”.
Në fakt gjymtimet barbare të Shqipërisë dhe shqiptarëve hera herës i kanë ardhur dhe nga vetë ata shqiptarë, të cilët merrnin në dorë fatet e vendit. Kjo specie, jo rrallë here ishte gati t’a garbiste e t’a plaçkiste, t’a digjte e t’a shkretonte, t’a shiste e t’a masakronin Shqipërinë sa here ajo u duhej për të mbrrojtur interesat e tyre vetjake..
Hartat e vjetra ballkanike në këso kohësh qofshin ato otomane, slave apo oksidentale gjallëroheshin dhe viheshin në lëvizje, sa herë që grabitqarët vendas i suleshin Shqipërisë për t’a kafshuar nga të mundnin. Zor të gjesh ndonjë vend tjetër në Europë që ka pasur një shkatërrim kaq sitematik të pasurisë së saj kombëtare saç është bërë në vendin tonë.
Fakt është, që ne perandorinë otomane dhe atë bolshevike gjithnjë bëhej fjalë veç për plaçkitje dhe kurrë për drejtësi. Bëhej fjalë për sundim dhe pushtet, për armiqësi dhe dasi të brëndëshme, për koka të prera e mbajtje e një populli nën një zgjedhë të pandërprerë.
Sot trungu natyral oksidental i shqiptarëve po kërkon drejtësi.
Ndërkohë zulma e inercisë otomane dhe bolshevike, po nxit sherin e grindjen e përjetshme mes vetes për të harruar sërish çdo lloj lavdie të lashtësi oksidentale të shqiptarëve.
Mua përsëri në këtë bashkëbisedim më vjen zëri i Xhorxh Williamsit folur 103 vjet më parë si një amerikan për Shqipërinë : “.Kam të drejtë dhe detyrën të ngrë zërin për të drejtat e këtij populli, të cilat kanë bërë vend në ndërgjegjen time duke thënë të vetmen fjalë shpresë, nga një pozitë politike ( -çka për mua duke dëgjuar Donald Lu në vend të fjalës Shpresë dëgjoj fjalën Drejtësi- ) e cila me sa duket atyre u ka munguar prej shekujsh”, me poshtë ai shkruan “ Shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë por drejtësi” sepse është vetëm drejtësi ajo e cila garanton të ardhme dhe liri në një vend ndryshe ai vend do mbetet përjetë i shtypur nga vetëgjyqësia.
Ka momente në historinë e një vendi kur jo dekada apo një vit, jo një muaj apo një ditë, por dhe një sekondë e vonuar apo e humbur, mundet t’i kushtoj shtrenjtë një populli për ta bërë atë fatkeq apo të lumtur dhe ky moment do jetë sot në parlamentin Shqiptar.
Sot parlamenti, do firmos ose jo reformën në drejtësi dhe pesha e përgjegjësisë historike do vendoset mbi supet e çdo deputeti.
Edhe pse jam i bindur se mbi to është përgjegjësia por jo fati i Shqipërisë sepse fati i Shqipërisë dhe Shqiptarëve nuk është lidhur kurrë dhe në asnjë moment, as me një emër të vetëm, as me një qeveri të vetme dhe as me një parlament të vetëm por me vullnetin mbijetesën dhe qëndresën shekullore të një populli. Duke i mbyllur këta rreshta me thirrjen e një votimi unanim të kësaj reforme në drejtësi po citoj sërish fjalët e fundit të Xhorxh Fred Williamsit, që e mbyll librin e tij duke thënë se ” … T’i japësh lirinë një populli do të thotë t’i japësh të drejtat qytetare që veprën e sotme ta shtrish në mirësi të pafundme dhe ta bësh atë të përjetshëm”.
*Rektor, Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi