Albspirit

Media/News/Publishing

Zef Preçi: Ku po shkon ekonomia kombëtare?

 

Ndërsa lexoja një shkrim të “The guardian”, nuk mund të mos reflektoja diçka që ka interes publik, madje më gjerë, interes kombëtar, që po e përcjell në këtë status. Kështu, duke qënë thellësisht mirënjohës për sa kanë bërë dhe bëjnë SHBA-të për popullin shqiptar në histori dhe në ditët e sotme, si ekonomist e kam të vështirë të kuptoj dhe të besoj interesin primar të Kosovës për të pasë një Termo-Elektro-Central (TEC) tjetër me qymyr… Thjesht sepse është ndotës për ambjentin, sepse do të jetë vetëm 5 km larg kryeqyteti të Kosovës – Prishtinës, sepse është investimi i vetëm i këtij lloji në botën e sotme me mbështetjen me kredi nga Banka Botërore. Nëse flitet për një “nder” që qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa do t’u bëjë lobistëve amerikanë për të blinduar pushtetin e vet të diskutueshëm sa i takon legjitimitetit (siç thuhet nën zë në Prishtinë ku isha para pak ditësh), kjo histori është vërtet e turpshme dhe fyese për miqësine e sinqertë dhe mbështetjen 100-vjeçare shqiptaro-amerikane. Por ndërtimi i një TEC të ri në Kosovë nuk është vetëm një turp për Isa Mustafën dhe qeverine e tij me legjitimitet të cunguar, as edhe H.Thaçin dhe Presidencën e tij – mburojë për kërcënimet e ndëshkimit të supozuar për problemet e luftës gati 20 vjet më parë… Ky rast është një papërgjegjshmëri kombëtare edhe për Tiranën zyrtare, e cila Portin e Shëgjinit të destinuar për Kosovën jua dha së fundi kinezëve, këtë “gate” që pritej të vitalizonte disi “Rrugën e Kombit” dhe padyshim edhe ekonomitë e të dy vendeve. Por në sektorin enegjitik duket se papërgjegjshmëria, mungesa e ekspertizës dhe rendja për të bërë “qokën e radhës” aleatëve të rinj strategjikë nga Anadolli (sa shumë aleatë strategjikë për një vend kaq i vogël, ekonomikisht të dobët dhe gati të harruar si yni…). E kam fjalën për mundësinë e ndërtimit të një hidrocentrali të fuqishëm mbi lumin Drin, i cili fare mirë mund të ndërtohej bashkërisht nga Shqipëria dhe Kosova ose vetëm nga Kosova dhe kështu do të dëshmonim se integrimin ndërshqiptar nuk e kemi si flamur të rreckosur patriotizmi për “mbledhje të përbashkëta qeverish”, por një proces që mundëson bashkimin ekonomik kombëtar duke nisur me shfrytëzim integral të pasurive natyrore, ndër të cilat burimet energjitike luajnë një rol të rëndësishëm. Mjerisht faktet nuk e provojnë këtë vullnet politik aq të pranishëm në retorikën politike të ditës dhe e ardhmja e bashkëpunimit ekonimik midis dy vendeve nuk premton asgjë më të mirë se sa e shkuara e këtij bashkëpunimi…

Please follow and like us: