Albspirit

Media/News/Publishing

A e ndryshon dot botën (shqiptare) shoqëria civile? Rasti i LëvizAlbania

Alfred Lela

Shoqëria civile, e grumbulluar kryesisht  rreth atyre që quhen organizata joqeveritare, është parë shpesh, nga të huajt, por edhe së brendshmi, si një mjet trysnie, por edhe si njëfarë leve Arkimedi, pika kyçe ku mund të mbështetej Shqipëria për të lëvizur. Përkundër politikës dhe pushteteve të tjera, ky ‘pushtet’ do t’i bënte shoqërisë një edukim në terma të fjalorit, koncepteve dhe praktikave demokratike.

Atë që Perëndimi e nisi si ndihmë ushqimore nga fillimi i viteve ’90, trupëzuar në operacionet që i siguronin popullatës produktet bazike për mbijetesë si mielli, vaji e të tjera, në vitet 2000 e këtej është shndërruar në një formë më të lartë, që mund të quhet ‘ndihmë shpirtërore’. Jo në kuptimin religjioz të fjalës, jo si operacion që kërkon shelbimin, por si përpjekje për të ngritur një konstrukt të brendshëm të demokratikes.

Aplikime të tilla, disa herë, i kanë kaluar kufijtë e ekspertizave, trajnimeve, seminareve, kolokiumeve dhe konsultave duke u bërë përpjekje për të sendërtuar siluetën e një ndryshimi. Në mos, vetë ndryshimin. Shembujt janë disa, por nuk janë ata qëllimi i këtij shkrimi.

Qëllimi lidhet me një anti-inerci që organizata të shoqërisë civile, me ndihmën financiare dhe dijesore (know how) të partnerëve të huaj, mundohen të sigurojnë. Siç është për shembull rasti i ‘LëvizAlbania’, një nismë që mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe zbatohet nga tre organizata Shqiptare “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, “Partners Albania” dhe “Co-Plan”. Zviceranët, jemi mësuar t’i shohim si neutralë, ndërkohë që thelbi i projektit të tyre kërkon pikërisht të kundërtën, dalje nga zona e pasigurt e neutralitetit. Siç e sugjeron edhe titulli i thirrjes, i cili evokon lëvizjen. Motoja e saj shprehet kështu: “LëvizAlbania – Demokracia Vendore në veprim synon që të angazhojë sa më shume organizatat jo fitimprurëse dhe individë në përmirësimin e demokracisë vendore, mirëqeverisjes dhe ndryshimin e qasjes midis marrëdhënies pushtet lokal-qytetar.”

Përfshirja e individëve është ndoshta e reja e madhe dhe e mirë e kësaj nisme. Sipas drejtuesve qëllimi ishte dhënia e mesazhit të duhur në shoqëri lidhur me atë se  angazhimi individual ose i grupimit të individëve mund të japë rezultate të prekshme, krahasuar edhe me OJF-të.

Një risi e dytë e LëvizAlbania është krijimi i një fondi për thirrje emergjente, do të thotë ngjarje  apo shqetësime sociale që lindin e zhvillohen jashtë kuadratit kohor kur nisma hap zyrtarisht aplikimet. Si për shembull projekti ‘’MosMaPrekValbonën” një lëvizje e individëve dhe organizatave ambientaliste që janë vënë në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Valbonës në territorin e të cilit janë dhënë disa leje për ndërtim HEC-esh.

LëvizAlbania ka kaluar në shqyrtim, javën e dytë të korrikut, aplikimet e dyta, ndërkohë që të parat janë në fazën e zbatimit. Fokusi i Lëviz Albania shprehet nga slogani ose motoja e saj “local democracy in motion” (demokracia vendore në lëvizje). Kjo mbështetje për demokracinë lokale e gjen shprehjen te përpjekja për të kultivuar një shoqëri civile të komunitetit, e cila ndikon dhe nxit parametrat e një qeverisjeje të mirë vendore.

Qeverisja e mirë dhe qëllimi i mirë që të shtyn drejt saj, janë sigurisht, një gjë, siç është një gjë edhe fillimi i mbarë. Deri te ndryshimi i botës është një rrugë e gjatë. Por, fillon gjithmonë, me një lëvizje.

Please follow and like us: