Albspirit

Media/News/Publishing

Dritëhijet historiko-politike të Rrugës së Kombit deri te zhurma për taksën e mirëmbajtjes

Ylli Pata

Një dokument i vjetër i Perandorisë Austro-Hungareze dhe i publikuar pak vite më parë bënte me dije se “Nemçja” kishte menduar për një rrugë që të mundësonte daljen në det të Serbisë. Ismail Qemali, kur serbët nisën inkursionin për të pushtuar Shqipërinë e mesme me ndihmën e Esat Pashës, iu tha krerëve të Beogradit se Shqipëria e pavarur do t’ju mundësonte atyre përdorimin e Limanit të Durrësit. Italianët dhe më pas komunistët e Hoxhës, ndërtuan një rrugë që lidhte Kukësin me Tiranën, e cila kaplonte katër male. Ishte një udhë e lodhshme e rrezikshme dhe shumë e gjatë. Ramiz Alia, në mandatin e vet si kreu i PPSH-së nisi dhe financoi ndërtimin e një hekurudhe që do të lidhte Milotin me Rrëshenin e më pas me Klosin, për të arritur marrjen e kromit të Bulqizës dhe Bakrit të Mirditës me tren. Pandeli Majko kur u bë kryeministër, në kulmin e luftës së Kosovës, doli me një ide që atëherë u quajt e “çmendur” për ndërtimin e një rruge-autostradë që do të lidhte Durrësin me Kosovën. Madje miratoi edhe një taksë që e paguanin të gjitha makinat, e cila quhej “taksa Majko”. Nuk dihen ku shkuan ato para, por rruga nga Miloti deri në Rubik u ndërtua nga ushtria amerikane në përfundimin e luftës së Kosovës për të bërë të mundur furnizimin logjistik të trupave të KFOR-it. Fatos Nano kur u bë kryeministër dërgoi ushtarët ta çonin këtë rrugë deri në Rrëshen. Si amerikanët e si ushtria jonë përdorën trasenë e vjetër të hekurudhës për ta shtruar, atë të ndërtuar aksionistët në fundvitet `80. Kjo trase kalonte buzë lumit Fan. Sali Berisha, me t’u bërë Kryeministër shpalli ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës me një ndërmarrje totalisht nga buxheti. Qeveria nuk kishte para, por do t’i merrte borxh ata në tregun financiar. Projekt fillestar nuk kishte, as studim fizibiliteti, por vetëm disa skica autodidakte të disa ekspertëve pasionantë. Ministër i Transporteve në atë kohë ishte Lulzim Basha, ylli në ngjitje i Partisë Demokratike që po bënte “nxemjen” për të sfiduar Edi Ramën si kryebashkiak i Tiranës. Berisha, i lidhur me një lobist të rëndësishëm amerikan, ish-Sekretarin për Sigurinë të Presidentit Bush, Tom Ridge, ia dha tenderin e ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës një kompanie të njohur amerikane, Bechtel, e cila kishte ndërtuar disa rrugë në Kroaci. Bechtel ishte një konsorcium i lidhur shumë me Uashingtonit, por si partner mori një kompani të madhe turke, e cila ishte Enka. Kjo kompani mori punëtorët e ndërtimit dhe gjeometrat me rroga të vogla nga Turqia dhe vendet fqinje të Ballkanit. Stafi paraprak i Bechtel erdhi nga Kroacia dhe u vendos në Reps. Ata vendosën që rrugën ta ndërtonin nëpërmjet një tuneli që do të ngrihej në Thirrë të Mirditës. Një grup gjeologësh shqiptarë e kudnërshtuan, pasi sipas tyre terreni i Thirrës nuk bën për tunel, është shumë i fortë dhe i brishtë. Megjithatë rruga arriti kosto marramendëse: nga 400 milionë euro deri në 1 miliardë më pas, kur bëhej fjalë vetëm për 61 kilometra rrugë; pra pjesa Thirrë-Kalimash, pasi pjesa para Thirrës thuajse ishte mbaruar dhe pjesa pas Kalimashit është tenderuar nga qeveria me lote ku kanë marrë pjesë kompanitë vendase. Rruga u ndërtua në vitin 2009, pikërisht për zgjedhjet parlamentare dhe normalisht patën impakt të fortë politik, jo vetëm në qarkun Kukës por edhe në Mirditë e gjithë veriun. Megjithatë, një zyrtar i Ministrisë së Transporteve, inxhinieri Arben Meçe, përgatiti një dokument të cilin e dorëzoi në prokurori. Sipas tij, rruga kishte abuzime të mëdha. Prokuroria e Përgjithshme, në bazë të këtij dokumenti nisi hetimin ndaj Lulëzim Bashës, të cilin e akuzoi për abuzim me shifrën e 220 milionë eurove. Por çështja u mbyll nga Gjykata e Lartë me procedurë. Në planet paraprake thuhej që rruga Durrës-Kukës do të sillte përfitime të mëdha nga volume i shkëmbimit të mallrave, por në fakt deri më tani nuk e ka justifikuar veten. Nuk pati devijim të biznesit, i cili vijoi me rrugët e vjetra. Tuneli i Thirrës ka kosto të lartë mirëmbajtje dhe qeveria që e ndërtoi ka menduar disa herë që ta japë në koncension dhe ta kthejë në rrugë me pagesë. Por Berisha e anuloi për shkak të zgjedhjeve. Qeveria e Edi Ramës, e cila deklaroi se i kishte marrë “rrugët përtokë” foli për konçension që në fillim, por e shtyu e shtyu deri sa erdhëm tek tenderi ku fitoi një kompani turke. Bën çudi se një deklaratë e opozitës sulmoi sërish biznesin turk duke e cilësuar si një aferë abuzive. Në fakt, kur Lulzim Basha ishte ministër i Transporteve, firmosi një material studimor të ekspertëve të tij, të cilët flisnin se segmenti Thirrë-Kalimash do të kalohej me pagesë pasi mirëmbajtja nuk përballohej nga shteti. Po pse sot del kundër?! Apo vetëm se kompania koncensionare është turke?! Argumente të ftohta nuk kemi dëgjuar deri tani…

 

Please follow and like us: