Saga e spiunazhit jugosllav e kthen vëmendjen nga vrasjet
Çështja kundër ish-shefave të inteligjencës Zdravko Mustaç dhe Josip Perkoviç, të cilët u dënuan në Munih të mërkurën për inkurajim të vrasjes së një emigranti kroat në vitin 1983, u bë fokus i shumë spekulimeve më shumë se një vit para se të mbërrinte në gjykatë. Në prag të anëtarësimit të Kroacisë në BE më 1 korrik 2013, ishte biseda e parë e Gjermanisë për nxjerrjen e dy burrave në gjyq duke përdorur një urdhër-arresti europian, i cili detyron çdo shtet anëtar të arrestojë dhe transferojë kriminelët e dyshuar në vendin që i kërkon ata. Por më 28 qershor 2013, në ditët e fundit para anëtarësimit, parlamenti kroat, me nismën e qeverisë së qendrës së majtë dhe kryeministrit Zoran Milanoviç, miratoi një ligj i cili përcaktoi se urdhër-arresti europian ishte i vlefshëm vetëm për krime të kryera pas vitit 2002. Kjo do të kishte penguar ekstradimin e Mustaçit dhe Perkoviçit, duke bërë që media ta pagëzonte legjislacionin me emrin “Lex Perkoviç“. Qeveria pretendoi se ajo vendosi ta miratonte ligjin për të parandaluar ekstradimin e veteranëve kroatë të luftës, por pati spekulime të pabazuara se ish-shefa të spiunazhit mund të zbulonin sekrete në gjykatë që mund të vinin në siklet shtetin.
Miratimi i ligjit shkaktoi një reagim të ashpër nga Berlini dhe Brukseli.
Në shtator të vitit 2013, Mina Andreeva, zëdhënëse për komisioneren e drejtësisë të BE-së Vivian Reding, e paralajmëroi Kroacinë ta ndryshonte atë “shpejt dhe pa kushte” ndryshe Komisioni Europian do të merrte “masat e duhura”. Më vonë në të njëjtin muaj, një ditë pasi Partia e saj Kristian Demokrate fitoi zgjedhjet parlamentare, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ajo shpresonte që Kroacia do ta harmonizonte ligjin e saj të ekstradimit me legjislacionin europian “siç ishte rënë dakord me BE-në”. Vetëm disa ditë më pas, qeveria kroate iu nënshtrua presionit dhe tha se do ta ndryshonte ligjin,duke bërë të mundur ekstradimin e dy burrave pasi legjislacioni hyri në fuqi në fillim të janarit 2014. Urdhër-arrestet për Perkoviçin dhe Mustaçin erdhi në fillim të janarit dhe Gjykata e Qarkut në Zagreb dhe Gjykata e Lartë shumë shpejt konfirmuan urdhër arrestin për Perkoviçin, i cili u ekstradua të njëjtin muaj në Munih, ndërsa Mustaç u dërgua në Gjermani në fund të prillit. Çështja – i cili ishte edhe gjyqi i parë i ish-zyrtarëve të shërbimeve të inteligjencës nga dega kroate e SDS-së (më shumë e njohur si UDBA) – ngriti gjithashtu çështjen e vrasjes së disidentëve jugosllavë jashtë shtetit. Sipas prokurorisë, nga vitet 1960 deri në shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, në Gjermaninë Perëndimore pati më shumë se 60 vrasje të emigrantëve jugosllavë, të cilat me siguri janë kryer nga SDS-ja. Njëzetë e dy prej tyre ishin emigrantë kroatë të vrarë midis vitit 1970 dhe 1989. Jugosllavia i justifikoi disa prej këtyre vrasjeve duke pretenduar se ishin operacione anti-terroriste, duke qenë se disa emigrantë përdorën vërtet metoda terroriste ndërsa luftonin kundër shtetit komunist. Pasi u bë e pavarur në vitet 1990, Kroacia nuk i adresoi vrasjet dhe u dha vende pune ish-zyrtarëve të SDS-së. Perkoviç iu bashkua Ministrisë së Mbrojtjes në Kroaci në vitin 1991, ku ai ishte asistent i ministrit të mbrojtjes deri në vitin 1992, pas të cilës ai u bë këshilltar i lartë i ministrit. Perkoviç pohoi se agjencitë federale të inteligjencës jugosllave e kishin vrarë emigrantin Stepjan Djurekoviç, ndërsa ai kishte punuar vetëm për degën kroate të SDS-së, por gjykata e Munihut e hodhi poshtë këtë argument.
Një vrasje e autorizuar
Në kohën e vrasjes së emigrantit Stjepan Djurekoviç në Munih në vitin 1983, Mustaç ishte kreu i degës kroate të SDS-së dhe Perkoviç ishte shef i departamentit të saj përgjegjës për emigrantët. “Në fund të vitit 1982 ose në fillim të vitit 1983 Zdravko Mustaç autorizoi Perkoviçin të fillonte përgatitjet për vrasjen e Stjepan Djurekoviç,” tha kryetari i trupit gjykues Manfred Dauster në gjykatë ndërsa njoftonte vendimin të mërkurën. Gjykata tha se Mustaç dhe Perkoviç organizuan vrasjen për të heshtur Djurekoviçin sepse ai ishte në dijeni të aktiviteteve të dyshuara kriminale të Vanja Spiljak – i biri i Mika Spiljak, anëtar i presidencës jugosllave – në kompaninë energjitike shtetërore të INA. Djurekoviç punoi për INA si drejtor i saj i marketingut para se ai të arratisej në Gjermani në vitin 1982. Ai u vra në një garazh në Wolfsrathausen pranë Munihut, ku printonte materiale propagandistike anti-jugosllave. “Arsyeja për largimin e Djurekoviçit ishin veprimet e tij armiqësore kundër Jugosllavisë dhe përfshirja në një mashtrim në kompaninë energjitike kroate INA,” tha gjykatësi Dauster. “Besohej se eliminimi i Djurekoviçit do të eliminonte problemin me INA-n, e cila ishte bërë një barrë e madhe për lidershipin republikan për shkak të hetimit të një mashtrim që kapte vlerën e disa miliona dollarëve,” shtoi ai. Një figurë e rëndësishme në vrasjen e Djurekoviçit ishte informatori i SDS-së Krunoslav Prates, i cili u dënua me burgim të përjetshëm nga një gjykatë gjermane në vitin 2008 për përfshirjen e tij në vrasje. Prates e thirri Djurekoviçin në një takim në garazh ditën që ai u vra. Vrasësit po e prisnin brenda në garazh pasi kishin hyrë aty me një çelës që ua kishte dhënë Pratesi. Si kreu i departamentit të SDS që merrej me emigrantët, Perkoviç ishte shefi i Pratesit, tha gjyqtari. Megjithatë, Pratesi tha në gjykatë gjatë gjyqit se pretendimi në lidhje me çelësin ishte “një histori e trilluar”, duke u kthyer te deklaratat e tij të mëparshme që ai dha për hetuesit gjermanë. Një tjetër dëshmitar i rëndësishëm ishte ish-agjenti i SDS Vinko Sindiciç, i cili ka kryer burg në Britani për vrasjen në tentativë të emigrantit kroat Nikola Stedul, në Skoci në vitin 1988. Sindiç përmendi dy burrat që ai pretendoi se ishin vrasësit e Djurekoviçit në gjykatë në korrik. Gjatë të gjithë gjyqit, mbrojtja spekuloi se Djurekoviçi mund të ishte vrarë sepse ai po u kalonte informacione ushtarake jugosllave agjencisë së inteligjencës të Gjermanisë Perëndimore, BND-së. Mbrojtja u shpreh gjithashtu se qëllimi ishte që Djurekoviçi të rrëmbehej dhe vrasja nuk u planifikua paraprakisht nga zyrtarët e SDS-së. Sipas të dhënave të BDN-së, Djurekoviçi punoi për inteligjencën gjermane që nga viti 1975 deri në vitin 1983. Ish-agjenti i BND-së Rudolf Wollwerth gjithashtu konfirmoi në gjykatë se agjencia “po e paguante mirë Djurekoviçin”. Megjithatë, gjykata e refuzoi këtë linjë arsyetimi dhe deklaroi fajtorë Mustaçin dhe Perkoviçin. Avokatët mbrojtës të të dy burrave janë shprehur që më parë që do ta apelojnë vendimin./BIRN/