Albspirit

Media/News/Publishing

Dënohet sulmi mbi parlamentin e Kosovës


Institucionet dhe partitë politike në Kosovë dënuan ashpër sulmin e së enjtes mbrëma mbi ndërtesën e parlamentit të Kosovës duke e cilësuar atë si sulm mbi pavarësinë e saj.

Ndërtesa e parlamentit u godit të enjten në mbrëmje me një mjet shpërthyes që la pas vetes dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.

Policia edhe më tej nuk ka dhënë hollësi rreth këtij sulmi dhe as për autorët apo motivet e mundshme të tij, por tha se dyshohet që dy persona kanë qëlluar ndërtesën me mortajë dore dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes me një motoçikletë që më pas është gjetur e djegur.

Policia ka gjetur “një mjet për hedhjen e predhave dhe shishe me benzinë”, në vendin e ngjarjes.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, është shprehur “i tronditur nga sulmi në parlamentin e Kosovës. Dhuna dhe gjuha që nxisin dhunën janë të papranueshme në demokraci”, ka shkruar ai në rrjetin social twitter.

Zyra e Bashkimit Evropian e dënoi sulmin e mbrëmshëm, duke e cilësuar sulm kundër demokracisë dhe përfaqësuesve të popullit të Kosovës dhe si i tillë është i papranueshëm”.

Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër sulmin dike e cilësuar atë si një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës.

Pa dashur të paragjykoj nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit.

Sulmet mbi institucione publike, mbi drejtuesit e tyre dhe policinë, si dhe mbi objektet private, janë veprime të ulëta dhe antidemokratike, të cilat në asnjë rrethanë nuk mund të frikësojnë bartësit e institucioneve të Kosovës për kryerjen e obligimeve të tyre për realizimin e vullnetit të qytetarëve për lëvizje të lirë në BE, për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të gjithanshëm të shtetit“, thuhet në reagimin e qeverisë.

Sulmi u dënua nëpërmjet një deklarate edhe nga parlamenti i Kosovës. “Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike e demokratike që afirmojnë subjektet tona politike. Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që t’i ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë ta zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen para drejtësisë. Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe t’i ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal“, thuhet në deklaratën e parlamentit.

Partitë në pushtet, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se “aktet e tilla të dhunshme, kanë për synim zhytjen e vendit në kaos dhe anarki dhe që të ndalin proceset e rëndësishme euro integruese“.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se “sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj“.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se nuk mund të këtë motiv që do të justifikonte aktet e tilla, që sipas saj janë “të papranueshme dhe nuk i bëjnë mirë kurrfarë kauze. Ne ftojmë këdo që është kundër rrjedhave politike të vendit tonë të bashkohet në protestat paqësore, qytetare dhe publike sepse vetëm përmes aktiviteteve të tilla do të mund ta ndryshojmë gjendjen në Kosovë“, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sulmi u dënua edhe nga parti të tjera politike dhe është bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

Ndërtesa e Parlamentit ishte sulmuar edhe në muajin mars të këtij viti me shishe me benzinë dhe policia e kishte vlerësuar si “rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë”.

Rasti kishte pasuar një periudhë tensionesh politike dhe disa incidente kur në rrethana të pasqaruara ishin djegur makinat e disa zyrtarëve të Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës që përbëjnë koalicionin qeverisës.

Kosova po përballet tash e gati një vit me krizën më të thellë politike që nga shpallja e pavarësisë së saj në vitin 2008, për shkak të mospajtimeve rreth një marrëveshjeje të arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Të enjten qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në parlamentin e Kosovës.

Opozita dhe ekspertët e pavarur thonë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedhin poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vonesa e saj mund të bllokojë planet për miratimin e liberalizimit në strukturat e Bashkimit Evropian.

Please follow and like us: