Albspirit

Media/News/Publishing

E vërteta mbi legjendën e famshme të Mbretit Artur

A ka ekzistuar ndonjëherë ai dhe kalorësit e Tryezës së Rrumbullakët.

Na ishte një herë një Mbret, Uther Pendragon, i dashuruar pas Igrainës, bashkëshortja e dukës së Kornuollit. Uther i kërkoi takim magjistarit Merlin. Ai pranoi, por në këmbim të magjisë i kërkoi djalin që do të lindte nga martesa. Kështu Merlinit iu dha për birësim Arturi i vogël, i cili në moshën 15-vjeçare arriti të shkulte nga shkëmbi një shpatë të ngulur në thellësi, duke fituar kështu të drejtën për t‘u bërë Mbreti i Britanisë.

Më pas Merlini e çoi Arturin buzë një liqeni, nga ku doli një dorë misterioze që mbante Ekskalibur-in, shpatën madhështore me të cilën Mbreti do të fitonte çdo betejë. Me anë të fuqisë së tij Arturi mundi Luçon, Perandorin e Romës dhe themeloi një perandori që bënte bashkë Irlandën, Skandinavinë dhe një pjesë të Francës.

 

Burime të fshehta

 

Këtu e ka zanafillën edhe njëra prej legjendave më të mëdha të historisë: ajo e Mbretit Artur dhe kalorësve të Tryezës së Rrumbullakët. Një histori plot aventurë dhe romantizëm, që ka frymëzuar breza të tërë rapsodësh, romancierë dhe regjisorë Hollivudi. Po sikur të mos bëhej fjalë për një legjendë?

A ka ekzistuar vërtet Mbreti Artur? “Do të ishte e gabuar të përgjigjesh me një po, ose me një jo. Figura të tjera historike u bënë heronj legjendarë, si Aleksandri i Madh, apo Karli i Madh. E dimë që ata ekzistojnë vërtet, sepse kanë burime të qarta historike që i konfirmojnë. Ndërsa për Arturin, gjërat janë më të vështira, sepse bëmat bazohen të gjitha mbi një legjendë”, thotë një historian britanik dhe eksperti më i madh mbi Mbretin Artur. Pra, para se të guxojmë të flasim për gjurmët e Mbretit, le të fillojmë nga legjenda në kërkim të fillimeve të tjera.

 

Dashuri (dhe fëmijë) sekrete

 

Në pallatin e Mbretit, kështjella e Kamelot, Arturit i shkonin pas djelmosha të rinj që ëndërronin të bëheshin kalorës të Tryezës së Rrumbullakët, urdhri që ishte betuar për vendosjen e drejtësisë dhe nderit. Më trimi prej kalorësve, Lançeloti ishte në prag të gjetjes së Gralit të Shenjtë, por dështoi për një mëkat të vetëm: marrëdhënien e fshehtë me gruan e Arturit, Gjenevra. Ky ishte edhe preteksti për një komplot ndaj vetë Mbretit. Që në rini, Artur kishte dashur motrën e gjetur të Gjenevrës, Morganën dhe prej saj pati një djalë, i cili u bë Sër Mordred, një prej kalorësve. I etur për hakmarrje, Mordred e informoi Arturin për tradhtinë e Gjenevrës dhe e bindi të largonte Lançelotin e të udhëhiqte një ekspeditë kundër kështjellës së tij në Francë. Duke qenë se mbeti i vetën në drejtimin e Britanisë, Mordred u mundua të rrëmbente fronin dhe të martohej me Gjenevrën.

Pasi e zbuloi tradhtinë, Arturi u drejtua për në Kamelot. Gjatë rrugës u takua me ushtrinë rebele të të birit dhe u përlesh në një duel deri sa Mordred vdiq dhe vetë Arturi u plagos rëndë. Kështu ai urdhëroi një kalorës, Sër Bediver, ta hidhte Ekskaliburin (shpatën) në liqen, kur një dorë gruaje doli nga fundi i ujit për të kapur atë. Ndërsa Mbreti Artur qëndroi në ishullin Avalon për të kuruar plagët që kishte marrë gjatë përleshjes.

 

Në kërkim të Arturit

 

Pavarësisht ngjarjeve, kjo është një histori e gjatë dhe e ndërlikuar. Po si është e mundur që nuk ka lënë gjurmë? Dokumentet e para që flasin për Mbretin Artur shfaqen në shekujt V-VI pas Krishtit, në fundin e sundimit romak në Britani, në fillimet e Mesjetës. Përmendjen më të hershme të emrit të tij e gjejmë në “Historia Brittonum” e murgut Nenio, në shekullit IX. Ai nuk citon kurrë një “Mbret Artur”, por tregon bëmat e një komandanti ushtarak me atë emër, i cili ishte i gatshëm të mbronte zotërimet e britanikëve nga pushtuesit saksonë, të cilët do t‘i mundte në 12 beteja.

Por tregimet mbi një personazh të ngjashëm qarkullojnë edhe diku tjetër: për Arturin tregohet në Irlandë, Normandi (ku emri i tij shfaqet në vitin 1050) e madje dhe Itali. Në Modena, në Portën e Peskierës është një basoreliev, që daton në mesin e viteve 1099-1120, ku paraqitet Mbreti dhe kalorësit e tij që shpëtuan Gjenevrën nga disa keqbërës. Ai është edhe përfaqësimi i parë ekzistues i Arturit. Ndërkohë, në vitin 1136 u shfaqën për herë të parë figurat e Mbretit Artur dhe Merlinit në pseudohistorinë britanike “Historia Regum Britanniae” e murgut galez. Megjithatë, është e pamundur të ndash faktet nga fantazia.

 

Në kërkim të provave

 

Në vitin 1485, historia e Arturit mori formën e saj përfundimtare. Në atë vit, Sër Thomas Malory publikoi në Angli librin “Vdekja e Arturit”, në të cilin përmenden Lançeloti, Tryeza e Rrumbullakët, kështjella Kamelot dhe Grali i Shenjtë. Një pionier i shtypit anglez që publikoi poemën, citonte në parathënie “prova” të ndryshme të ekzistencës së Arturit: “Para së gjithash, mund të shihet varri i tij në Manastirin e Glastonburit”. Ai tregonte shkrime, ku përmendej Arturi. Shkrimet e përshkruanin si Perandorin e Britanisë, Galicisë e Gjermanisë dhe ruheshin në abacinë e Uestminsterit. Sipas tyre edhe shpata e Lançelotit ekzistonte, por nuk dihet se ku ndodhet.

A lidhen këto prova me hetimet? Shumë nga objektet e cituara ishin false, ashtu sikurse dhe kujtimi i lashtë fetar i epokës, krijuar për të tërhequr udhëtarët… Por një “Tryezë e Rrumbullakët” ekziston vërtet në kështjellën e Uestminsterit.

A është ajo që ndërtoi Arturi me qëllim që “të gjithë të ishin të barabartë”?

Në të vërtetë, ajo tryezë e madhe druri, me diametër 5 metra e gjysmë, u ndërtua ndoshta për Enrikun III (1207-1272) për të ringjallur shpirtin heroik të epokës arturiane. Më pas u ripikturua në formën e saj aktuale, me rrethin e ndarë në 25 pjesë, një për Mbretin dhe 24 për kavalierët dhe në mes një trëndafil rozë (simbol i Monarkisë Tudore) për Enrikun VIII (1491-1547). Në vitin 1976, mbi tryezë u shkrua një datë me metodën e karbonit 14: vinte nga pemët e prera në shekullin XIII.

 

Varri i Arturit

 

A mos ndoshta supozohet që varri i Arturit ndodhet në Glastonbur? Arturi ishte dërguar në ishullin Avalon për të kuruar plagët e marra pas përleshjes me të birin (dhe sipas një versioni, pikërisht nga ishulli ai duhej të rikthehej për të rifilluar luftimet. Avaloni, sipas një interpretimi, i referohet një qyteti të vogël të Glastonburit: dikur kodra e tij e rrethuar nga ujërat e kënetave, ngjante si një ishull. Kështu mendohet se Arturi është varrosur aty. Sipas gojëdhënave, edhe ish-gruaja e tij, Gjenevra u varros në të njëjtin varr me të.

Në vitin 1191, varri u gjet. Disa murgj të Glastonburit pohonin se kishin parë në ëndërr një vend të zbuluar, vendi ku ndodhej edhe varri i Arturit. Gërmuan afër një varreze dhe gjetën një arkivol të madh të mbuluar me një trup qeramike. Brenda gjetën eshtrat e një burri shumë të gjatë dhe të një gruaje. Nën sarkofag, një pllakë guri fshihte një kryq plumbi, mbi të cilin ishte shkruar në latinisht: “Këtu gjendet i varrosur i famshmi Mbreti Artur, në ishullin Avalon”. Femra u identifikua si Gjenevra. Sërish në Glastonburi, thuhet se janë gjetur eshtrat e Shën Patrikut (i cili ka vdekur në Irlandë), të Shën Dustanit (varrosur në Kanterburi) dhe të Zef Arimateas, ruajtës i Gralit të Shenjtë…

Mes viteve 1962-1963, gërmimet konfirmuan se në vendin që murgjit pretendonin se kishin gjetur varrin (mbetjet u dërguan në abacinë e Glastonburit, në një varrezë që sot është zhdukur), ishte një pjesë toke e shprishur dhe mbetjet e një grope të thellë 5 metra. Nga gjetjet u përcaktua se gërmimet ishin bërë pikërisht mes viteve 1180-1190. Kështu, mbetet për t‘u treguar se varri i përkiste vërtetë Arturit.

 

Një emër mbretëror
Mbi bazën e raporteve të shkruara, gojëdhënave dhe elementeve të pakta arkeologjike të mbledhura, historianët modernë janë munduar të ndërtojnë një portret hipotetik të Arturit historik: një udhëheqës, mbrojtës i Britanisë së romanizuar, i cili sprapsi sulmet e pushtuesve saksonë për shumë vjet. A është e mundur të zbulohej në atë kohë një burrë që quhej Artur? Ndoshta.

Pak kohë pas periudhës që mendohet se ka jetuar Arturi, ky emër u bë shumë popullor. “Të paktën 6 princër britanikë u pagëzuan me emrin ‘Artur‘. Por asnjë prej tyre nuk është i rëndësishëm sa për t‘i dhënë vërtetësi legjendës; pra mund të presupozohet se popullariteti i emrit vjen nga një paraardhës “i madh” që quhej “Artur”, tregojnë dy studiues.

Megjithatë, hipotezat për atë që mund të ketë qenë Arturi i “vërtetë” janë nga më të ndryshmet. Dikush teorizon se gjithçka është frymëzuar nga figurat e një zotërie të luftës skoceze në shekullin VI, Artuir mac Áedáin dhe të Mbretit, babait të tij Áedán mac Gabráin. Ndërsa dikush tjetër e identifikon si një udhëheqës romak të shekullit II, që shërbente në Britani dhe drejtonte një kontingjent kalorësish sarmatë (me origjinë nga Evropa Lindore), nga ku folklori lartëson veçanërisht shpatën e ngulur në shkëmb… Historia e tij ka frymëzuar madje edhe Hollivudin, i cili realizoi në vitin 2004 filmin “King Artur” (“Mbreti Artur”).

Po sikur Arturi të ishte një zot? Disa studiues nënvizojnë se si mund të shndërrohesh nga një figurë mitologjike apo personazh folklori në një hero që mbron tokën e tij, me një histori të mbushur me elementë të mbinatyrshëm… vetëm pas një shndërrimi të tillë, Arturi mund të bëhej “pothuajse historik”. Sigurisht që raste të ngjashme nuk mungojnë, edhe Mbreti legjendar Lir, për shembull, mund ta ketë prejardhjen nga Mbreti i detit Liar.

Është edhe një hipotezë tjetër, lidhur me fushatat e Arturit jashtë kufijve anglezë, e konsideruar si pjesa më e pabesueshme e sagës. Si mundej një Mbret të impenjohej me punë jashtë Britanisë, ndërkohë që luftonte me pushtuesit? Një historian studioi kronikat e epokës dhe zbuloi se mes viteve 468-470 ishte një Mbret britanik që bëri diçka të ngjashme. Ekziston edhe një letër që iu dërgua atij nga Peshkopi romak Sidoni, por letra i drejtohej Riothamus-it. Nuk kishte aspak lidhje me Arturin… Megjithatë, sipas historianit “Riothamus” nuk është një emër, por një titull, që në gjuhën kelte do të thoshte “madhëria e tij”.

Fushata përtej detit
Historiani i ka rindërtuar bëmat e ushtrisë së Riothamusit nga burimet e epokës dhe ka gjetur ngjashmëri të jashtëzakonshme. Mbreti vajti në Francë për një fushatë ushtarake, por u mund nga Gotët (fise gjermanike lindore). Më pas i bashkoi forcat e tij me aleatët romakë, por u mund në një betejë të vitit 470 në Bourges. Kjo ndodhi për faj të prefektit të Galisë, që i kishte tradhtuar duke inkurajuar për sulm gotët. Pasi u tërhoqën, burrat e Riothamus duhej të kalonin nga Borgonja, por gjurmët e tyre u zhdukën. Riothamus u zhduk ndërsa ishte drejtuar në një nga vendet e zonës, që quhej Avalon…

Tradhtia e prefektit të kujton atë të djalit të Arturit, Mordred, dhe zhdukja e Riothamus drejtuar për në Avalon të kujton atë të Arturit… Ngjashmëri të jashtëzakonshme apo jo? Sipas historianit, jo. “Pyetja e vërtetë që duhet të bëjmë nuk është a ka jetuar vërtetë Arturi, por nëse është Riothamus figura mbi të cilën është ndërtuar legjenda e tij. Unë mendoj se po”, përfundon historiani. Por në pritje të provave më të forta, misteri vazhdon të mbetet i hapur.

 

Please follow and like us: