Albspirit

Media/News/Publishing

Andrea Stefani: Mashtrimi enverist me LANÇ

Mashtrimi enverist me Luftën Nacional Çlirimtare

Manifestin Komunist shkruhet: “… komunistët akuzohen, se gjoja duan të zhdukin atdheun, kombësinë. Punëtorët s’kanë atdhe. Nuk mund t’u heqësh atyre një gjë, që nuk e kanë. Por me qenë se proletariati duhet, para së gjithash, të vendosë sundimin politik, të ngrihet në shkallën e një klase nacionale, të formohet si komb, ai vetë është akoma nacional, ndonëse aspak ashtu si e kupton atë borgjezia”.

Kjo tezë kontradiktore (si mund të mos kesh atdhe dhe njëherazi të jesh nacional?!)  është themeli i internacionalizmit komunist. Komunistët nuk luftojnë për atdheun por për revolucionin proletar botëror. Ata janë kombëtarë vetëm konvencionalisht, vetëm për sa kohë një gjë e tillë ju shërben për të vendosur sundimin politik.

Edhe liderët komunistë shqiptarë kështu vepruan. Ata u hoqën si kombëtarë pikërisht që të arrinin sundimin politik. Prandaj, këmbëngulën për rolin hegjemon të Partisë Komuniste në Luftën Nacional Çlirimtare. Por e gjitha ishte një lojë në funksion të sundimit mbi popullin dhe jo të lirisë së tij sikundër premtohej. Këtu fillon edhe mashtrimi historik. Sepse ajo nuk ishte një luftë çlirimtare e gërshetuar me revolucion komunist por një revolucion komunist i maskuar me luftën për çlirim.

Dinamika e gjërave e provon mashtrimin. Në Manifestin Komunist Marksi shkruan se “komunistët  e quajnë një gjë të shëmtuar të fshehin pikëpamjet dhe qëllimet e tyre. Ata deklarojnë haptazi se qëllimet e tyre  mund të arrihen vetëm duke përmbysur me forcë gjithë rendin shoqëror ekzistues”.

Komunistët shqiptarë e fshehën fillimisht qëllimin e tyre. Ata nuk folën hapur, që në krye të herës për përmbysjen që planizonin të realizonin. Në rezolucionin e mbledhjes themeluese të PKSh ndër detyrat kryesore politike është: “Të luftohet për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për qeverinë popullore demokratike në një Shqipëri të lirë prej fashizmit”. Askund nuk flitet për revolucion komunist.  Kjo e bën taktikën e ndjekur nga komunistët një mashtrim dhe triumfin e tyre një revolucion të maskuar. Kur Enver Hoxha e kritikonte Mehmet Shehun se dilte me flamurin e brigadave proletare, e bënte jo se nuk qe dakort në parim por se, taktikisht, simbole të tilla e demaskonin para kohe natyrën e vërtetë të revolucionit bolshevik që kish nisur të zhvillohej si luftë për çlirim.

Prej këtej buron një nga rebuset që ka mbetur pa u zgjidhur dhe i debatuar edhe sot e kësaj dite: Kur festojmë çlirimin e Shqipërisë çfarë bëjmë: festojmë çlirimin nga pushtuesit dhe diktatura e tyre nazifashiste apo revolucionin, që i maskuar me luftën kundër pushtuesit, hodhi themelet e një diktature të re?

Revolucioni komunist në Shqipëri u rrit si një minotaur. Trupi i tij, muskujt, energjia, ishin masat pjesmarrëse në luftën për çlirim nga pushtuesi ndërsa koka, truri i tij qe komunist, ishte Enver Hoxha, karakteri autokratik dhe ambicia për sundim e të cilit,  gërshetuar edhe me instruksionet e të dërguarve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, e devijoi gjithë këtë energji patriotike në funksion të përmbysjes komuniste dhe marrjes prej tij të një pushteti gjithnjë e më absolut që e ushtroi personalisht çdo sekondë dhe pa asnjë kufizim për rreth 40 vjet.

Apologjetët e revolucionit komunist pretendojnë se nuk mund të ndodhte ndryshe sa kohe që klasat e pasura u bashkuan me pushtuesin. Kjo është as më shumë dhe as më pak por jehona e kambanës së ndryshkur të propagandës enveriste. Pasoja merret për shkak. Revolucioni komunist nuk ndodhi se klasat sunduese u bashkuan me pushtuesit. Ai qe programuar me kohë dhe fshihej në genin e Partisë Komuniste në fakt, staliniste. Dhe, siç kemi argumentuar, qe pikërisht koshienca e saktë për këtë lidhje gjenetike të komunisteve me revolucionin, një nga arsyet që i shtyu disa nga nacionalistët që, në një moment dobësie ekstreme të bashkohen, si i mbyturi që kapet pas fijes së barit, deri edhe me pushtuesit nazifashistë për të shmangur revolucionin komunist. Një e keqe më e madhe në ardhje për ta sesa një pushtues në largim.

Një ndjekje realiste e dinamikës së ngjarjeve, e dokumentacionit historik të jep të kuptosh se nuk ishte tradhtia e nacionalistëve apo, të themi, e klasave te pasura që solli revolucionin komunist por revolucioni komunist që solli tradhtinë e klasave të pasura.

Manipulimi i historiografisë komuniste qëndron tek përmbysja e raporteve reale. Ajo shkakun e paraqet si pasojë dhe pasojën si shkak. Por, që të çlirohemi nga iluzioni i raportit të përmbysur duhet të kuptojmë se revolucioni komunist nuk fillon pas Çlirimit, nuk fillon në nëntor 1944 por qysh në ditën e parë të themelimit të PKSH, në 8 nëntor 1941, madje edhe më parë me lëvizjen komuniste. Pra, ai nuk ishte diçka e rastit e zhvilluar spontanisht për shkak rethanave të papritura. Prandaj, gabon kush e ndan aktivitetin e Enverit, në atë të Luftës që qenka i mirë dhe në atë tjetrin, pas Luftës, si diktator që është i keq. Ka një lidhje organike mes të dy fazave që i bën të pandashme. E para është themeli i të dytës.

Hapi i parë që ndërmori Enveri qe spastrimi i truallit ideologjik duke konsoliduar tezën se revolucioni bolshevik është i mundur edhe në një vend të prapambetur si Shqipëria, pa industri dhe proletarit të zhvilluar. Nga pozita leniniste-staliniste u goditën të gjithë komunistët me pikëpamje të kundërt dhe, sipas zakonit stalinist, u shpallën armiq. U këmbëngul se revolucioni komunist mund të triumfojë, nën shembullin e BRRS, edhe në një vend të prapambetur me shumicë fshatare si Shqipëria.

Por dihet që Lenini ka qenë revizionuesi i parë i Marksit. Ky i fundit, mendonte se revolucioni komunist mund të qe i mundur vetëm në vende me proletariat shumë të zhvilluar si, për shembull, Britania. Sepse kish parasysh jo vetëm aktin e përmbysjes me dhunë, berihain, që mund ta realizosh edhe me turma fshatarësh si dhe lumpen gjithfarësoj, por edhe atë që duhej bërë më pas dhe që nuk mund ta realizosh me turma gjithfarësoj e lumpenë.  Në raport me fshatarësinë nuk është çështje përbuzjeje por çështje mendësie. Për një rend të ri duhet një mendësi e re që jo të gjithë turmat e kanë. Por një rend i ri e ka të pamundur nëse mendësia që i duhet nuk është mbizotëruese. Kjo shkakton konflikt me sistemin që çon te imponimi me dhunë dhe rrjedhimisht rendi i ri, nga ai i lirisë shndërrohet si pa kuptuar në atë të skllavërisë e shtypjes.

Në një nga botimet e tij të fundit Francis Fukajama pohon se përmbysjet e sistemeve politike autokratike nuk bëhen me sukses pa një zhvillim ekonomik që pasohet edhe nga një mobilizim të disa shtresave shoqërore (zakonisht të mesme) që vënë në dyshim legjitimitetin e sistemit ekzistues. Konkluzioni është, në thelb, i njëjtë me tezën e Marksit se faktori objektiv i një revolucioni (dhe në këtë rast Marksi nuk ka parasysh vetëm revolucionet komuniste por një ligj të përgjithshëm të zhvillimit) është konflikti mes forcave prodhuese të zhvilluara dhe marrdhënieve në prodhim (të pronësisë kryesisht) të prapambetura dhe penguese për to. Kur ky kusht nuk ekziston revolucioni është artificial dhe i sforcuar. Dalja jashtë kësaj skeme sjell medeomos deformime që të çojnë në ekstremizëm dhe dështime si në rastin e revolucionit proletar (diktaturat bolshevike, përfshi edhe rastin shqiptar) ashtu edhe në rastin e revolucioneve demokratike (pranvera arabe).

Në zbatimin e një revolucioni të sforcuar bolshevik në mungesë të faktorëve objektivë dhe në funksion të marrjes së pushtetit, duhen kërkuar edhe shkaqet e dështimit afatgjatë të socializmit në Shqipëri. Për shembull, me eksperimente të tilla si dhënia e tokës fshatarit për ta lidhur politikisht me pushtetin dhe më pas, marrja e saj për ta “proletarizuar” në një marrdhënie që fshatari nuk e asimiloi prandaj dhe humbi dhe nxitësit për të punuar. Përgjithësisht, në Shqipëri mungonte edukata e punës që kalit kapitalizmi i zhvilluar, një e metë që do kish pasoja fatale në ecurinë e mëtejshme të gjërave dhe që nuk mund të kurohej me faktin që PKSH e ndryshoi emrin në Partia e Punës. Kapitale, banka, tregëti ka patur shumë shekuj para se të lindte kapitalizmi por përse ai lindi me sukses vetëm në Europë? – pyet Weberi. Dhe e shpjegon me etikën protestante të punës (që ai e quan shpirti i kapitalizmit), me devocionin e njeriut për profesionin si dhe ndjenjën e kursimit. Socializmi shqiptar (por jo vetëm ai) nuk e pati këtë shpirt prandaj dhe degradoi në një sistem pa shpirt!

Por Enver Hoxha, i trajnuar edhe nga këshilltarët jugosllavë, nje element oriental në thelb por me kostum e luk europian, me etje të ekzagjeruara për pushtet, duhet ta bënte revolucionin dhe prandaj do t’i shpikte edhe kushtet objektive për të. Si, për shembull, duke fryrë apo ekzagjeruar rolin që mund të luante klasa e pakët punëtore në aleancë me fshatarësinë e varfër.

E thënë thjesht, Hoxha u përpoq të gatuajë bukë gruri me miell misri. Në fakt, krijimi i një klase punëtore dhe nxjerrja e saj në ballë të fshatarësisë, ka qenë përherë preokupim i Hoxhës dhe shokëve të tij. Ndryshe, si mund të kishim diktaturë të proletariatit? Por klasa punëtore shqiptare, e krijuar me shpejtësi si në inkubator në dy dekadat e para të socializmit në fabrika të ngritura kryesisht me ndihmë ruse e më pas edhe nga kinezët, nuk mundi të shkëputej nga psikologjia e fshatit, prej nga vinte, për të punuar sa më pak dhe për të marrë sa më shumë. Ajo qe një klasë punëtore jo aq punëtore. Ndërkaq, sistemit socialist i mungonte mekanizmi ekonomik i kurimit të kësaj psikologjie të përtacisë ndërkohë që morali ideologjik dëshmoi se ishte i pafuqishëm të bënte gjë. Dekadë pas dekade ekonomia nisi të hajë vetveten duke u dobësuar deri në kolaps. Rezultat i trishtë i një aventure gjysëm shekullore që nisi në 8 nëntor 1941. Dështim gjysëm shekullor i një shteti që e nisi më i varfëri në Europë dhe e mbylli po ashtu.

Nuk e kuptoj se çfarë lavdie perceptojnë akoma disa në këtë aventurë të palavdishme. Sepse nuk është që një sistem të suksesshëm e rrënuan në ’90-tën. Ai mbërriti aty i rrënuar dhe i dështuar. Kundër pushtetit u ngrit vetë klasa punëtore “në pushtet”! Ajo që erdhi më pas qe grabitja e mbetjeve të tij, një krim i toleruar nga “demokratët” po për qëllime pushteti dhe pasurimi korruptiv. U provua edhe një herë se armiqtë më të rrezikshëm të shtetit shqiptar kanë qenë përherë qeveritë e tij nga që kanë patur “lirinë” e pakufizuar të bëjnë ç’të duan me shtetin. Edhe t’ja mbytin lirinë.

Një parti komuniste është si spermatozoidi që e mbars shoqërinë me revolucion bolshevik. Sikundër thotë Marksi, qëllimi i afishuar i një partie komuniste është pikërisht revolucioni komunist. Ajo krijohet pikërisht për këtë qëllim dhe nuk mund të kuptohet pa këtë qëllim që në ditën e parë të saj. Krijimi i PKSH ishte suksesi i parë i revolucionit bolshevik në Shqipëri.

Një vëzhgim i kujdesshëm i dokumenteve historike të jep të kuptosh se PKSH nuk e vuri revolucionin në funksion të luftës për çlirim por luftën për çlirim në funksion të revolucionit dhe marrjes së pushtetit. Prandaj, Hoxha këmbëngulte për rolin udhëheqës të PKSH në Front, për vendosjen e komisarëve politikë në çeta dhe më pas në ushtrinë partizane, për dhënien e gjithë pushtetit këshillave nacional-çlirimtare që të kujton parrullën leniniste “gjithë pushtetin sovjetëve”, për kultivimin e dashurisë për BRSS ! Lufta mund të qe sa të donte çlirimtare por truri i saj duhej të qe bolshevik. Nëpërmjet këtij rrjeti pushtetesh dhe influencash ideologjike, energjitë popullore të mobilizuara patriotikisht për çlirimin e vendit do kanalizoheshin heshturazi në drejtim të një përmbysjeje bolshevike në Shqipëri. Ujrat e kristalta të patriotizmit shqiptar do vinin në lëvizje mokrat e rënda të një diktature antishqiptare që do bluante eshtra shqiptarësh. Një përfundim aspak patriotik! Fakti? Shikon si ka mbetur Shqipëria!

Hoxha e shpallte me krenari, si një trajtim krijues të teorisë marksiste-leniniste, gërshetimin e luftës për çlirim me revolucionin komunist. Edhe finalizimi i Luftës Çlirimtare me marrjen e pushtetit nga komunistët është fakti më bindës për këtë. Këmbëngulja e Enver Hoxhës për t’u ngritur sa më parë në luftë kundër pushtuesit (përballë tezës fabianiste të Ballit se “s’ka ardhur koha”) ishte një taktikë dinake populiste, në koherencë me instiktet patriotike të turmave, që prodhoi një fakt të fortë “patriotik” përballë të cilit u shkatërrua prestigji patriotik i figurave ngurruese të së djathtës. Misionarët britanikë kanë shpjeguar se përse Balli dhe ca nacionalistë, ngurronin të hynin menjëherë në luftë duke këmbëngulur se do qe më e volitshme që lufta të niste si një kryengritje e përgjithshme në një moment kur pushtuesi do qe më i dobësuar. Si arsye nxirrej shmangia e viktimave dhe dëmeve ekonomike që do pësonte popullata. Natyrisht, një nga shkaqet e fshehta ka qenë edhe fakti që nacionalistët e kuptonin se një mobilizim luftarak nën drejtimin e komunistëve, nuk mund të mos prirej drejt një përmbysje bolshevike të sistemit.

Në të kundërtën, komunistët këmbëngulnin për luftë një orë e më parë kundër pushtuesit me parrullën “liria nuk fitohet pa gjak”. Sipas misionarëve britanikë kjo taktikë e luftës imediate (që ata e aprovonin se për të nxitur luftën ishin aty) me raprezaljet që shkaktonte si reagim i pushtuesit mbi popullsinë, çonte në mbushjen e radhëve partizane. Prandaj, na shfaqet edhe paradoksi, komunistët internacionalistë dolën më patriotë se nacionalistët!

Në të vërtetë, lufta për çlirim i duhej Enver Hoxhës si mënyra e vetme për zbatimin e parimit leninist të armatosjes së “popullit”. Duke ndjekur mësimet leniniste, Hoxha porosiste bashkëpunëtorët që për marrjen e pushtetit duhet të përgatiteshin për të dy rrugët, edhe për atë paqësore por edhe për atë me dhunë, porse duke u përgatitur për atë me dhunë edhe rruga paqësore do kish më shans për sukses. Veç sa u ndje mjaft i fortë, nuk i qëndroi besnik këtij parimi duke e braktisur fare rrugën paqësore. Pretekst i shërbeu tradhëtia apo kolaboracionizmi i disa nacionalistëve (tradhtia do të qe preteksti edhe për genocidin e ushtruar për 45 vjet mbi brezat e klasave të përmbysura) por që pati kujdes t’a shndërronte në një rrjetë sa më të gjerë ku do binin të gjithë klasat e pasura, edhe ata që nuk kishin kolaboruar me pushtuesin. Ndryshe si mund të justifikohej dhuna, marrja e pushetit me dhunë dhe pa zgjedhje demokratike apo shpronësimet pa ndarjen NE patriotët dhe ATA tradhëtarët?

Asnjë diktaturë nuk qëndron dot në këmbë pa patur një armik të brendshëm. Kur ai nuk ekziston ajo e shpik. Sepse është justifikimi për qenien e saj. Kjo nevojë e bëri Hitlerin të shpikë rrezikun hebre. Në Shqipëri ATA, klasa e përmbysur e tradhtarëve, u bënë “çifutët” e socializmit. Breza të tërë jetuan të persekutuar, të përbuzur, të diskriminuar. Faji i tyre ishte se kishin lindur në familje kulakësh,  të përmbysurish apo tradhtarësh. Nuk i detyronin të mbanin yllin me pesë cepa në krah, por në komunitetet e vogla të qyteteve dhe fshatrave shqiptare të gjithë e dinin se ishin “me njollë”. Dhe thonë që diktatura komuniste nuk ngjan me atë naziste. S’është aspak e vërtetë! Ka pasur edhe nje holokaust shqiptar.  

Hoxha e shndërroi si pa u ndjerë ushtrinë nacionalçlirimtare në ushtri të revolucionit boshlshevik. Dhe me zjarrin e armëve të saj, dogji etapën demokratike të pasluftës, duke vendosur përdhunshëm rregjimin diktatorial. Shiptarët nuk u lanë të zgjedhin formën e regjimit siç ju qe premtuar edhe nga PKSH. Proçeset e votimit dhe ato legjislative ishin një farsë për të maskuar dhunën. Me anë të ushtrisë, Enver Hoxha shmangu edhe atë që, në kujtimet e veta, e quan “rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”.

Dhe cili na ishte ky rrezik? Pas rreth 70 vitesh mund të përgjigjemi pa ekuivok: Ishte shtegu drejt demokracisë perëndimore që shqiptarët po përpiqen ta themelojnë, mjerisht jo me shumë sukses, edhe sot e kësaj dite. Po “shpëtimi” kush qe? Ishte diktatura staliniste, një nga regjimet më të neveritshme që ka njohur njerëzimi!

Ndiq kursin tënd dhe lëri njerëzit të flasin!

Please follow and like us: