Albspirit

Media/News/Publishing

Tregu i partive fiktive politike, burim përfitimi dhe spekulimi politik

Instituti i Studimeve Politike (www.isp.com.al) në kuadër të projektit gjerman www.politike.al po monitoron edhe zgjedhjet e 11 shtatorit. Vrojtimi i parë: janë 19 parti që konkurrojnë për postin e kryebashkiakut në Dibër. Nuk bëhet fjalë për një qytet – metropol dhe as për ndonjë post me rëndësi në hierarkinë shtetërore, – por për një post 3 vjeçar në një prej bashkive më të varfra në Shqipëri.

Atëherë, çfarë i shtyn partitë të ndërpresin pushimet për të konkurruar në një zonë, ku de facto nuk kanë as interes, ku shumica e tyre nuk kanë as kryetar dhe as struktura dhe ku shumica absolute e tyre nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë për qytetarët e komunitetin? Mjafton të kuptojmë formën sesi funksionin sistemi ynë përfaqësues dhe politik për ta kuptuar: një sistem klientelist, i mbyllur, i personalizuar dhe i korruptuar.

Partitë kanë rast ta shndërrojnë Dibrën në treg shkëmbimi me poste në ekzekutiv (partitë e vogla të majta) ose me vende më 2017 në listën shumëemërore për deputet (partitë e djathta). Dibra u ngjason atyre me tregun ku shitet e blihet gjithçka, ndaj janë të gatshme ta shfrytëzojnë në maksimum, për të përfituar maksimalisht nga ofertat për punë apo paratë informale në qarkullim. Çfarë sjell kjo për qytetarët e Dibrës? Asgjë pozitive. Energji e humbur, kohë e humbur, para të humbura dhe me siguri, cilido të fitojë, – një buxhet lokal në borxh ndaj klientelës informale që mbështet fituesin.

Le të shohim zgjedhjet e fundit parlamentare. Parlamenti ka 140 deputetë, por partitë kandiduan shumë më tepër sesa numri i deputetëve. Nga partitë parlamentare rekord është PR me 252 kandidatë në listën shumëemërore, ndjekur nga PS e PD me nga 153 dhe 150 kandidatë. Më shumë se kjo statistikë flet statistika tjetër, – sa vota marrin kandidatët e partive politike. Referuar 2013 për 1.7 milion votues konkurruan 7149 kandidatë, 140 fituan, 7009 humbën! Në total cdo kandidat mori mesatarisht vetëm 241 vota, kurse çdo deputet i zgjedhur mesatarisht 12320 vota. Nëse marrim parasysh faktin se konkurruan 66 parti politike atëherë rezulton se mesatarja është rreth 26 mijë vota për parti politike.

Referuar partive parlamentare PS mbetet në shifrën më të lartë të votave për kandidat për deputet (4.6 mijë vota për kandidat), PKD natyrisht ka kuotën më të ulët, 57 vota për kandidat. PD vijon me 3.5 mijë vota për kandidat dhe LSI me 1.2 mijë vota për kandidat. PR, PDIU e PBDNJ luhaten nga 100-300 vota për kandidat. Referuar votave për deputet të zgjedhur, katër partitë kryesore (PS, PD, LSI, PDIU) kanë raport gati të njëjtë, 1 deputet me 10-11 mijë vota, PR e PBDNJ kanë raport më të thellë, me 4-6 mijë vota më shumë, gjithsesi të dyja ato siguruan mandate shtesë në listat proporcionale të PS e PD.

Ligji shqiptar mbi partitë, ndryshe nga ligjet e shumë vendeve të tjera, nuk ka përcaktime të qarta mbi jetëgjatësinë e partive politike (kur shkrihen, kur mund të quhen in-ekzistente dhe kur nuk mund të penalizohen nga kandidimi) dhe për më tepër, mbijetesa e partive formale sigurohet përmes koalicioneve “të mëdha” fiktive me partitë e mëdha. Aq fiktive janë këto koalicione e parti, sa më shumë se 60% e tyre merr shumë më pak vota sesa numri minimal i nënshkrimeve që duhen për të krijuar një parti politike, pra nuk marrin dot as votat e themeluesve të tyre. gjithsesi ekzistojnë, mbijetojnë, konkurrojnë rregullisht, siç po ndodh edhe në Dibër, – sepse është treg i lirë, është pazar pa rregulla, është politikë pa identitete dhe sistem konkurrues pa vlera, – që ua mundëson diçka të tillë!

 

Please follow and like us: