Pikturat e ikjes
Alkan Nallbani sjell ” Eksploratorët” në Galerinë Kombëtare të Arteve
Alkan Nallbani u jep ngjyra kujtimeve, për ti kthyer më pas në ngjarje që të zhvendosin në kohë. Gjithçka është aty, për të mbetur në telajo dhe atëherë kur mendon se koha ka humbur gjithçka. Piktura që kërkojnë të sfidojnë harresën dhe të sjellin një raport të ri mes artistit dhe kujtesës, një marrëdhënie që të prek teksa sheh ekspozitën ” Eksploratorët” që u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Nën kurimin e Artan Shabanit dhe Esmeralda Dalipit, ekspozita mbart punët më të mira të Alkanit, i cili tashmë jeton në pas një periudhe kohore në Firenze të Italisë.”Ai është i njohur në skenën e artit ndërkombëtar dhe duhet të shtoj që është pjesë e një emigracioni të gjatë kulturor. Është uria e artistit e cila e ka bërë Alkanin të ketë një bashkëbisedim me të gjitha vendet ku ai ka shkuar. Ai eksploron kujtimet, i rimerr dhe i sjell në tablotë e tij”, thotë Shabani. Në këtë ekspozitë midis 90 punëve të ekspozuara gjejmë edhe punime në gravurë.
Pas viteve 90 Alkani shkon në kryeqytetin e Toskanës, ku ndjehesh i përkëdhelur nga gjithçka dhe sidomos nga arkitektura, qytet me të cilin ai merr e jep shumë. Ai bëhet pjesë grupesh artistike dhe ekspozitash të rëndësishme në Itali e Evropë përmes krijimtarisë së tij, e së fundmi pjesë e grupit prestigjioz të profesionistëve APE në New York. “Kjo ekspozitë është një ndërthurje punësh të hershme dhe aktuale. Megjithë shtrirjen kohore të punëve nuk mund ta quaj një ekspozitë kronologjike por më tepër një ekspozitë analitike nga mënyra se si është konceptuar”, tha kuratorja Dalipi. Ekspozita ndahet në disa cikle, një prej të cilëve është edhe cikli “Eksploratorët” nga I cili merr edhe emrin vetë ekspozita. Në të mbizotërojnë imazhet nga jeta e përditshme, të marra këto nga ngacmimet si nga mediat ashtu edhe kthimi në kohë përmes memories” . Kjo ekspozitë është hera e parë që sjell veprat e Nallbanit në Galerinë Kombëtare të Arteve. “Duke parë këtë ekspozitë unë do të përqëndrohesha në katër projektë kryesore që e përshkojnë atë nga kreu në fund. E filloj me projektin e “Ikjes”. Unë bëj pjesë në brezin e artistëve që e lanë shqipërinë pas përfundimit të Akademisë në vitet 90, dhe pata fatin të vendosem në Firence. Ndjesia e ikjes nga Shqipëria, sidomos tek të rinjtë shqiptarë, ishte shumë e pranishme kudo. Unë këtë ndjesi e mora me vete dhe u mundova ta kap e ta vendos në punët e mija në periudhën e Firences. Figurat janë në ikje dhe ngjyrat janë të errëta”,u shpreh Nallbani. Pas stabilizimit të tij në jetë ai nisi të punojë me figurën e fshatarit, i cili sërish ishte një figurë që vinte prej kujtimeve të fëmijërisë. “Me gjithë ndryshimet në jetën time këto kujtime nuk kishin ndryshuar. Gjithë ndjesitë e të qënit në fshat, përjetimi I jetës, puna që bëhet aty me tokën, me kafshët, ndikimi I natyrës, era e tokës, vështirësitë që vijnë nga ekspozimi ndaj natyres, djersa etj, u rikthyen tek unë për ti përdorur si subjekte. Edhe pas Italisë, në fillimet e mija në Amerikë, këtë temë e vazhdova edhe aty”, thotë Nallbani. Pas vendosjes në SHBA nisi të influencohej pak edhe nga piktura abstrakte që lëvrohej aty në atë kohë. “Ndryshoi mënyra ime e të përafruarit me veten dhe punën. Mua nuk më mjafton ta përdor subjektin vetëm për një pikturë por për një seri më të gjatë punësh, duke i shkuar më në thellësi këtij subjekti. Puna eksploruese është shumë e rëndësishme dhe proçesi në studio, qëndrimi aty nga mëngjesi deri në pasdite, është shumë i shenjtë për mua. Dhe kështu hap pas hapi ngrihen edhe projektet”, tha Nallbani. Me kthimet e herë pas hershme në Firence, në dyqanet e antikuareve mes gjërave të tjera do të gjente një revistë të viti 51, fillimet e shtypit me ngjyra, një lloj shtypi ku ngjyrat dukeshin si akuarel, ku koha kishte punuar mbi to. Disa imazhe iu dukën interesante”.
Nga këto imazhe mu kujtua fëmijëria, dokumentarët që shikonim në ato kohë me eksploratorë të ndryshëm. Duke mos pasur heronj si Spider Man, heronjtë e fëmijërisë time ishin këto personazhe të këtyre dokumentarëve” thotë Nallbani. Ky projekt ka filluar në 2012 dhe vazhdon për katër vite, e artisti kërkon ta vazhdojë si një kërkim në kujtesë.Nuk mungojnë në këtë ekspozitë tematika që prekin realitetin e sotëm. “Në konfliktet e botës së sotme bombardimi i një fshati apo vrasje nuk na bëjnë përshtypje dhe i kalojmë shpejt.Unë nuk dua ti kaloj kaq shpejt, por dua ti bëj njerëzit të ndalojnë. Nuk them të ndaloj patjetër në momentet e luftës por të jetë ky si një moment meditimi, moment ndalese nga stresi i përditshëm.
E gjithë kjo është historia e dy dekadave të krijimtarisë sime. Mënyra si është vendosur kjo ekspozitë në mënyrë jo lineare, të jep mundësinë ta eksplorosh në mënyrë të ndryshme këtë udhëtim njëzet vjeçar”, thotë ai. Alkan Nallbani ka lindur në 1971, Berat, Shqipëri. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firenze, Itali e më pas në Kolegjin Corcoran të Artit dhe Dezajnit, Usa. Aktualisht jeton dhe punon në New York dhe Firenze. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 4 shtator 2016.