Albspirit

Media/News/Publishing

Ftesë për dasmë dhe shkurorëzim

 Veton Surroi
Qeveria e Kosovës, dhe cilido prej aktorëve politikë në vend, nuk bëjnë mirë kur e hapin mundësinë e arbitrazhit në demarkacionin me Malin e Zi. Është paralajmërim i një antagonizmi të panevojshëm me një fqinj, me të cilin vendi nuk ka probleme

1.

Kur mendon se Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi që nga viti 2008, nuk mund të bëjë më gabime negociatore, ajo do të dalë me ide të reja, plotësuese, të përcaktimit të saj për të vazhduar të dështojë.

Në vazhdën e debatit për problemin e demarkacionit me Malin e Z, Qeveria e Kosovës ka përgatitur draftligjin, në të cilin, me intencë për të qetësuar disi kritikët e saj, përshkruan sesi në rast të paraqitjes së fakteve të reja juridike, dhe në bashkëmarrëveshje me Malin e Zi, demarkacionin mund ta çojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Përshkrimi i këtillë, i eventualitetit të arbitrazhit, do të mund të konsiderohej si barsoletë prej studentëve të së drejtës ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës nuk ka nevojë të përshkruajë sesi demarkacioni mund të përfundojë në arbitrazh, aq më pak të përshkruajë se kjo mund të jetë e mundur nëse për të pajtohet Qeveria e Malit të Zi. Fati i marrëveshjeve ndërkombëtare është i tillë, që çdonjëra mund të përfundojë në arbitrazh; ashtu si çdo marrëveshje mes blerësit dhe shitësit a burrit dhe gruas, në të drejtën civile, nënkupton arbitrimin në gjykatën përkatëse, edhe marrëveshjet mes shteteve nënkuptojnë se ekziston një gjykatë, e cila, e autorizuar nga të dyja palët, do të vendosë se kush ka të drejtë në një mosmarrëveshje eventuale.

Draftligji i Qeverisë do të kishte si analogji një ftesë për dasmë, ku shkruan:

“Ju ftojmë në gëzimin e martesës së bijës sonë dhe…

Ahengu fillon në orën… në Sallën…

Nëse çifti bashkëshortor përjeton mosmarrëveshje në jetën e tyre martesore, kompetente për shkurorëzim do të jetë Gjykata Komunale”.

2.

Përse bën këso ftese, të përdorim analogjinë, Qeveria e Kosovës?

Njëra prej arsyeve mund të jetë mungesa e dijes, e kompetencës. Por, kjo nuk është risi- mosdija është pak a shumë karakteristikë e qeverisjes pothuajse për një dhjetëvjetësh.

Më duket se arsyeja është motivi që sa më shpejt të hiqet nga rendi i ditës një çështje sikur demarkacioni, qoftë edhe duke e hedhur në arbitrazh eventual. Dhe motivi nuk është sajesa të cilën e bën ministri i Integrimeve evropiane, i cili ritualisht premton çdo tre muaj se do të ketë liberalizim të vizave nëse plotësohet, ja, edhe ky kusht. Prej premtimit të parë të kreut të Qeverisë së Kosovës, se liberalizimi do të bëhet menjëherë, kaluan shtatë vjet, atëherë kur demarkacioni me Malin e Zi as që ishte në rend dite.

Motivi i heqjes së kësaj çështjeje nga rendi i ditës është për shkak të kostos së brendshme politike. Kjo Qeveri, me ministrat e atëhershëm Thaçi dhe Hyseni, kanë nënshkruar një Marrëveshje pa konsensus të brendshëm politik, duke anashkaluar procedurat parlamentare dhe vërejtjet eventuale të opozitës e shoqërisë civile. Një hap i këtillë u tregua se nuk e kishte mbështetjen e nevojshme në vend, dhe çdo ditë që kalon, tregon për mungesë serioziteti të Komisionit qeveritar, e në përmasa deri tash të pabesueshme dogmatike, të Qeverisë që e mbron Komisionin qeveritar si të ishte prodhim Biblik a Kuranor.

Qeveria tash do të ikën sa më shpejt nga çështja e demarkacionit, qoftë edhe duke e dorëzuar në arbitrazh. Në analogjinë e ftesës për dasmë, është në pozicionin e prindërve që po e organizojnë dasmën dhe njëkohësisht e ftojnë avokatin për ta përfaqësuar të bijën/djalin e tyre në gjykimin e ardhshëm për shkurorëzim.

3.

Veprimet e këtilla e kanë ngarkuar jetën e brendshme politike në një antagonizëm paralizues. S’do mend se edhe ideja që deri më 1 shtator të krijohet presioni që disi ky projektligj të kalojë në Kuvendin e Kosovës vetëm sa do t’i ndihmojë antagonizmit.

Por, Qeveria e Kosovës me veprimet e veta po e dëmton edhe pozicionin ndërkombëtar të vendit. Nuk është vetëm fjala për paaftësinë e treguar negociatore, me të cilën Kosova prej vitit 2008 ia ka dorëzuar Serbisë, me duart e kryeministrit të vet, fatin e negociatave të vendit. Është fjala për dëmin që Qeveria e Kosovës po u bën marrëdhënieve me Malin e Zi.

Një vend si Kosova, me një histori jo të mirë (thënë së buti), marrëdhëniesh me Malin e Zi që nga zhbërja e Perandorisë Otomane- dhe një mbamendje këngësh, mitesh e historish që e ilustrojnë- ka shumë arsye t’i ruajë marrëdhëniet e shkëlqyeshme që i ka pasur me këtë vend që nga bombardimet e NATO-s më 1999 dhe kalimin e Malit të Zi në sferën politike perëndimore. Falë kësaj politike, dhe rrethanave të zhvilluara, Mali i Zi është tashmë i ftuar në NATO dhe marrëdhëniet me këtë fqinj kanë një peshë edhe më të madhe.

Por, edhe po të mos ishte shtet i ftuar në NATO, Kosova ka shumë arsye që të ruajë marrëdhëniet me Malin e Zi. Për ata që harrojnë shpejt, duhet rikujtuar se ky është vendi i cili në kohët më të këqija, të bombardimeve të vitit 1999, hapi dyert për refugjatët kosovarë. Dhe, në kohë aspak të lehta, ishte ndër shtetet që njohën pavarësinë e Kosovës.

4.

Qeveria e Kosovës, dhe cilido prej aktorëve politikë në vend, nuk bëjnë mirë kur e hapin mundësinë e arbitrazhit në demarkacionin me Malin e Zi. Është paralajmërim i një antagonizmi të panevojshëm me një fqinj, me të cilin vendi nuk ka probleme.

Në vend të ikjes mendore në arbitrazh, Kosova ka mundësinë që t’u rikthehet marrëdhënieve fqinjësore me Malin e Zi. Mali i Zi ka negociuar me vullnet të mirë dhe ka mbrojtur pozicionin e vet negociator. Në Kosovë tashmë nuk ekziston një bindje mbisunduese se negociatorët kosovarë kanë mbrojtur, me vullnet të mirë, interesat e vendit. Kosova nuk do të duhej të bënte veprime me Malin e Zi (ratifikim, kërkesë rishikimi e rinegociimi apo dërgimi në arbitrazh) nëse fillimisht nuk bie dakord me veten.

Dakordimi me veten do të ishte që kjo çështje e interesit shtetëror të marrë pëlqimin konsensual të partive në pushtet dhe atyre opozitare. Pa të, mbetet dhiarja e arbitrazhit e me të edhe paralajmërimi Malit të Zi se me ta do të shtyhemi në gjykata; se nuk kemi negociuar me vullnet të mirë.

Për një shtet të ri që përpiqet të krijojë marrëdhënie ndërshtetërore, Kosova ka mundësi ta marrë që në fillim shkallën më të ulët të mosbesueshmërisë, atë të palës që të fton në dasmë dhe shkurorëzim njëkohësisht.

/Shkrimi u publikua ne Koha.net /

Please follow and like us: