Albspirit

Media/News/Publishing

Për ata që vranë Arditin dhe shumë të tjerë në Shqipëri

Blendi-Fevziu-per-TRB

Nga Blendi Fevziu
Ndër gjithë reportazhet e shtypit dhe portaleve ajo që më ka lënë më shumë mbresë këto kohë, është një detaj. Një biçikletë e lidhur pas një hekuri, diku në landfillin e Sharrës. Një biçikletë e vjetër, pa shalë, mbledhur anëve me një mushama, me gjasë për t’i shpëtuar lagështirës së natës. Ai që e lidhi pas hekurit atë natë të vonë Gushti nuk jeton më. Ishte 17 vjeç, në atë moshë që shumë nga moshatarët e tij shijojnë adoleshencën. Ishte në moshën e shkollës dhe siç dëshmojnë mediat, donte t’i blinte vetë rrobat e shkollës, donte të blinte vetë edhe librat. Për të ndihmuar sado pak në jetesën e vështirë të prindërve. Ose për t’i lehtësuar ata nga një shqetësim më shumë. Ardit Gjoklaj me siguri që do të kishte mbaruar shkëlqyer shkollën. Me vullnetin dhe përgjegjshmërinë që kishte padyshim që do të kishte pasur një karrierë për t’u pasur zili. Një ditë ai mund t’ju fliste të rinjve se si mund të çash në jetë. Duke punuar për t’i nxjerrë vetë lekët e librave dhe për të mos qenë një barrë as për prindërit e vet. Por Arditi nuk jeton më. Ai u aksidentua një natë Gushti. Një natë nga ato kur shumë prej bashkëmoshatarëve të tij mbushin diskotekat e Tiranës dhe të Jugut edhe pse me ligj nuk ju lejohet as të hynë dhe as të konsumojnë alkool aty. Po ligji ka fare pak rëndësi në këtë vend. Arditi nuk mund të punonte në atë vend të vështirë, as nuk mund të punësohej sepse ishte nën moshë. Ai mund të ndihmonte diku në një biznes, por ai besoi se kjo ishte një mundësi për punësim, kur punësimi mungon për shumë vetë. Ai shkoi në një punë të vështirë, pa asnjë masë sigurie, pa sigurim shoqëror, pa asnjë kontroll dhe humbi jetën. Nuk ishte i vetmi. Media ka zbuluar se i gjithë biznesi i atjeshëm ishte një shkelje flagrante e rregullave dhe ligjeve. Një shfrytëzim i fëmijëve që punonin nën moshë e paguheshin nën rrogën minimale. Rrogën që të imponon me ligj shteti shqiptar. Ishin skllevër të një kohe moderne, ose skllevër të pasurimit të shpejtë të atij që quhet biznesi shqiptar. Një lloj kapitalizmi pa sens e pa rregulla, që përfiton nga mungesa e shtetit ose papargjegjshmëria e tij. Nuk dua të ngatërroj sipërmarrësit korrektë, që përballem me 100 vështirësi në bizneset e tyre; nuk dua të ngatërroj ata që zbatojnë rregulla e respektojnë ligje. Dua të flas për ata që vrasin njerëz çdo ditë. Në mos fizikisht, shpirtërisht. Njerëz që i shtrydhin në punë dhe s’ju paguajnë rrogat; njerëz që s’kanë as leje dhe as orar të përcaktuar qartë. Që nuk kanë as pushim dhe as kushtet që jua garanton kodi i punës i Republikës së Shqipërisë. Njerëz që janë kthyer në skellevër dhe janë dy herë të dëshpëruar. Nga sjellja ndaj tyre dhe nga dëshpërimi që vjen nga pafuqia e shtetit. Njerëz që vetëm shpresojnë që një ditë të jetë më mirë. Njerëz që nganjëherë ikin nga kjo botë, si Arditi adoleshent, pa parë asnjë gjë të mirë, thjeshtë objekte të shfrytëzimit pa asnjë rregull dhe asnjë ligj. Dhe shteti nuk vepron. Shumë prej tyre e kanë kapur këtë shtet me kohë. E mbajnë me financime dhe dieta. Në fakt e mbajnë me paratë e papaguara të atyre që skllavërojnë çdo ditë, ose me gjakun e pampiksur të Ardit Gjoklajt, adoleshentit fatkeq, që nuk do kthehet kurrë ta marrë biçikletën e tij të lidhur në një hekur në landfill, dhe as do të kthehet më kurrë tek prindërit e tij…

Please follow and like us: